Lajme
Skandaloze | Pushteti i Albin Kurtit mbajti të fshehur lajmin për ngujimin e 40 minatorëve në Trepçë
Demokracia
21:33 | 10 Prill 2023

Share:

Ashensori i vjetruar i cili është në funksion që 60 vjet, nuk është në plan të ndërrohet apo të riparohet. Për shkak të një defekti të këtij ashensori, rreth 40 minatorë të minierës së Trepçës kanë qenë të ngujuar përreth 18 orë. Të njëjtit kanë dal në gjendje të mirë shëndetësore.

Daljen e tyre shëndoshë e mirë nga miniera e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Minatorëve të ndërmarrjes “Trepça”, Ibrahim Jonuzi.

“Të gjithë minatorët janë nxjerrë nga miniera. Janë 40 minatorë që kanë qenë të ngujuar të cilët kanë qëndruar përreth 18 orë në horizontet e minierës. Të gjithë kanë dalë shëndoshë e mirë pavarësisht shqetësimeve të vogla por gjendja e tyre është stabile dhe nuk kemi ndonjë informacion që dikush nga ta ka kërkuar trajtim të mëtejshëm”, ka thënë ai.

Ky ngujim sipas Jonuzit ka ndodhur për shkak të një defekti në ashensorin e minierës, i cili është i vjetruar. Ai ka theksuar se në mungesë të investimeve po hasin kohë pas kohe në vështirësi.

Edhe pse minatorët ishin ngujuar që nga ora 3 e mëngjesit, Qeveria e Kosovës sikur ka dashur ta mbajë të fshehur këtë incident, shkruan Demokracia.com.

Në anën tjetër, Ministria e Ekonomisë, dikaster ky që e ka nën përgjegjësi “Trepçën”, nuk e ka thënë asnjë fjalë për ngujimin e minatorëve deri në momentin që ata janë nxjerr nga aty.

“Të gjithë minatorët kanë dalë nga miniera e Stantërgut përmes ashensorit alternativ, ndërsa inxhinierët e Trepçës po punojnë për ta ndrequr ashensorin e stafit. Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, ndodhet në hyrje të minierës, bashkë me kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça” ShA, Enis Abdurrahmani, dhe anëtarët e bordit mbikëqyrës. Gjendja e minatorëve është e mirë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Ekonomisë pas daljes së minatorëve.

Jonuzi: Ashensori i vjetër 60 vjet

“Mjetet e punës janë të vjetra, për shkak të mungesës së investimeve, fokusi ka qenë jo i mirë edhe nga shteti, po vjen deri te problemet të kohëpaskohshme në ambientet e punës që në kohën e fundit kanë ndodhur shpesh por jo në këtë kohëzgjatje”, thotë Ibrahim Jonuzi.

Jonuzi ka potencuar që kredia e ofruar me rreth 20 milionë euro jep pak shpresë në përmirësimin e gjendjes.

Megjithatë, ai thotë se ashensori i vjetruar i cili është që 60 vite në funksion, nuk është planifikuar të ndërrohet apo riparohet.

“Çdo herë kemi bërë kërkesa për përmirësimin e kushteve por asnjëherë nuk kemi mundur t’i realizojmë kërkesat tona. Edhe qeveritë e mëparshme edhe kjo qeveri në kohën e fundit fatbardhësisht është ofruar një kredi rreth 20 milionë euro që jep njëfarë shprese sado pak të vogël që mund të përmirësohet gjendja por çka është më kryesorja në ashensorin elektrik nuk është e planifikuar ndërrimi apo riparim apo ndryshim shumë i madh. Ashensori është mbi 60 vite në funksion dhe nuk është në plan për momentin ndryshimi i tij”, shtoi ai.

Ai është shprehur i shqetësuar për shkak të gjendjes së përsëritur të defekteve teknike. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme