Lisa Doughten e zyrës humanitare të OKB-së (OCHA), thotë se “jeta varet nga një fije” për të porsalindurit e parakohshëm palestinezë dhe pacientët që mbështeten në dializë në spitalin në Rripin e Gazës, të cilët po përballen me mungesë karburanti.
“Rreth 9 mijë pacientë me kancer nuk po marrin kujdesin e duhur,” i tha ajo Këshillit të Sigurimit, duke shprehur shqetësimin për paralajmërimet e Ushtrisë izraelite, për evakuimin e objekteve të kujdesit shëndetësor në enklavën e rrethuar.
“Nuk ka askund të sigurt për të shkuar këta pacientë, dhe për ata që janë në mbështetje të jetës dhe foshnjat në inkubatorë, lëvizja do të jetë sigurisht një dënim me vdekje”.
Nga ana tjetër, drejtuesi i UNRWA, Philippe Lazzarini, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se “bombardimi i pamëshirshëm” i Gazës nga Izraeli ka çuar në një nivel “të paprecedentë” shkatërrimi.
“Tani, civilët që kanë mbetur në veri po marrin njoftime evakuimi nga forcat izraelite, duke u bërë thirrje atyre në jug të marrin ndihmë të pakët humanitare. Por shumë, duke përfshirë gratë shtatzëna, personat me aftësi të kufizuara, të sëmurët dhe të plagosurit, nuk janë në gjendje të lëvizin”.
“Ajo që ndodhi dhe vazhdon të ndodhë është zhvendosje e detyruar”, përforcoi ai.
Lazzarini shtoi se qindra mijëra palestinezë të zhvendosur me forcë në Gaza po jetojnë në kushte “të tmerrshme”, me ushqim dhe ujë të kufizuar.
“Uria dhe dëshpërimi po kthehen në zemërim kundër komunitetit ndërkombëtar dhe në Gaza, komuniteti ndërkombëtar njihet më mirë si UNRWA”, përmbylli.