Lajme
Skandali i tenderit të KOSTT-it: Çmimi i mirëmbajtjes së veturave rreth 400% më i lartë se planifikimi
Demokracia
12:38 | 18 Qershor 2024

Share:

Ndërmarrja Publike KOSTT po përgatitet të lidh një kontratë që pritet të dëmtojë ndjeshëm buxhetin e saj. Tenderi për mirëmbajtjen e tetë veturave, i shpallur nga KOSTT dhe fituar nga një konsorcium vendor, ka një vlerë të ofruar prej 240,811.70 euro, katër herë më të lartë se vlera e parashikuar prej 48,000 euro për tri vite. Ky është një nga rastet e rralla në prokurimet publike, ku oferta fituese e kalon ndjeshëm vlerën e parashikuar të kontratës, duke ngritur dyshime për keqpërdorime dhe manipulime të mundshme në procesin e tenderimit, shkruan Demokracia.com.

“Servisimi dhe mirëmbajtja e automjeteve të llojit DEFENDER dhe NISSAN”, quhet tenderi për të cilin është shpallur fitues konsorciumi i vetëm në garë “LTG Kosova” L.L.C.; “Prishtina Auto” L.L.C. Kontrata do të jetë e llojit kornizë për 36 muaj dhe çmimi i ofruar është në vlerë prej 240,811.70 eurosh i poentuar.

Vlera e parashikuar e kontratës, në ‘njoftimin për kontratë’, në ‘dosjen e tenderit dhe të specifikat teknike’ është fiks 48 mijë euro për tri vite ose 16 mijë euro për një vit.

Ky është ndër rastet e rralla në prokurimet publike që oferta fituese e ka lënë për një shumë kaq të madhe parashikimin për kontratë.

Procedura e prokurimit është realizuar me ‘çmimin e poentuar’ dhe nuk është i njëjti rast sikur të tenderët me ‘çmimin më të lirë’.

Çka i bie kjo dhe ku është mashtrimi në këtë rast?

Fillimisht, KOSTT-it i është shfaqur nevoja për riparimin e veturave dhe ka hapur tender më 29 prill. Kjo ndërmarrje publike për të realizuar tenderin ka vendosur 395 artikuj në paramasë. Pra, kaq ka qenë numri i krejt shërbimeve që mund të prishen në një veturë. Psh, filtër i ajrit, amortizatori i pasëm, spona e shkurtër dhe në fund të gjitha këto e kanë arritur numrin 395. Ndërmarrja ka kërkuar nga kompanitë që të qesin çmimin në secilin artikull dhe në fund kur të mblidhen, fitues do të nxirrej ai që ka ofruar më lirë.

KOSTT-i, pasi ka parë çmimet e tregut për të gjithë artikujt e ka vendosur një vlerë të përafërt të tregut. Vlera e të cilës ka qenë 48 mijë euro. Pra, kaq ka qenë shuma që kompania ka vendosur pasi ka konsideruar se dalin nga krejt sasitë e vendosura aty. Por, çudia këtu është se kompanitë fituese, kur u janë mbledhur çmimet që kanë vendosur për secilin artikull, në fund u ka dalë çmimi 240 mijë euro.

A ia huqi KOSTT kur e nxori shumën 400 për qind më të ulët apo kompania vendosi çmime mashtruese? Kjo do të mund të vërtetohet vetëm pasi të publikohet kontrata dhe aty të shihen se çfarë çmimesh ka vendosur kompania.

Pra, në këtë tender është përdorur procedura me ‘poentim të çmimit’. Një nga format më të shpeshta të keqpërdorimeve është përdorimi i kësaj procedure, ku autoriteti kontraktues “nuk e di” sasinë e artikujve dhe vendosë sasinë 1 për secilin artikull. Pastaj përmes poentimit të çmimit është vendosur për fituesin e kontratës dhe artikulli porositet sipas nevojës.

