Lajme
Skandali financiar| Berishaj pa pikë turpi flet në Prishtinë: Jam i lumtur që e përfaqësoj Kosovën
Demokracia
12:29 | 26 Janar 2023

Share:

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili është përfshirë në një aferë financiare rajonale, i ka mohuar të gjitha raportimet lidhur me skandalin në të cilin përflitet emri i tij.

Në prag të nisjes së Forumit Ekonomik në Prishtinë, Berishaj ka thënë se raportimet për përfshirjen e tij në një aferë janë qëllimkëqija.

Thotë se është krenar për përfaqësimin e Kosovës si ambasador në Kroaci.

“Unë jam shumë i gëzuar dhe shumë i respektuar që e përfaqësoj qeverinë e Kosovës si ambasador, shtetin e Kosovës dhe shtetin e Kroacisë. Këto spekulime mediale janë spekulime të drejtuara nga unë, kanë një prapavijë politike Ato kanë vetëm një qëllim, të denigrohet personaliteti im, imazhi i Kosovës, të bahen çështje që nuk i ka hije, të futen marrëdhëniet e shkëlqyeshme të shtetit kroat, njerëzit që kanë dëshirën me bë emër në emër të tjetërkujt. Besoj se këta shpifës do të dalin para drejtësisë”, tha Berishaj.

Të gjitha spekulimet, Berishaj thotë se i hedh poshtë.

“Mendoj se është shumë me rëndësi në këtë rast të flasim më tepër për aktivitetet e këtij forumi. Duhet të them që këto spekulime që janë bërë, i hedh poshtë dhe ato kanë vetëm një qëllim – ta denigrojnë personalitetin tim, imazhin e Kosovës. Këta shpifësa besoj se do të dalin para gjyqësisë”- shtoi Berishaj.

E gazeta sllovene “Prava” javë më parë ka botuar një artikull të gjatë, ku hulumtohen lidhjet e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, me kompaninë sllovene, GEN. Sipas gazetën “Prava”, dyshohet se ambasadori Berishaj është paguar nga GEN-i, teksa raportohet edhe për kompaninë e Berishajt, që e mban emrin “MB Consulting”. Madje aty theksohet se ambasadori kosovar ka tërhequr 600 mijë euro para të thata (cash) në vitet 2019 dhe 2020.

Në hulumtimit e titulluar “Si e paguan Martin Berishajn nga kompania sllovene GEN-I! Ku përfunduan gati 100 milionë euro”, theksohet se ambasadori i Kosovës ka përfituar qindra mijëra euro në mënyrë të dyshimtë. Në fakt, gazeta shkruan se nëpërmjet operacioneve akrobatike të kontabilitetit, kompania sllovene, GEN, me filialet e saj në Beograd, Sarajevë e Tiranë, i ka mbuluar gjurmët e gati 100 milionë eurove.

Nga këto 100 milionë euro, për të cilat raporton Prava, 60 milionë janë transferuar në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa miliona të tjera në filialin e GEN-it në Beograd e Tiranë.

Të ngjashme