Në komunën e Prishtinës nuk po ndalen telefonat mobilë gjatë gjithë ditës. Kështu mund të konstatohet, nëse shikohen shpenzimet që po paguan komuna për këtë shërbim, shkruan Demorkacia.com.
Gati sa për krejt vitin, vetëm në muajin e kaluar ka paguar Drejtoria e Administratës së Komunës së Prishtinës para për telefoninë mobile.
Fiks 21,429.06 euro është pagesa për nëntor që ka bërë Komuna e Prishtinës. Kjo shifër rezulton nga raporti për shpenzimet e muajit nëntor të Komunës së Prishtinës, i hartuar nga Drejtoria e Financave.
Demokracia.com e ka parë këtë raport dhe pos kësaj shume, aty shihet se për telefoninë mobile kanë shpenzuar edhe dy drejtori të tjera, ajo e Shëndetësisë ka shpenzuar 507.37 euro dhe Shërbimet Sociale dhe Rezidenciale 202.04 euro.
Demokracia.com ka parë edhe raportet veç e veç të shpenzimeve për muajt e tjerë.
Në muajin tetor, shpenzime nga Drejtoria e Administratës për telefoninë mobile figurojnë vetëm 262.39 euro. Në shtator 542.86 euro, në gusht 7,633.05 euro, në korrik 648.36 euro, ndërsa në qershor 6,566.17.
Në muajin maj, Administrata ka shpenzuar më së pakti për telefoninë mobile, fiks 190.61 euro. Në prill, nuk ekziston asnjë kod i pagesës të jetë bërë në emër të telefonisë mobile për administratën.
Edhe në mars të këtij viti, pagesa ka qenë 6,573.82 euro dhe e njëjtë ka qenë edhe në shkurt në vlerë prej 6,502.25 euro.
Për mujin janar të këtij viti, raporti nuk ka të dhëna tabelore për shpenzimet komunale. /Demokracia.com/