Lajme
Skandal: “Supermenat” e Ministrisë së Shëndetësisë e ndërrojnë udhëzimin brenda natës, dyshohet se e prek tenderin 7 milionësh
Demokracia
18:11 | 06 Mars 2023

Share:

Ministria e Shëndetësisë është treguar “efikase” në nxjerrjen e një udhëzimi administrativ, duke e thyer madje edhe një rekord. Në tetor të vitit 2022, MSh-ja e kishte themeluar komisionin, i cili e në të njëjtën ditë e kishte përgatitur udhëzimin, i cili u nënshkrua një ditë pas nga Dafina Gexha – Bunjaku, atëbotë ish-ushtruese e detyrës e ministrit të Shëndetësisë. E gjithë kjo, sipas njohësve të ligjit, është absurde dhe ilegale. Madje, shoqëria civile vë në dyshim gjithë këtë proces.

Më 20 tetor të vitit 2022, sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, kishte nxjerrë një vendim, me të cilin ishte formuar një ekip mbështetës për të hartuar dhe finalizuar projektudhëzimin administrativ “Për thjeshtësimin, regjistrimin dhe importin e produkteve medicinale, të cilat nuk kanë paralele të regjistruara në Republikën e Kosovës”. Një ditë më vonë, pra më datë 21 tetor 2022, udhëzimi ishte përfunduar e madje nënshkruar nga Gexha-Bunjaku, ushtruese e detyres e ministrit në MSh.

Në përgjigjen e tyre për gazetën Nacionale, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se e gjithë kjo u bë me lejen e kryeministrit Albin Kurti. Tutje, aty theksohej se tejkalimi i procedurave është bërë për shkaqe të emergjencës së dëshmuar, duke mos dhënë informacion më të saktë se për çka është fjala.

“Ministria e Shëndetësisë në bazë të nenit 33 i Rregullorës Nr. 09/2011 – të punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës ka kërkuar nga Kryeministri që të tejkalohen procedurat e hartimit të akteve nënligjore për shkak të nevojës emergjente për reagim ndaj situatës aktuale që vë në rrezik shëndetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Pas dhënies së pëlqimit nga Kryeministri për tejkalim të procedurave të parapara për plotësim ndryshimin e UA për shkak të emergjencës së dëshmuar, është nxjerrë Udhëzimi Administrativ (shëndetësi) nr. 01/2022 për thjeshtësimin e procedurave për regjistrimin dhe importin e produkteve medicinale që nuk kanë paralele të autorizuara në Republikën e Kosovës.” – theksohej aty.

Nacionale e pyeti Ministrinë e Shëndetësisë të sqaronte se për çfarë emergjence të dëshmuar është fjala, por e njëjta nuk ofroi asnjë dëshmi.

“Lidhur me pyetjen tuaj, luteni që t’i referoheni RREGULLORES Nr. 09/2011 E PUNËS SË QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS , konkretisht neni 33 i kësaj rregullorje.” – theksohej në përgjigjen e dytë të MSh-së.

Absurditeti ligjor…

Përveç kohës rekorde të nxjerrjes së këtij udhëzimi administrativ, Ministria e Shëndetësisë ke vendosur që udhëzimi të ketë edhe ndikim prapaveprues. Në nenin 8 të udhëzimit theksohet se “Ky Udhëzim vlen edhe për të gjitha aplikimet që janë në proces”, duke i dhënë fuqi retroaktive.

Durim Berisha, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti dhe njohës i drejtësisë, theksoi për Nacionalen se një gjë e tillë është absurde dhe e kundërligjshme.

“Është parim dhe rregull i njohur në drejtësi se aktet juridike nuk mund të kenë veprim prapaveprues. Në rastin konkret, me aq sa unë kam informacione, është vendosur që ky UA të zbatohet edhe në procedurat që veçse janë në zhvillim e sipër. Kjo përpos që është absurde, është edhe juridikisht e pamundshme. Prandaj më e pakta që Ministria e Shëndetësisë duhet të bëjë, është ta anulojë atë dispozitë të UA që qartazi është e paligjshme.” – tha Berisha në përgjigjën e tij.

Ndërsa, Kenan Gashi, drejtor i rrjetit të OJQ-ve “Avonet”, theksoi se ky udhëzim e kufizon konkurrencën, duke e favorizuar monopolin. Tutje, ai tha se udhëzimi i përpiluar brenda natës, ka shumë mangësi.

“Ky udhëzim e kufizon konkurrencën, favorizon monopolin dhe privon qytetarët nga e drejta e tyre për t’u furnizuar me produkte të cilat po qarkullojnë në vendet e BE-së dhe nuk kanë paralele të regjistruara në tregun tonë. Udhëzimi Administrativ 01/2022 për thjeshtësimin e procedurave për regjistrimin dhe importin e produkteve medicinale që nuk kanë paralele të autorizuara në Republikën e Kosovës, praktikisht rezulton të jetë i pazbatueshëm. Meqenëse është përpiluar brenda natës, ka shumë mangësi jashtëzakonisht, dhe kundërshtime brenda nenëve të këtij udhëzimi paraqitet dukuria retroaktive, që në praktikën e drejtësisë nuk mund të shfaqet në këtë mënyrë.” – deklaroi Gashi.

Madje, z. Gashi vlerësoi se udhëzimi i “natës” e ka penguar edhe aktivitetet e prokurorimit, duke përmendur rastin e tenderit të insulinave.

“Udhëzimi Administrativ, pos që është nxjerrë brenda një afati prej 12 orëve, në këtë Udhëzim Administrativ nuk ka pasur mundësi të komentohet nga palët, dhe as afatet ligjore për diskutim nuk janë ndjekur. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi ky Udhëzim Administrativ është nxjerrë në një periudhë kur po zhvillohet një aktivitet i prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë, ku ky Udhëzim Administrativ është pengesë në finalizimin e aktivitetit të prokurimit, i njohur si “Tenderi i Insulina”.” – përfundoi z. Gashi.

Kujtojmë që tenderi për insulinat është anuluar nga Ministria e Shëndetësisë, përkundër që Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte obliguar të respektojnë tenderin e dhënë, gjë të cilën MSh e kishte paditur OBSh. Për këtë çështje, Kurti nuk ishte përgjigjur.

Sa i përket vendimit të OSHP-së, ne si Qeveri e Republikës nuk preferojmë t’i komentojmë vendimet e organeve shtetërore. Presim që zbatimi i ligjit dhe i rregullave të jetë në shërbim interesit publik.” – ishte shprehur Kurti.

Ndryshe, Gjykata e Apelit së fundmi e ka konfirmuar vendimin e shkallës së parë, duke e rrëzuar padinë e MSh-së ndaj OShP-së rreth tenderit 7 milionësh të insulinave.

Të ngjashme
Lajme • 19 Maj 2025