Lajme
Situata me zjarrin në Kosovë: Katër vatra janë ende aktive
Demokracia
11:46 | 03 Gusht 2021
Foto Ilustrim

Share:

Pjesët malore dhe fushore të Kosovës tash e disa ditë janë përfshirë nga zjarri. Bazuar në raportin e Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, deri më tani katër vatra të zjarrit janë aktive.

Zëdhënësi i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Nehat Koqinaj, për Demokracia.com, ka treguar se bazuar në raportet deri në ora 10:00 në Kosovë janë katër vatra aktive të zjarrit.

“Situata me zjarre në Kosovë, ora 10.00 nga QO AME ( Agjencia Menaxhimit Emergjent) është se numri i vatrave të zjarrit ka rënë. Aktualisht janë aktive katër vatra zjarri”, tha Koqinaj.

Vatrat e zjarrit janë në Suhareke – rajoni i Prizrenit 2 lokacione, Vraniç dhe Bukosh, parku Nacional Bjeshkët e Nemuna, Janjevë – zjarr Fushore dhe Malore.

Koqinaj tha me tej se në Bjeshkët e Nemuna ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe KFOR-i janë duke e lokalizuar zjarrin.

“Në të gjitha këto lokacione , NJPZSH  janë në veprim, deri sa ne Rajonin e Pejës, përkatësisht Bjeshkët e Nemuna, në veprim përveç NJPZSH( Njësive Profesionale Zjarrëfikje Shpëtim) janë edhe njësi të FSK-s dhe mbështetja sipas kërkesës edhe nga KFOR-i”, tha Koqinaj për Demokracia.com.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Xhelal Sveçla ka treguar për vatrat që u përshinë nga zjarri, për çka tha se janë duke punuar me kapacitetet të plota për ta shuar zjarrin dhe për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve në ato zona.

Sveçla ka thënë se kanë hasur në raste kur zjarri është vënë qëllimshëm, ku deri tani janë arrestuar dy persona.

“Zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i janë duke punuar me kapacitete të plota për të shuar vatrat e zjarrit, duke bërë çmos për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve në këto lokacione.Vetëm dje gjatë ditës, kemi pasur vatra aktive të zjarrit në këto komuna: Suharekë: Bukosh, Krushicë, Gjinovc, Reqan, Shirokë, Dubravë dhe Vraniq. Gjakovës: Nec dhe Babaj të Bokës. Prizren: bjeshkët e Oshllakut. Pejë: Shtupeq. Malishevë: Kravasari. Artanë: Parallovë. Mitrovicë e Veriut: Kushtovë e Vllahisë. Zveqan: Rudinë. Zubin Potok:Bube. Fushë Kosovë: Kozmin”, ka shkruar Sveçla.

Ndërsa ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka ftuar qytetarët të kenë kujdes maksimal në ruajtjen e pyjeve, të natyrës dhe mjedisit.

Kjo ministri ka thënë se në kohën kur vendi po ballafaqohet me temperatura të larta, për fat të keq po shfaqet edhe një dukuri shqetësuese, me rrezikimin e jetës së njerëzve, pasoja ekonomike e dëme të mjedisit.

“Është fjala për paraqitjen e zjarreve, që po shfaqen gjithandej në Kosovë, nga të cilat janë duke u dëmtuar pyjet, tokat pyjore, por edhe sipërfaqe tjera rurale e urbane”, thuhet në njoftim.

Ministria e Bujqësisë ka ftuar të gjitha institucionet përgjegjëse duke filluar nga komunat, Njësitë Komunale të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, shërbimin e zjarrfikësve dhe policinë për koordinim të veprimeve, si dhe kujdes të shtuar në parandalimin e zjarreve dhe mobilizim në shuarjen e tyre.

Pyjet përbëjnë rreth 44.7 për qind të territorit të Republikës së Kosovës.

Zjarret në pyje, përveç masës drunore, rrezikojnë edhe florën dhe faunën e egër./Demokracia.com/

Të ngjashme