Përderisa në vitin e kaluar pati subvencionim të dyfishtë për fermerët, gjatë këtij viti ende nuk ka filluar subvencionimi dhe dhënia e granteve të përvitshme për fermerët. Ndërkohë Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për Demokracia.com tha se janë në procedurë të zhvillimit të sistemit të ri për menaxhimin e granteve dhe subvencioneve.
Gjithë kjo, sipas MBPZHR-së do të arrihet që të sigurojë transparencë dhe llogaridhënie të plotë për fermerët e vendit.
‘’Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është në procedurë të zhvillimit të sistemit të ri për menaxhimin e granteve dhe subvencioneve, ku përveç rritjes së efikasitetit dhe rritjes së sigurisë në pranim dhe shqyrtimin e aplikimeve, përmes këtij sistemi do të arrihet të sigurohet edhe transparenca dhe llogaridhënia e plotë në raport me fermerët’’, thuhet në përgjigjen e MBPZH-së për Demokracia.com
Pas vërshimeve të fundit, në vend pati dëme të konsiderueshme edhe për fermerët.
Në një përgjigje për Demokracia.com nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural thuhet se raporti për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore janë miratuar vetëm për gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Vlerë e cila kapi atë të 1.3 milionë eurove që do t’i kompensonte dëmet e pjesshme të fermerëve.
‘’Raporti i paraqitur nga Ministri Peci për sa i përket dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore që i përket periudhës korrik – dhjetor 2020 u miratua dhe me këtë rast u ndanë mjete në vlerë prej 1.3 milionë euro për kompensimin e pjesshëm të këtyre dëmeve’’, thuhet në përgjigjen e MBPZHR-së.
Ndërsa, tani edhe pse jemi afër muajit të tetë të vitit nuk ka ende një raport për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore. Nga MPBZHR thonë se janë në procedurë përfundimtare të këtij raporti, i cili do të përmbajë kompensimin e dëmeve për gjashtë muajt e parë të vitit 2021 fillimisht e pastaj edhe të gjashtëmujorit të dytë.
‘’Në procedurë përfundimtare është raporti përfundimtar për dëmet e shkaktuara në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, si dhe njëjte do të veprohet edhe me dëmet e shkaktuara ditëve të fundit nga fatkeqësitë natyrore’’, thuhet në përgjigjen e MPBZHR-së.
Ndërsa në çështjen se si do të bëhet vlerësimi i kompensimit të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore për fermerët, MBPZHR, thotë se janë në pritje të raportit nga Drejtoritë Komunale të Bujqësisë të cilën pastaj do ta procedojnë në Qeveri për aprovim.
‘’Ju njoftoj se MBPZHR është në pritje të raporteve të sjella nga DKB-të, ku këto raporte do të analizohen dhe vlerësohen nga Komisioni për vlerësimin e dëmeve i MBPZHR-së i cili pasi të përgatisë raportin përmbledhës për të gjitha komunat të cilat kanë pësuar dëme, atë raport mandej e procedon në Qeveri për aprovim’’, thuhet në përgjigjet e MBPZHR-së për Demokracia.com
Ndërkohë e gjitha që tani mund të bëjnë fermerët të cilët pësojnë dëme ne sektorin e bujqësisë nga fatkeqësitë natyrore është të drejtohen në Drejtoritë komunale për bujqësi në komunat e tyre për të raportuar dëmet që pësuan.
‘’Të gjithë fermerët të cilët pësojnë dëme në sektorin e bujqësisë nga fatkeqësitë natyrore, siç janë: erërat e forta, breshëri, vërshimet, përmbytjet dhe ngricat duhet të drejtohen në Drejtorinë komunale për bujqësi në komunën përkatëse.’’
Nga MBPZH thanë se secila komunë mbledh të dhëna dhe evidenton për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyre dhe veç e veç përgatisin raporte të cilat pastaj i dorëzojnë në MBPZHR. Kështu, më pas, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural formon Komisionin e veçantë i cili bën përmbledhjen dhe vlerësimin e këtyre raporteve dhe pastaj të njëjtin raport e procedon në Qeveri për aprovim të mëtejmë. /Demokracia.com/