Lajme
S’ka njohje shtetërore me planin franko-gjerman, kjo pranohet edhe nga Kurti e Konjufca
Demokracia
18:45 | 09 Mars 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas një takimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, u shpreh i gatshëm ta pranojë planin evropian, i cili parasheh krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe që nuk e ka në qendër njohjen reciproke.

Mosgarantimi i njohjes reciproke u kritikua shumë në Kosovë.

Për këtë çështje kanë folur sot edhe nga Departamenti i Shtetit të ShBA-së, shkruan Demokracia.com.

DASH e sheh Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si kyç për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si shtet sovran dhe i integruar në strukturat euroatlantike.

DASH theksoi se nuk mund të vendosin kornizë kohore për njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi.

Zëdhënësi i DASH-it, Ned Price, gjatë një konference u shpreh se përmes dialogut besojnë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

“Ne mbështesim fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja për aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas këtij propozimi të BE-së, dhe progresi drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si shtet sovran, si një vend multietnik dhe i pavarur, i integruar në strukturat euroatlantike. Përmes dialogut besojmë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. Më pas progresi do të hapë derën për integrimin evropian të të dyja vendeve dhe është thelbësor për siguri, stabilitet dhe prosperitet më të madh në Ballkanin Perëndimor. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara duhet të përqendrohen në njohjen eventuale reciproke”, tha ai.

I pyetur sa larg është nga njohja reciproke Kosovë-Serbi, Price nuk dha ndonjë afat kohor, por theksoi se duan që tensionet Kosovë-Serbi të zgjidhen sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Ai deklaroi se do të ndërmarrin çdo hap për të mbështetur përshpejtimin e përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Sigurisht që ne duam që këto çështje, këto tensione mes Kosovës dhe Serbisë, të zgjidhen sa më shpejtë të jetë e mundur. Dhe kështu ne do të mbështesim këtë dialog të BE-së. Ne do të ndërmarrim çdo hap që mundemi si partner i Kosovës, i Serbisë dhe i BE-së për të mbështetur përshpejtimin në çdo mënyrë të mundshme të përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, ne thjesht nuk mund të vendosim një kornizë kohore për të. Sigurisht që ne duam që këto çështje të zgjidhen sa më shpejtë të jetë e mundur”, shtoi ai.

Që ky plan nuk e parasheh njohjen e ka pranuar edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Ai ka thënë se plani evropian, të cilin e ka pranuar Kosova, nuk e sjellë njohjen de-jure nga Serbia, por sjellë njohje të fuqishme de-facto.

Kjo, sipas tij, nuk është njohje klasike siç njihen zyrtarisht dy shtete, por është njohje në mënyrë indirekte.

Ky plan, sipas Konjufcës, bën që Serbia t’ia njoh Kosovës, letërnjoftimet, ta trajtojë si të barabartë dhe të mos ndërhyjë në arenën ndërkombëtare dhe në punët e brendshme.

“Plani evropian është njohje e fuqishme de-facto, e kam thënë në fillim që nuk është de-jure. E dimë praktikën si njihen shtetet, me procedura juridike të plota, ndërtohet njohja verbale. Është në vullnetin e shteteve a duan të hapin ambasada. Kjo nuk është njohje de jure, por e ka formën e njohjes de-facto. Çka është njohja de facto, është kur një shtet tjetër pajtohet që ti ekziston si shtet i pavarur, që merr zotimet të mos përzihet në punët e brendshme, të mos përzihet në arenën ndërkombëtare, t’i njoh krejt çka prodhon ti, dokumentet, targat, gjithçka që prodhon Kosova me logo të Kosovës, pa kurrfarë fusnote të barabartë si shtete”, ka thënë ai në ATV.

Konjufca tha se nuk pret që Serbia ta nënshkruajë marrëveshjen as në takimin e 18 marsit që pritet të mbahet në Ohër.

Më 27 shkurt në Bruksel është mbajtur takimi i gjashtë i nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut, pas të cilit kryeministri Kurti ka thënë se Kosova ka treguar gatishmëri për të nënshkruar planin evropian, porse Serbia nuk ka qenë e gatshme.

Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Prishtinë. Me vizitën e tij, ai do të bëjë përgatitje për mbajtjen e takimit tjetër më 18 mars në Ohër. Lajçak, pas Prishtinës, do të qëndrojë edhe në Beograd. /Demokracia.com/

Të ngjashme