Kosova po bëhet gati për një tjetër garë të madhe ndërkombëtare. Skitari kosovar Albin Tahiri i lindur e i rritur në Slloveni, është duke punuar fort për t’i siguruar pikët e nevojshme Kosovës për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”, dhe në mënyrën më të mirë të mundshme ta prezantojë vendin tonë në këto gara të jashtëzakonshme, shkruan Demokracia.com.
Kosova debutoi në Lojërat Olimpike Dimërore në vitin 2018 pikërisht me Tahirin, duke ngjallur kështu një kureshtje të madhe edhe nga mediet ndërkombëtare, ndërsa tash mendohet se skitari ka krijuar një përvojë të mjaftueshme që vendin tonë ta prezantojë edhe më bindshëm në arenën ndërkombëtare.
31-vjeçari në një bisedë ekskluzive për Demokracia.com, ka folur për pritshmëritë e tij në garat që po lufton për të siguruar pikët olimpike, si dhe për nivelin dhe kushtet në të cilat punojnë skitarët në Kosovë.
Demokracia.com: Albin në sllallomin e Austrisë keni pasur disa rezultate të kënaqshme. Ishin këto pritshmëritë e tua apo ke mundur edhe më shumë?
A.Tahiri: Mund të them se jam i kënaqur me paraqitjen. Nëse konsideroni situatën me pandeminë COVID-19 dhe telashet që kishim me përgatitjet, teleferikët që ishin të mbyllur, mendoj se skijova shumë mirë. Sa i përket rezultateve, kam synuar më shumë dhe kam mundur të kem rezultate edhe më të mira, por në këtë moment ishte më e mira që mund të bëja. Kishte shumë garues, kushtet ishin të vështira dhe numri im rendor ishte jo i mirë. Me këtë rezultat, kam marrë pikë Olimpike, kam përmirësuar numrin rendor të lëshimit për garat e ardhshme dhe natyrisht pata një ndjenjë të mirë për garat tjera që më presin.
Demokracia.com: Kosova me ty kishte debutuar në Lojërat e viti 2018, sa është Albini gati ta përfaqësojë edhe një herë Kosovën në gara e mëdha?
A.Tahiri: Definitivisht jam gati dhe dua ta përfaqësojë Kosovën edhe në disa Olimpiada nëse mundem. Shpresoj që edhe garues tjerë do të më bashkohen dhe të mos jem vetëm. Mendoj se Arbi Pupovci mund të kualifikohet gjithashtu në disiplinën e sllallomit.
Demokracia.com: Kanë mbetur edhe disa rezultate për të arritur kualifikimin në Lojërat Olimpike, sa beson se mund ta arrish këtë?
A.Tahiri: Do të kërkojë normën Olimpike në të gjitha disiplinat. Dua të arrijë normën, veçanërisht në disiplinat e shpejta, ku kriteri për normë është shumë më i lartë se sa në disiplinat teknike. Nëse e arrijë këtë në disiplinat e shpejtësisë, do të fokusohem në to, në të kundërtën do të kërkojë normën në sllallom të madh, ku kam arritur dy prej pesë rezultateve të nevojshme për Lojërat Olimpike.
Demokracia.com: Për fund duam një opinion tëndin edhe për nivelin e skitarëve në Kosovë. Sa janë garuesit tanë të gatshëm në një të ardhme të afërt të te bëjnë konkurrencë dhe cilat janë kushtet në të cilat punojnë skitarët tanë?
A. Tahiri: Kam parë potencial tek disa prej skitarëve. Siç e thashë, Arbi Pupovci dhe disa skitarë të rinj janë po ashtu me të ardhme. Por, mendoj se është pak e vështirë për skitarët që jetojnë në Kosovë, sepse ata nuk kanë shtigje të mira për ski dhe mundësia që ata me qenë më të mirë është të jetojnë afër alpeve, siç bëjë unë. Unë jetoj afër qendrave më të mira të skive, duke skijuar tërë jetën. Skijimi këtu në Slloveni është si sport nacional. Në të kaluarën kam pasur edhe rezultate të mira, për të cilat mendoj se është vështirë të arrihen, por natyrisht do të doja për të tjerët të jenë të mirë si unë, ndoshta edhe më të mirë, pse jo. /Demokracia.com