Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ditë më parë ka treguar për kërcënimet që ka marrë ditëve të fundit. Në raportimet e mediave rreth këtyre kërcënimeve, ajo ka marrë edhe komente ofenduese dhe njërin prej komenteve ofenduese e ka pëlqyer edhe këshilltarja e presidentes Osmani, Rejhan Vuniqi.
Deputetja Musliu në një emision kishte deklaruar se ka marrë kërcënime të rënda shumë herë, të cilat i kishte lajmëruar në polici. Megjithatë, ajo ka shtuar se nuk e ka parë të arsyeshme të punësojë truproje, raporton Demokracia.com.
Kjo deklaratë e saj më pas është publikuar nga media të ndryshme në Kosovë.
Megjithatë, një faqe në Instagram, “Komente_epikeshqip”, ka publikuar një prej komenteve ofenduese kundër Musliut në këtë deklaratë, duke e kategorizuar si “epik”.
Edhe, çuditërisht, në mesin e shumë adoleshentëve që e kanë pëlqyer këtë koment është edhe Rejhan Vuniqi, aktualisht këshilltare e presidentes Vjosa Osmani.
Kjo shihet edhe në Instagram, ku emri i Rejhan Vuniqit figuron te pëlqimet e këtij postimi.
Demokracia.com e ka kontaktuar Vuniqin lidhur me këtë çështje, por kjo e fundit nuk është përgjigjur.
Vuniqi ka qenë edhe zëvendësministre e MPJ-së dhe anëtare e kryesisë së AKR-së, por para se të bëhej këshilltare e Osmanit, ajo sipas burimeve brenda MPJ-së kishte krijuar shoqëri të madhe me diplomatin Prindon Sadriu, i cili është edhe bashkëshorti i presidentes Osmani.
Zyra e Presidentit do të duhej të ishte shembull i mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të drejtave të grave, duke i mbrojtur ato nga kërcënimet dhe jo i pëlqimit të komenteve ofenduese ndaj deputeteve gra të Kuvendit të Kosovës. /Demokracia.com/