Skënder Hyseni e Donika Gërvalla – Schwarz, që të dy kanë bërë veprën e njëjtë penale. Megjithatë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë vetëm ndaj të parit, por jo edhe ndaj Ministres së Punëve të Jashtme.
Gjatë ditës së martë u konfirmua se ndaj Skënder Hysenit është ngritur aktakuzë, pasi që i njëjti në cilësinë e ish-koordinatorit shtetëror për dialog në Zyrën e Kryeministrit, nuk e kishte deklaruar saktë pasurinë, raporton Demokracia.com.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Hyseni gjatë kohës sa e kryente këtë detyrë, nuk e kishte deklaruar një veturë të tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, të cilën e posedonte bashkëshortja e tij.
Për këtë ai u akuzua se e ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Por, një vepër të ngjashme e ka kryer edhe një zyrtare e lartë publike që mban pozitë tejet të rëndësishme. Madje, nuk bëhet fjalë për çfarëdo pozite, por për hiç më pak se kryediplomate e shtetit.
Donika Gërvalla – Schwarz që udhëheq Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nuk e ka deklaruar saktë pasurinë gjatë vitit 2021, gjatë periudhës kur e ka marrë detyrën e saj të re.
Demokracia.com javë më parë kishte raportuar se Gërvalla i kishte fshehur dy biznese dhe pasurinë e burrit e të fëmijëve.
Ministrja e Qeverisë Kurti II ka një biznes në Gjermani në të cilin mban postin e drejtoreshës ekzekutive, si dhe drejton Fondacionin “Jusuf Gërvalla”.
Përveç kësaj, Gërvalla nuk e ka deklaruar pasurinë e bashkëshortit dhe as të anëtarëve të tjerë të familjes, anise kjo kërkohet në nenin 5 të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë.
Donika Gërvallës po i hetohet pasuria, fshehu biznesin në Gjermani
Deri më tani, nuk është konfirmuar prej prokurorisë se Gërvalla po hetohet nga institucionet e drejtësisë për veprën penale që e ka kryer.
Çfarë thotë Neni 430 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës?
Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare
1. Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, dhe i cili nuk bën një gjë të tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet. Vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni konsiderohet se është kryer kur deklarata nuk paraqitet brenda afatit për paraqitjen e deklaratës.
2. Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili bën deklaratë të rreme ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfill urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit.
3. Vlera e padeklaruar ose e deklaruar rrejshëm e pasurisë, të ardhurave, dhuratave ose të dobisë tjetër pasurore, konfiskohet./Demokracia.com/