Lajme
Situata në veri, serbët protestojnë në Beograd
Demokracia
22:59 | 12 Dhjetor 2022

Share:

Qindra njerëz janë mbledhur të hënën në Beograd, për të protestuar “si shenjë mbështetjeje për serbët” në Kosovë.

Protesta është zhvilluar përpara Kishës Shën Sava.

Thirrja për protestë është bërë e ditur në rrjetin social Telegram, te kanalet e disa organizatave të krahut të djathtë në Serbi.

Një prej organizatorëve – me maskë në fytyrë – i ka thënë audiencës se nuk dëshiron të bëjë të ditur identitetin, por është nga Kosova.

Ai i ka thënë turmës se nuk dëshiron “Asociacion të komunave me shumicë serbe” dhe që Kosova është pjesë e Serbisë.

Protestuesit kanë kënduar këngë për Kosovën dhe këngë nënçmuese për shqiptarët në Kosovë.

Ata kanë bërtitur “serbët dhe rusët, vëllezër përgjithmonë” si dhe “jo ndasive, Kosova është pjesë e Serbisë”.

Ata kanë bartur flamuj të Serbisë dhe Rusisë, si dhe mbishkrimet “Kosova nuk dorëzohet”.

Protestuesit kanë lëvizur edhe te rrugët e qendrës së qytetit, të cilat janë mbyllur për trafikun, raporton rel.

Ata e kanë djegur flamurin e Kosovës përpara Presidencës së Serbisë.

Protestuesit më pas kanë thënë se janë në pritje “të përgjigjes së shtetit”.

Të ngjashme