Lajme
Skandal në Slloveni: Kryeshefi i IPKO-s gjobitet për herë të tretë pasi iu shmang paraqitjes para komisionit hetimor parlamentar
Demokracia
21:03 | 30 Mars 2022

Share:

Tre punonjës të Telekomit slloven, Ajda Brlec, Tomaž Seljak dhe Cvetko Sršen, nuk janë paraqitur as javën e kaluar në seancën e komisionit hetimor parlamentar, për të dëshmuar rreth dyshimeve për financimin e paligjshëm të SDS-së në Slloveni, gjatë zgjedhjeve të vitit 2018. Tomaž Seljak është kryeshefi i ri ekzekutiv i IPKO’s.

Në Slloveni po vazhdon të bëjë bujë afera e Telekomit Slloven, që dyshohet se financoi jashtëligjshëm në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Kombëtar të Sllovenisë në vitin 2018.

Telekomi Slloven, e cila ka në pronësi 100% IPKO’n në Kosovë, dyshohet se jashtëligjshëm financoi në fushatën zgjedhore të Partisë Demokratike të Sllovenisë (SDS), partia e kryeministrit Janez Jansha.

Për aferën e dyshimtë ndaj Telekomit Slloven, krahas trajtimit të rastit nga Gjykatat, po hetohet edhe nga një komision hetimor parlamentar i krijuar nga parlamenti slloven -Asambleja Kombëtare e Republikës së Sllovenisë. E para këtyre të fundit, javën që shkoi ishte thirrur për tu paraqitur edhe Tomaž Seljak, kryeshefit ekzekutiv të IPKO’s në Kosovë, bashkë me dy punonjës tjerë të Telekomit Slloven, Ajda Brlec dhe Cvetko Sršen, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Por, Seljak dhe dy të tjetër nuk u paraqitën para komisionit hetimor parlamentar. Dhe kjo ishte hera e tretë që po ndodhë një gjë e tillë.

Anëtarët e komisionit hetimor parlamentar të Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, gjatë punimeve në seancën e fundit
E sipas anëtarëve të komisionit hetimor parlamentar, treshja punonjës të Telekomit Slloven, përfshirë edhe kryeshefi ekzekutiv i IPKO-s në Kosovë, qëllimshëm po i shmangen dhënies së dëshmive të tyre. Për këtë, mediat në Slloveni raportojnë se komisioni ka lëshuar kërkesë nga institucionet e sigurisë për sjellën e tyre me forcë nga Policia në komisionin hetimor parlamentar. Megjithatë, komisioni ka parë vështirësi në sigurimin e paraqitës së kryeshefit ekzekutiv të IPKO’s, Tomaž Seljak, për faktin se ai ndodhet jashtë shtetit slloven, në Kosovë.

Madje, anëtaret e komisionit mungesën për herë të tretë për tu paraqitur në këtë komision e quajtën “tallje me komisionin”.

“Diçka po i vjen erë e keqe këtu, që do të thotë se kemi hasur në një çështje shumë të rëndësishme që ata nuk duan të zbulohet”, tha deputeti slloven, Jani Möderndorfer, nënkryetar i komisionit hetimor, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Përveç urdhrit për sjelle nga policia, të tre dëshmitarët janë gjobitur për mungesën e tyre, shkruajnë mediat sllovene.

Tomaž Seljak u emërua Kryeshefi Ekzekutiv i IPKO-s që nga nëntori i vitit 2021. I kontaktuar përmes zyrës për marrëdhënie me publikun të kompanisë IPKO, zyrtarja Afrika Zyferi, ka mohuar se ndaj tij është ngritur ndonjë procedurë në Slloveni.

“Keni informacion të pasaktë, pasi ndaj Tomaž Seljak nuk është ngritur asnjë procedurë – ai nuk është nën hetim nga komisioni parlamentar dhe as nga ndonjë institucion tjetër”, tha ajo të mërkurën për Gazetën Online Reporteri.net.

Tutje, ajo shpjegoi edhe vetë se Tomaž Seljak u ftua nga Asambleja Kombëtare e Republikës së Sllovenisë “si dëshmitar dhe jo si person nën hetim”.

“Për t’ju dhënë një perspektivë të plotë, duhet të shpjegojmë sa vijon: Asambleja Kombëtare e Republikës së Sllovenisë ka disa komisione hetimore; këto komisione synojnë vendosjen e përgjegjësisë politike”, tha ajo nder tjera.

E mungesën të Seljak në thirrjen e fundit për paraqitje në komisionin hetimore, Zyferi nga IPKO e arsyetoi duke thënë: “Megjithatë, z. Seljak mori ftesën për mbledhjen e cila u mbajt më 22 mars disa ditë pasi takimi ishte mbajtur”.

“Megjithatë, duhet të ripërsërisim: Tomaž Seljak nuk është nën hetim nga asnjë komision parlamentar dhe nuk është objekt i ndonjë procedure. Ai ishte ftuar vetëm si dëshmitar. Çdo pretendim tjetër është thjesht i pavërtetë”, i tha ajo me e-mail, Gazetës Online Reporteri.net.

Ndryshe, ajo çfarë mori vëmendjen e anëtarëve të komisionit hetimor parlamentar ndaj pretendimeve të ngutura për Telekomit Slloven ishte angazhimi i një avokati nga ana e tre dëshmitarëve që u theksua se “nuk është shumë e zakonshme që dëshmitarët të kenë avokatin e tyre përpara një komisioni”.

Avokati, para fillimit të seancës së komisionit hetimor parlamentar, u ka dërguar një letër atyre ku u kërkoi largimin e tyre nga procesi.

Nga ana tjetër, Telekomi Slloven kanë sqaruar për marrëdhënien e punës dhe angazhimin që kishin tre punëtorët e përmendur, përfshirë kryeshefin e IPKO’s, gjatë periudhës kur dyshohet që ka ndodhur afera.

“Në të njëjtën kohë, sqarojmë më tej se një komision hetimor i posaçëm po merret me konstatimin e parregullsive në periudhën deri në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Kombëtar në vitin 2018. Dy nga ta ishin të punësuar që nga dhjetori 2019 dhe marsi 2021. Bashkëpunëtori i tretë ka qenë përgjegjës për fushën teknike gjatë periudhës nën hetim nga komisioni”, thuhet në reagimin e Telekom Slovenija.

Sipas biografisë së shkurtër të publikuar në faqen zyrtare të IPKO’s, kryeshefi ekzekutiv, Tomaž Seljak, nga vitit 2014 u bë anëtar (CTO) dhe Zëvendës President, në detyrë, i Bordit Menaxhues të Telekom Slovenije. Një vit pas aferës dhe dyshimeve të ngritura ndaj Telekomit Slloven, në vitin 2019 bordi mbikëqyrës emëroi Seljak kryetar të ri, ndërsa në mars 2021 u emërua asistent i CEO.

Gazeta Online Reporteri.net gjatë ditëve në vijim do të ju sjellë detaje të reja, ekskluzive, rreth këtij skandali të të bujshëm të Telekomit Slloven, që ka në pronësi 100% kompaninë e telekomunikimeve IPKO, që operon në Kosovë nga viti 2003. Po ashtu, në to do të mësoni më shumë për rolin e kryeshefit të ri të IPKO’s, Tomaž Seljak, si dhe arsyen se përse ai po ftohet si dëshmitar i kësaj afere nga komisioni hetimor parlamentar.

Të ngjashme