Kosova ka shkëlqyer të mërkurën në mbrëmje kur mposhti Lituaninë me rezultatin 4:0, shkruan Demokracia.com.
Hero i mbrëmjes ishte Zeneli që shënoi dy gola ndërsa nga një realizuan Muriqi dhe Halimi.
Edhe pse për disa analistë në Kosovë, faktori kryesor i kësaj fitore ishte forma e dobët e rivalit, trajneri shqiptar Skënder Gega ia jep meritën totalisht përfaqësueses dardane.
I ftuar në platformën “Supersport”, Skënder Gega vlerësoi 11-shen kryesore të Challandes që sipas tij do ta kishin mundur Maqedoninë e Veriut në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve nëse do të luanin lojtarët më të mirë.
“Kosova ka një fizionomi të përcaktuar të lojës. Shihni mënyrën sesi kombinojnë me njëri-tjetrin. Nëse Kosova do të kishte edhe lojtarët më të mirë që e dërguan deri në “Play-Off” të Europianit, të jeni 100% të sigurt se do ta kishte mundur Maqedoninë.
Maqedonia nuk do të kishte asnjë shans me Kosovën, nuk do të bënte asnjë goditje në portë dot. Madje edhe me mungesat e Kosovës ka fituar “zvarrë”. Unë i kam pasur vetë disa futbollistë të Kosovës te U-21 i Shqipërisë. Shoh shumë transformim nga ana e tyre. Mentaliteti sesi luajnë futboll është europian, vetëm nga emri i dallon që janë shqiptarë”, u shpreh Gega. /Demokracia.com