Lajme
Skandal në Shtime: Nxënësit pa ngrohje për shkak të vonesave në tender
Demokracia
21:11 | 12 Nëntor 2024

Share:

Me rënien drastike të temperaturave këto ditë, nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollave në komunën e Shtimes po përballen me kushte të papranueshme për mësim, për shkak të mungesës së ngrohjes. Sipas Rregullores Komunale të Arsimit, ngrohja duhej të kishte filluar qysh më 15 tetor, pikërisht kur nis sezoni dimëror. Por, për shkak të vonesave të pafundme në procesin e furnizimit me dru, shumica e shkollave vazhdojnë të mbesin pa ngrohje funksionale, duke rrezikuar shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve, shkruan Demokracia.com.

Situata është rënduar më tej në Institucionin për Arsim dhe Aftësim Profesional (IAAP), ku është raportuar për një prishje të kaldajës, duke lënë shkollën pa mundësi ngrohjeje.

Për të shtuar skandalin, disa ditë më parë, çerdhja në fshatin Muzeqinë, e cila u përurua me pompozitet nga ministrja Arbërie Nagavci dhe kryetari Qemajl Aliu, ka marrë dru nga shkolla e fshatit Petrovë për t’u furnizuar me lëndë djegëse. Ndërkohë që shkollat që janë më të prekura nga ky problem kanë mbetur pa furnizim të mjaftueshëm. ShFMU “Emin Duraku” në Shtime, ShFMU “Hasan Prishtina” në Godanc, ShFMU “Lasgush Poradeci” në Muzeqinë dhe shumë shkolla të tjera janë lënë në mëshirën e motit.

Situata është alarmante, pasi temperaturat kanë rënë ndjeshëm dhe fëmijët e shkollave janë të detyruar të qëndrojnë në kushte të papërshtatshme dhe të pasigurta për shëndetin e tyre. E gjithë kjo është rezultat i papërgjegjshmërisë dhe vonesave të Komunës së Shtimes në realizimin e furnizimit me dru, i cili bëhet përmes tenderëve të hapur.

Komuna e Shtimes e nisi procesin e tenderimit për furnizim me dru që në muajin qershor, duke menduar se çdo gjë do të kalonte pa probleme, por duke nënvlerësuar vonesat që mund të ndodhnin gjatë procedurave të tenderimit, sidomos kur ka konkurrencë mes operatorëve të ndryshëm. Fillimisht, më 7 qershor 2024, u hap tenderi për furnizim me dru për institucionet e Komunës së Shtimes, me një vlerë prej 168 mijë euro dhe një periudhë kontraktimi për 24 muaj.

Pas dy muajsh, më 12 gusht, tenderi u anulua pasi asnjë ofertë nuk i përmbushte kriteret dhe komuna shpalli anulimin e procesit.

Menjëherë pas këtij anulimi, kompania N.T.SH. “BEDI COM” paraqiti ankesë, duke pretenduar se anulimi ishte bërë në mënyrë të padrejtë dhe të papërgjegjshme. Më 23 gusht, kjo kompani e drejtoi ankesën në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke kërkuar rikthimin e procedurës.

Pas një periudhe të gjatë shqyrtimi, më 1 tetor 2024, paneli i OSHP-së refuzoi ankesën dhe e la në fuqi vendimin për anulimin e tenderit. Ky është vetëm një tjetër shembull i efikasitetit dhe vonesave që kanë dëmtuar procesin dhe kanë lënë shkollat dhe nxënësit pa ngrohje.

4 tetor, Komuna e Shtimes hap një tender të ri me të njëjtën vlerë, 168 mijë euro dhe më 7 nëntor shpalli fitues kompaninë “Avni Murtezi BI”.

Por, ndërkohë, sot një tjetër kompani, “AOME”, ka paraqitur një ankesë në lidhje me këtë proces dhe procesi është pezulluar menjëherë për të shqyrtuar ankesën.

Komuna ka pesë ditë për t’iu përgjigjur dhe nëse ankesës nuk i jepet përgjigje pozitive, kjo kompani mund të drejtohet në OSHP për shqyrtim të mëtejshëm. Por, ky organ nëse merr parasysh rrethanat emergjente që janë shkaktuar në Komunë të Shtimes, mund të shqyrtojë menjëherë këtë ankesë, pasi nuk do të ketë shumë punë më të. Kjo për shkak se kompania “AOME” ndodhet në ‘listën e zezë’ të OSHP-së dhe i ka të ndalur garimet për një përudhë kohore. Pikërisht edhe për këtë arsyeje ishte eliminuar nga komuna.

Kjo situatë e pasigurisë ka lënë shkollat në Shtime të mbeten pa ngrohje, duke detyruar nxënësit të mbajnë mësim në kushte të papërshtatshme, me orë të shkurtuara. Ky është një tjetër shembull i papërgjegjshmërisë dhe dështimit të institucioneve për të siguruar kushte minimale për arsim, duke i lënë fëmijët në mëshirën e temperaturave të ulëta dhe kushteve të pasigurisë. /Demokracia.com/

Të ngjashme