Lajme
S’ka më “Mirëdita, dobar dan”
Demokracia
08:17 | 29 Qershor 2024

Share:

Anulimi në mënyrë të papritur dhe të pashpjeguar i festivalit “Mirëdita, dobar dan” i cili mbahet në Beograd, ka ngritur shqetësime dhe debate të shumta, kështu duke reflektuar mbi tensionet dhe sfidat e vazhdueshme në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky festival është mbajtur për një dekadë dhe synonte që të promovojë dialogun dhe mirëkuptimin midis shqiptarëve dhe serbëve, i njëjti kishte fituar rëndësi të veçantë viteve të fundit si një platformë kulturore dhe artistike që nxiste pajtimin dhe bashkëpunimin mes dy popujve.

Mos mbajtja e kësaj ngjarje ngjalli reagime të ndryshme duke filluar që nga Bashkimi Evropian, krerët e shtetit të Kosovës, organizatorët, artistë të cilët shprehën zhgënjim dhe keqardhje për këtë vendim.

Nga Bashkimi Evropian janë shprehur të shqetësuar për anulimin e këtij festivali, kjo pasi sipas tyre Serbia është dashur të garantojë një mjedis të sigurt për mbajtjen e tij.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, vlerësoi se ky festival është një iniciativë e mirë, e cila do të kontribuonte në ndërtimin e urave mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jemi të shqetësuar për politizimin e një nisme kulturore të organizuar nga organizata të shoqërisë civile që dëshirojnë të promovojnë shkëmbimet ndërkulturore dhe të qytetarëve”, deklaroi Stano për Radio Televizionin e Kosovës.

“Mirëdita dobar, dan”, mbajtja e tij në vitin 2023 në Prishtinë.

Duke shtuar se “është detyrë e autoriteteve shtetërore kompetente të sigurojnë që organizatorët të jenë në gjendje të veprojnë në një mjedis të sigurt”.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se Serbia me ndalimin e këtij festivali ka shfaqur edhe njëherë “armiqësinë e saj të paepur ndaj gjithçkaje që ka të bëjë me paqen dhe pajtimin”.

“Një festival kulturor me një histori dhjetëvjeçare të festimit të diversitetit dhe bashkimit të artistëve nga Kosova dhe Serbia, ‘Mirëdita, Dobar Dan’ u rrëmbye nga Vulin-i dhe MPB Daçiç-i, të cilët e deformuan atë, përtej njohjes, në një paradë groteske të urrejtjes dhe mesazhe diskriminuese. Në vend të artistëve, fjala iu dha grupeve të huliganëve”, ka shkruar ai të premtën.

Kurti ndër të tjera ka potencuar se anulimi i Festivalit ka ardhur pikërisht një ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka refuzuar ta nënshkruaj Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit.

“Pasi refuzoi edhe një herë nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të lehtësuar nga BE-ja, të miratuar nga SHBA, Serbia mbylli të enjten një nismë tjetër të sponsorizuar nga BE, ‘Mirëdita, Dobar Dan’.

Ndërsa, kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, ka deklaruar se s’ka parë arsye që në Serbi të ketë festival sikurse “Mirëdita, dobar dan”, ndonëse i njejti është mbajtur për 10 vjet radhazi.

Mbajtja e festivalit “Mirëdita, dobar dan” në Beograd në vitin 2022.

“Nuk shoh arsye për një festival të tillë në Serbi”, ka thënë ai.

Duke shtuar pastaj se përgjigja më e mirë ndaj organizatorëve të ngjarjes është “shpërfillja”.

Kur është pyetur nga gazetarët se përse Serbia s’garantoi siguri për pjesëmarrësit e festivalit ai potencoi se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA), kishin vlerësuar se do të ketë rrezik të madh nëse i njëjti mbahet.

“Vlerësuan se ka pasur një rrezik të madh të prishjes së rendit publik dhe paqes, dhe rrezik për pronën dhe sigurinë e qytetarëve”.

“Nuk ja vlen për ne që të kemi luftë civile në rrugë dhe kaos. E dini çfarë, vlerësimi ynë është se ky është vendimi më i mirë marrë parasysh rrethanat”, tha Vuçeviç

Edhe ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka reaguar pasi që ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, të enjten, ka urdhëruar ndalimin e Festivalit “Mirëdita, dobar dan”, duke thënë se ky vendim vërteton edhe një herë se qeveria serbe është kundër çdo lloji dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një komunikate për media, nga MPJ-ja thanë se ndalimi i festivalit me me urdhër të ish-zëdhënësit të regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviç-it, “është edhe një dëshmi e vazhdimit të politikës, mendësisë dhe veprimeve të regjimit të kaluar”.

Mbajtja e festivalit “Mirëdita, dobar dan” në Beograd në vitin 2022.

“Këtë fushatë të egër publikisht e nisi njeriu i listave të zeza dhe ish shefi i BIA, [Aleksandër] Vulin, të cilit pastaj iu bashkua ai që duhej të ishte në krye të organizimit të festivalit dhe mirëvajtjes së tij, Ministri i Kulturës, Nikola Selakoviç”, theksohet në reagim.

Ekipi nga Kosova e Festivalit “Mirëdita, dobar dan”, të enjten, është ndaluar nga Policia e Serbisë, 25 kilometra në hyrje të Beogradit, me arsyen se kanë urdhër që “mos të i lejojnë të vazhdojnë tutje”.

Pas rreth një ore zyrtarisht ekipi i përbërë nga gazetarë/kameramanë dhe stafi organizativ i festivalit janë kthyer mbrapshtë për në Kosovë.

Mbajtja e festivalit “Mirëdita, dobar dan” në vitin 2019 në Beograd.

Hapja e festivalit ishte paraparë të ndodhte në orën 18:30 të 27 qershorit në sheshin Dorqol.

Rreth 150 huliganë, anëtarë të organizatave të ndryshme ekstremiste, të enjten, në vigjilje të hapjes së Festivalit kanë organizuar një protestë kundër mbajtjes së këtij evenimenti kulturor.

Në protestë janë parë edhe simbole shoviniste serbe, ku ndër të tjera edhe një pankart me flamurin e Serbisë e vizatuar në hartën e Kosovës.

Mbajtja e festivalit “Mirëdita, dobar dan” në vitin 2019 në Beograd.

Sipas raportimeve ky grup protestuesish janë dëgjuar duke brohoritur “Kosova është zemra e Serbisë”, dhe duke kënduar këngë nacionaliste dhe kanë fyer qytetarët e Kosovës.

Të ngjashme