Lajme
Skandaloze: Rezervat sekrete shtetërore i bën publike Rozeta Hajdari, në fundvit shpall tre tenderë milionësh për 2023
Demokracia
09:38 | 30 Nëntor 2023

Share:

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që drejtohet nga Rozeta Hajdari, ka shpallur tre tenderë të ndryshëm për furnizim me rezerva shtetërore. Përmes tyre do të blihet grurë, produkte të ndryshme ushqimore, batanije e thasë për fjetje.

Rezervat shtetërore që Qeveria e Albin Kurtit gjatë tërë këtij viti i ka quajtur sekrete, tash i ka zbuluar vetë.

Në fakt, ministria e Rozeta Hajdarit, e cila është përballur me skandalin për rezerva, ka shpallur tre tenderë për blerje të produkteve të ndryshme, shkruan Demokracia.com.

Përveç zbulimit të sekreteve shtetërore, i çuditshëm dhe i dyshimtë është fakti përse këta tenderë janë shpallur në fund të vitit dhe kanë për qëllim furnizimin për 2023, kur këtij viti vetëm edhe një muaj i ka mbetur kohë.

Ministria e Tregtisë ka treguar në detaje se çfarë furnizime do të bëhen.

Në tenderin për grurë është thënë se do të blihen 15000 ton. Kurse, vlera e kësaj blerje është mbi 3 milionë euro.

“Furnizim me grurë për nevojat e Rezervave Shtetërore për vitin 2023, 15000 ton. Vlera e parashikuar e kontratës 3,750,000.00 euro. Gruri duhet të jetë i përcjellë me certifikatën e cilësisë (Raport testues) lëshuar nga një Laborator i akredituar për fushën përkatëse nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit të Kosovës apo nga ndonjë Organ/Trup Shtetëror për Akreditim (organ i vetëm në një shtet i cili kryen akreditime me kompetenca që burojnë nga shteti). Certifikata (Raporti testues) duhet të prezantohet para komisionit të MINT dhe deponuesit të kontraktuar me rastin e liferimit të grurit”, thuhet në njoftimin e MINT-it.

 

Kurse, në tenderin tjetër për produkte agroushqimore, është paraparë të shpenzohen 227 mijë euro, shkruan Demokracia.com.

Edhe këtu është treguar me detaje se çfarë produkte do të blihen.

“Furnizim me produkte agroushqimore për nevojat e Rezervës Shtetërore. Vlera e parashikuar e kontratës: 227,500.00 euro. ORIZ 80.000 kg. VAJ USHQIMOR 65.000 litra. KONZERVA (Rrisk gjedhi) 80.000 copë 200 gram, UJË 15.000 bidona (10 litërsh)”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Tutje, tregohet edhe arsyeje e blerjes se këtyre produkteve.

“DRSHM ka nevojë për shtim të rezervave shtetërore për produktete agro[1]ushqimore me këta artikuj është me qëllim për të siguruar qytetarëve sasitë e domosdoshme në rast fatkeqësive natyrore apo lufte, dhe destinimi i buxhetit të DRSHM, sipas Programit vjetor të miratuar nga Qeveria”.

Tenderi i tretë i shpallur nga ministria që drejtohet nga Rozeta Hjadari ka të bejë me batanije dhe thasë për fjetje.

Për blerjen e tyre është paraparë të shpenzohen 16 mijë euro.

“Furnizim me batanije dhe thasë për fjetje për nevoja të Rezervave Shtetërore për vitin 2023. Vlera e parashikuar e kontratës: 16,000.00. Karakteristikat për thasë për fjetje: Madhësia : 70cm, Gjatësia 200cm. Mbushja: Fibër sintetike. Pesha e mbushjes: 150/g/m2 g. Materiali i jashtëm: Polister. Larja: 30 Gradë celsius. Karakteristikat për batanije. Dimensionet 200×150 cm. Përbërja lesh&pambuk. Kualiteti optimal per nevoja strehimi”.

Të gjithë këta tenderë janë paraparë të mbyllen brenda muajit dhjetor të këtij viti.

Gjatë këtij viti, Qeveria Kurti është përballur me skandalin e blerjes së rezervave shtetërore, ku për shkak të dallavereve ishte arrestuar edhe i ashtuquajturi ”kuzhinjeri” i Kurtit, Ridvan Muharremi, i cili ndonëse nuk është as zyrtar shtetëror, kishte ndërmjetësuar blerje për rezerva shtetërore, të cilat nuk kishin arritur në Kosovë me sasinë që ishte paguar.

Më 23 shkurt 2022, një ditë para se të niste invazioni i Rusisë në Ukrainë, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 10 milionë euro për “rritjen e rezervave shtetërore”.

Teksa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdonte me intenzitet të lartë në muajin mars, Qeveria e Albin Kurtit bash në atë muaj, përmes Ministrisë së Tregtisë kishte nisur të blinte grurë për rezerva shtetërore.

Në mars, ministria ka blerë 3 mijë tonë grurë nga një furnizues vendor.

Qeveria e Kosovës kishe blerë nga furnitori i brendshëm “Euro Ver” fiks 3 mijë ton, me një çmim total prej 1 milion e 647 mijë euro. Ose me 549 euro = 1 ton grurë. Në ndërkohë që çmimi mesatar në tregun vendor për një ton gjatë marsit ka qenë rreth 334 euro.

215 euro më shumë për një ton nënkuptonin se ishte dëmtuar buxheti i shtetit për 645 mijë euro.

Në muajin prill, ministria e drejtuar nga Hajdari bleu 7 mijë ton grurë. Por, ajo vendosi që ta importonte direkt nga kompanitë e huaja dhe vlera e gjithë kësaj ishte 3 milionë e 822 mijë euro.

Një ton grurë e ka paguar 546 euro, teksa çmimi real mesatarisht ka qenë 383 euro. Pra, 163 euro më shtrenjtë. Në total, Qeveria ka shpenzuar mbi 1 milion e 141 mijë euro më shumë sesa çmimi ekzistues në atë muaj në vende të ndryshme.

Për herë të tetë edhe sot (e enjte) do të tentohet konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Kjo, pasi ky konstituim i këtij Komisioni, ka dështuar shtatë herë radhazi, për shkak të bojkotimit të deputetëve të pozitës për të marr pjesë në mbledhje.

Bojkotimi i mazhornacës lidhet kryekëput me inatet ndaj opozitës pasi kjo e fundit nuk po i voton marrëveshjet ndërkombëtare. /Demokracia.com/

Të ngjashme