Ministria e Punëve të Jashtme ka hapur një tender në vlerë të 300 mijë eurove për shërbimet postare diplomatike. Ky tender është hapur pasi në fundit të vitit të kaluar ishte anuluar një i tillë. Gjatë vitit që lamë pas pikërisht për këtë tender MPJ ishte përfshirë edhe me një skandal.
Ministria e Punëve të Jashtme e udhëhequr nga Donika Gërvalla, është futur në një krizë të thellë për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme në sigurimin e një kompani për shërbimet postare diplomatike, që janë jetike për pajisjen e qytetarëve me dokumente udhëtimi.
Pas anulimeve të tenderëve të mëparshëm dhe pamundësisë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, MPJD-ja është detyruar të hapë një tjetër tender, duke shkurtuar përsëri afatet për aplikim, shkruan Demokracia.com.
Ministria ka deklaruar se nevoja për këto shërbime është urgjente, pasi aktualisht është pa kontratë dhe kërkesat për dokumente udhëtimi, veçanërisht nga diaspora, janë gjithnjë në rritje.
“Momentalisht jemi pa kontratë dhe nevoja për këto shërbime është e madhe. Kemi kërkesa të shumta për pajisje me dokumente të udhëtimit ku përmes kësaj lehtësohet lëvizja e qytetarëve tonë në theks të veçantë diaspora”, thuhet në arsyetimin e dhënë.
Afati për dorëzimin e ofertave është shkurtuar në mënyrë të përsëritur, duke e ulur atë ndjeshëm nga standardi ligjor prej 40 ditësh në vetëm disa ditë, me arsyetimin se “emergjenca” dikton veprime të shpejta.
Kjo praktikë jo vetëm që ngushton konkurrencën, por edhe thellon dyshimin mbi transparencën dhe menaxhimin e këtij procesi.
Në njoftimin e shpallur për tënder thuhet se krejt procesi duhet të kryhet deri më datën 24 të këtij muaji.
“Shërbime postare diplomatike. Vlera e parashikuar e kontratës: 300,000.00 euro. Data e përgatitjes së njoftimit: 08.01.2025. Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve: data 24.01.2025. Afati kohor për dorëzimin e tenderëve / aplikacioneve është shkurtuar”.
Në të kaluarën, MPJD-ja ka dështuar të finalizojë disa tenderë për të njëjtat shërbime, ndërsa situata aktuale rrezikon të krijojë një boshllëk të mëtejshëm në ofrimin e shërbimeve diplomatike dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, përfshirë diasporën.
Në muajin dhjetor të vitit të kaluar Demokracia.com kishte raportuar se si MPJD është drejt dështimit të plotë, pasi shërbimet postare diplomatike mbeten në krizë për shkak të anulimit të tenderit.
Demokracia.com ka raportuar po ashtu se tenderi për “Shërbimet Postare Diplomatike” që u hap në nëntor i ishin shkurtuar afatet për aplikim nga ana e kompanive të interesuara për shkak të emergjencave të shkaktuara.
Sipas Ligjit të Prokurimit Publik (LPP), afati për dorëzimin e ofertave për tenderët e mëdhenj është 40 ditë. Megjithatë, MPJD-ja ka shkurtuar këtë afat në 16 ditë, duke thënë se ofertat do të hapen më 29 nëntor. Ministria ka justifikuar këtë veprim, duke theksuar kërkesën e madhe për pajisje me dokumente udhëtimi, të cilat janë të domosdoshme për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë, veçanërisht të diasporës.
Gjithashtu Demokracia pati raportuar në muajin tetor të vitit 2024 se si një skandal kishte shpërthyer në Ministrinë e Jashtme dhe Diasporës së Kosovës – MPJD. Afro 1000 pasaporta diplomatike nuk kanë shkuar tek personat që i kanë porositur ato në muajt e fundit nga kompania: A.L. DUSHI SH.P.K. e kontraktuar nga ministria e Gërvallës.
Në tenderin e shpallur së fundmi, pra në fillim të këtij viti MPJD-ja ka treguar edhe specifikat teknike të detyrueshme për kompaninë fituese.
“OE qe do te barte kontratën është i obliguar qe te bëjë dërgimin e dërgesave edhe nga shtetet ku posedojmë Misione Diplomatike/Konsullore ne Kosovë si dhe brenda përbrenda Shtetit ku kemi Misione Diploamtike/Konsullore, dmth duhet te këtë një Kod qe është unik dhe qe vlejnë ne te gjitha shtetet pasi qe pagesa e shërbimit behet nga Kosova si për faturat e export-it po ashtu edhe për ato te Import-it. OE duhet te dorëzoj një listë ku behet klasifikimi i shteteve ne zona si dhe koha e dërgesave për secilin shtete apo zonë – Origjinal – Obligative”./Demokracia.com/.