Sport
Skënderbeu 21 mijë euro borxh futbollistit të Prishtinës, FSHF ultimatum skuadrës
Demokracia
11:16 | 11 Mars 2021

Share:

Skuadra shqiptar Skënderbeu ka 30 ditë afat për t’i shlyer borxhin futbollistit kosovar që tash është pjesë e Prishtinës, Leonit Abazi, transmeton Demokracia.com

Disiplinori tashmë ka pranuar ankesën e lojtarit dhe klubi është i detyruar ta kryej borxhin ndaj lojtarit, ndryshe mund të përballet me pasoja të mëdha.

“Pranimin e kërkesës së futbollistit Leonit Abazi. KF Skënderbeu, për dështim në ekzekutimin e vendimit numër 20, datë 28.02.2020 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, në bazë të nenit 62/1/a të KDS, i jepet një afat paralajmërues prej 30 ditësh për të ekzekutuar vendimin”.

Ky është urdhri që ka dhënë Komisioni i Disiplinës për klubin e Skënderbeut më 6 mars, duke iu referuar kërkesës së lojtarit.

Mbrojtësi i krahut të majtë luajti për 7 vite me fanellën bardhekuq, duke fituar gjithçka në Korçë. Mirëpo, pas largimit nga skuadra në verën e vitit 2019, Abazi kërkoi nga klubi detyrimet e prapambetura.

Pasi kaluan shumë muaj dhe nuk u gjet një marrëveshje mes palëve, 27-vjeçari iu drejtua Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF. Kësisoj, që më 28 shkurt 2020 është marrë vendim i formës së prerë nga DHZK, duke i dhënë të drejtë lojtarit dhe urdhëruar klubin që të shlyejë detyrimin ndaj tij.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se bëhet fjalë për një shumë prej rreth 21 mijë eurosh, që tashmë Skënderbeu është i detyruar ta paguajë brenda 30 ditëve. /Demokracia.com

Të ngjashme