Një sjellje e paprecedentë e institucionit të Presidencës së Republikës së Kosovës ka ndodhur nga ana e kabinetit të presidentes Vjosa Osmani. Dikush nga kabineti i Osmanit i ka replikuar gazetarit Ridvan Berisha, duke e kërcënuar se do ta çojnë në gjyq.
“Shpifjet e nivelit të tillë ne i marrim shumë seriozisht. Përballja me ligjin është përgjigja finale”, thuhet decidivisht në komentin e faqes zyrtare të Presidencës, si kundërreagim ndaj gazetarit Berisha.
Komenti i natyrës së paprecedent është parë në reagimin e vetë Presidencës, e cila ka kundërshtuar deklarimin e gazetarit Berisha për përfshirje të Osmanit në rastin e ish-policit Dejan Pantiq.
“Deklarata e sotme e Ridvan Berishës gjatë emisionit “Politiko” në Kanal 10, kinse Presidentja Osmani është implikuar në rastin “Pantiq”, është gënjeshtër, sajim dhe shpifje e paprecedentë. Presidentja Osmani në asnjë rast dhe në asnjë situatë nuk interferon në punën e organeve të drejtësisë. Këtë NUK e ka bërë as në rastin “Pantiq””, thuhet në reagimin e Presidencës, që më shumë i ngjan një reagimi politik sesa atij institucional.
Në këtë reagim, është bërë e ditur se Osmani do të nisë rrugë ligjore ndaj Berishës.
Berisha i është kundërpërgjigjur stafit të Osmanit duke thënë se “mezi pret ta ketë fjalën në gjyq”.
“Ne demokraci jemi, ku pushtetet jane te ndara e nderurar Vjosa Osmani, operoje me informacione mbi rastin. Ligjin nuk mund ta konsumoni per frikesim, e dini mire qe fare nuk perluem perpara jush megjithe pushtetin qe e keni. Qetesohuni znj presidente ju e Bekim Kupina, keshilltari grindavec i juaji. Finalen natyrisht se mezi pres ta kemi ne gjyq!”, ka deklaruar gazetari. /Demokracia.com/