Lajme
Situata në veri, Abdixhiku: Kryeministri të mbledhë spektrin politik për të mbrojtur interesat shtetërore
Demokracia
16:07 | 25 Shtator 2021
Ilustrim

Share:

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se ka përcjellur me shqetësim zhvillimet në veri të vendit dhe se ka qenë në kontakt me kryeministrin Albin Kurti.

Abdixhiku në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shprehur gadishmërinë e plotë për të ndihmuar qeverinë duke kërkuar nga kryeministri Kurti të thërrasë në takim partitë politike, përcjell Demokracia.com.

“Gjendja e tensionuar në Veri kërkon unitet të plotë, prandaj propozoj që Kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim – pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapcitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot”, ka shkruar Abdixhiku.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Përgjatë pesë ditëve të fundit, LDK ka përcjellur me vëmendje e shqetësim zhvillimet në Veri të vendit. Përgjatë kësaj kohe, unë dhe kolegët e mi kemi qenë në kontakt me Kryeministrin Kurti, Kryeparlamentarin Konjufca e me zyrtarë të tjerë qeveritarë.

Në këto komunikime, përveç se kemi shprehur shqetësimin për gjendjen e sigurisë, të djemve tanë në uniformë atje, kemi kërkuar dhe qartësime në lidhje me planet e Qeverisë mbi menaxhimin e situatës. Mbi të gjitha, si LDK kemi shprehur gadishmërinë e plotë, për të ndihmuar në të gjitha kapacitetet që kemi, Qeverinë e vendit.

Gjendja e tensionuar në Veri kërkon unitet të plotë, prandaj propozoj që Kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim – pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapcitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot.

Po ashtu, i bëj thirrje, komunitetit ndërkombëtar, aleatëve tanë, që të bëjnë gjithë ç’është e mundur, për të shmangur kërcënimet e Serbisë dhe tensionet në veri të vendit./Demokracia.com/

Të ngjashme