Lajme
Skandali i korrupsionit në Parlamentin Evropian, arrestohet eurodeputeti belg, Marc Tarabella
Demokracia
09:07 | 11 Shkurt 2023

Share:

Hetimet për skandalin e korrupsionit që përfshiu Parlamentin Evropian ka rezultuar në një arrestim të ri: Marc Tarabella, eurodeputeti belg i lidhur më parë me grupin socialist.

Një kasafortë bankare në Liege që i përket ligjvënësit dhe disa zyre brenda bashkisë së Anthisnes, gjithashtu u kontrolluan prej autoriteteve policore.

Tarabella tani pritet të dal para një trupe gjykuese, e cila mund të vendosë ta lirojë ose t’i ngrit aktakuzë, konfirmoi Zyra e Prokurorisë Federale belge për Euronews, pa specifikuar akuzat e mundshme me të cilat mund të përballet. Që kur emri iu përfshi në skandal, Tarabella ka pohuar vazhdimisht se është i pafajshëm.

Ligjvënësit evropianë gëzojnë imunitet nga paraburgimi dhe procedurat ligjore, por Tarabella e humbi këtë privilegj javën e kaluar pasi kolegët e tij votuan për t’i hequr këtë mbrojtje të veçantë. Edhe vetë Tarabella votoi për heqjen e imunitetit të tij.

Edhe eurodeputeti italian, Andrea Cozzolino u privua nga mbrojtja gjatë të njëjtit votim.

Që nga shpërthimi i skandalit në mes të dhjetorit, katër persona janë akuzuar zyrtarisht: eurodeputetja greke Eva Kaili, partneri i saj, Francesco Giorgi, ish-deputeti Pier Antonio Panzeri dhe drejtori i OJQ-së Niccolo Figa-Talamanca.

Të katërtit akuzohen për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, korrupsion dhe pastrim parash.

Kaili, Giorgi dhe Panzeri mbeten në burg, ndërsa Figa-Talamanca u lirua në fillim të këtij muaji pa kushte.

Hetimi po shqyrton lobimin e paligjshëm që dyshohet se është kryer nga Katari dhe Maroku në një përpjekje për të ndikuar në vendimmarrjen e BE-së. Si Katari ashtu edhe Maroku i mohojnë me forcë pretendimet.

Lobimi i supozuar përfshinte “shuma të mëdha” parash dhe dhurata “të konsiderueshme”, thanë prokurorët. Mbi 1.5 milion euro janë sekuestruar gjatë dhjetëra bastisjeve të policisë.

Të ngjashme