Lajme
Situatë tragjike: Për luftën në Kosovë janë dënuar deri tash 37 shqiptarë e 25 serbë
Demokracia
22:37 | 03 Prill 2023

Share:

Sot me fillim nga ora 9:30, ka filluar gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, më saktësisht ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Ky gjykim, ku mbajti fjalën e parë Prokuroria e Specializuar, po mbahet në kuadër të Gjykatës Speciale. Natyrisht, nisja e procesit ka ngjallur shumë reagime, përfshirë indinjatë për akuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe mosndjekjes penale për krimet e Serbisë në Kosovë.

Petrit Selimi, ish-ministër në detyrë i Ministrisë së Punëve të Jashtme e Diasporës, ka shkruar një status, në të cilin ka treguar një realitet në lidhje me ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë dhe Serbi. Madje, Selimi ka shkruar se të dhënat tregojnë për një realitet të hidhur. Duke u thirur në Fondit për të Drejtën Humanitare, Selimi ka shkruar se në Kosovë janë të gjykuar 35 shqiptar dhe 4 serbë.

Tutje, në një cicërimë në llogarinë e tij në Twitter, Selimi shkroi se në Gjykatat e Serbisë janë dënuar 15 serbë dhe 1 shqiptar. Ndërsa në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi janë gjykuar, sipas FDH-së të cilin e citoi Selimi, janë dënuar 6 serbë dhe 2 shqiptarë.

Në total për krime lufte janë gjykuar 37 shqiptarë dhe 25 serbë, përkundër që Serbia ishte e organizuar në mënyrë shtetërore përmes policisë dhe ushtrisë së rregullt, përfshirë paramilitarët e Arkanit e të ngjashme. Madje, lideri i Jugosllavisë, Slobodan Milosheviqi, ishte quajtur edhe “Kasapi i Ballkanit”, i cili nuk u gjykua me vendim fuqiplotë nga Tribunali për ish-Jugosllavi, për shkak të vdekjes në Hagë.

Në anën tjetër, pas një pritje për më shumë se 2 vjet e gjysmë, ka nisur edhe zyrtarisht gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Në Hagë u mbajt seanca e parë hapëse ku Prokuroria pati 5 orë kohë për ta thënë fjalën e saj. Përderisa jashtë objektit mijëra protestues ishin mbledhur nga diaspora, duke kërkuar drejtësi për krerët e UÇK-së.

Ashtu siç u deklaruan qysh kur u arrestuan, ashtu u deklaruan edhe 2 vjet e gjysmë pas. Katër ish-liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e përsëritën se janë të pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës.

 

Të ngjashme