Një skandal i vërtetë ka ndodhur gjatë dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Evropian të mundjes, i cili ka përfshirë sportistin që përfaqëson Shqipërinë, Chermen Valiev-in dhe zëvendëspresidentin e Federatës Botërore të Mundjes, Mikhail Mamiashvili.
Valiev, i cili fitoi medaljen e artë në kategorinë e tij, u cilësua si “tradhëtar” nga Mamiashvili, me këtë të fundit që ushtroi forcë teksa i vendoste medaljen në qafë sportistit që përfaqëson ngjyrat kuqezi.
Mamiashvili, i cili mban postin e zëvendëspresidentit të Mundjes Botërore, është njëkohësisht edhe kreu i Federatës Ruse të Mundjes, vendit të origjinës së Valiev-it.
Ka qenë Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) që ka zbuluar skandalin, duke e shoqëruar lajmin me një video të incidentit të ndodhur në Bratisllavë.
“Sporti i mundjes është përfshirë në një skandal të vërtetë gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Evropian të zhvilluar në Bratislavë të Sllovakisë”, shkruan KOKSH-i.
“Presidenti i Federatës Ruse të Mundjes dhe Zv/Presidenti i Federatës Botërore të Mundjes, Mikhail Mamiashvili, në momentin e dorëzimit të medaljes së Artë për Chermen Valiev, si Kampion Evrope për Shqipërinë, ka bërë një gjest skandaloz, duke ushtruar forcë teksa i vendoste në qafë medaljen dhe më pas duke e shtyrë me duar”.
“Gjatë këtij momenti është dëgjuar edhe fjala ‘tradhëtar’ për Chermen Valiev-in, që ka zgjedhur të garojë për Shqipërinë”, përfundon denoncimi i KOKSH-it.