Dyshimet e para janë se kompania ka vendosur çmime mashtruese për shkak se e dinë se cilët artikuj mund t’i porosisë ndërmarrja publike dhe në ata ka vendosur çmime jashtëzakonisht të larta, ndërsa në artikujt që nuk do të porositen ka vendosur çmime jashtëzakonisht të ulëta. Kontrata do të ndalet në momentin që do të preket parashikimi i kontratës së KOSTT-it në vlerë prej 48 mijë euro, ndërsa pagesat do të bëhen çdo herë për një artikull të porositur.

Demokracia.com në javën e kaluar i ka dërguar disa pyetje lidhur me këtë tender Kompanisë KOSTT, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje,

Në janar të vitit 2021, KOSTT kishte lidhur një kontratë kornizë krejt të ngjashme për servisimin dhe mirëmbajtën e veturave të llojit Defender dhe Nisan. Vlera parashikuar e kontratës ka qenë 38 mijë euro, kurse kontrata ishte lidhur në vlerë prej 61, 213,28, çmimi për njësi.

Në rastin e vlerësimit të ofertave, ku më pas është lidhur kontratë me kompanitë, ndërmarrja ka vepruar në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, konkretisht me nenin 61, që ka të bëjë me “çmimin jo normalisht i ulët” dhe “çmimin jo normalisht të lartë”.

Kurdo që AK ka për qëllim të lidh një “kontratë me çmime njësi”, në përputhje me nenin 56.15 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik, në hapje publike të ofertave lexohet çmimi total i poentuar (peshuar), i cili shërben vetëm për qellim të vlerësimit të ofertave. Ndërsa, “Kontrata lidhet me çmime për njësi”, prandaj autoriteti kontraktues duhet t’i ekzaminojë me kujdes të shtuar çmimet për njësi dhe në rast se dyshon se tenderuesi ka ofruar çmime jo normalisht të ulëta apo jonomalisht të lartë në një apo më shumë artikuj/pozicione, duhet të veprojë në përputhje me nenin 61 të LPP-së dhe nenin 4 të Rregullave për çmime jo-normalisht të ulëta.

Po ashtu, çmimi i vendosur aty është në kundërshtim me nenin 6 të LPP-së “Ekonomiciteti dhe Efikasiteti”.

“1. Të gjitha autoritetet kontraktuese janë të obliguara që të sigurojnë që fondet publike dhe burimet publike të përdoren në mënyrën më ekonomike, njëkohësisht duke marrë në konsideratë qëllimin dhe lëndën e prokurimit.

  1. Fondet publike dhe burimet publike që janë ofruar ose që janë vënë në dispozicion sipas një kontrate publike mund të përdoren vetëm nga kontrata e tillë dhe vetëm për qëllimet e të njëjtës”, thotë ky nen, përcjell Demokracia.com.

Duke marrë parasysh, numrin e konsiderueshëm të automjeteve të prodhuesit: LANDROVER (5 copë), NISSAN (2 copë) dhe FORD (1 copë).

Në kuadër të Autoparkut të KOSTT-it, aktualisht ndodhen në qarkullim automjete dhe mjete transportuese (8 copë), të gjitha në gjendje të rregullt teknike (të regjistruara), me mirëmbajtje solide, si:

  1. “DEFENDER 2.5-130” (1 copë);
  2. “FORD Transit 1+12” (1 copë);
  3. “NISSAN” (1 copë);
  4. “NISSAN NAVARA” (1 copë);
  5. “DEFENDER 2.2-110” (2copë);
  6. “DEFENDER 2.2-130” (2 copë);

KOSTT SH.A. është Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, kompani publike me 100 % të aksioneve shtetërore. KOSTT menaxhon Sistemin e Transmetimit të Republikës së Kosovës, duke operuar me nivele të tensionit të lartë 400 kV, 220 kV dhe 110 kV. Sistemit të transmetimit i përkasin edhe transformatorët e ndërlidhur me rrjetin e shpërndarjes: 220/ 35/10 kV dhe 110/35/10(20) kV. Përgjegjësi e KOSTT është që në mënyrë të sigurt dhe të besueshme të transmetojë energjinë elektrike nga njësitë e gjenerimit deri te sistemi i shpërndarjes, 24 orë në ditë. /Demokracia.com/

Të ngjashme