Lajme
Krye-epidemiologu Ramadani: Situata epidemiologjike mbahet nën kontroll për aq sa duan qytetarët. Shëndeti ynë, në duart tona!
Demokracia
16:22 | 19 Janar 2021

Share:

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike me Ministrinë e Shëndetësisë, qe një vit është duke përpiluar dhe implementuar strategjitë për përballjen me pandeminë e Covid-19. Virusi, si një armik enigmatik, ka sfiduar sistemin shëndetësor të çdo shteti në botë, ka prekur ekonominë por edhe shëndetin mental dhe shoqëritë. Kosova ka hyrë në pandemi pa kapacitete çfarë kanë vendet e zhvilluara dhe ndonëse në fillim qe kritikuar për mungesë reagimi adekuat, numrat në javët e fundit bëjnë që këto kritika të duken si të pavend. Në një intervistë ekskluzive për Demokracia.com, Drejtori Ekzekutiv i Institutit, Profesor Naser Ramadani, tregon për sfidat dhe të arriturat, si është gjendja sot dhe çfarë do të jetë viti 2021.

Demokracia.com: Është bërë gati një vit prej kur pandemia Covid-19 arriti edhe në Kosovë. Si ka qenë ky vit për ju?

Profesor Naser Ramadani: Pandemia COVID-19 është një krizë globale e dimensioneve gjigante, e paparë deri sot. Gjatë tërë vitit, e gjithë bota është përballur me sfidën e përbashkët, me nevojën për të vënë e pastaj zbutur izolimet dhe kufizimet, duke tentuar të balancojnë shqetësimet e ndryshme shëndetësore, sociale, mentale dhe ekonomike.

Virusi, ndonëse i padukshëm, i panjohur, armik enigmatik, ka qenë sfidues për të gjithë, tërë sistemin shëndetësor, po edhe për të gjithë sektorët tjerë.

Në botë, të paktën 186 vende kanë zbatuar shkallë të ndryshme të kufizimeve në lëvizjen e popullatës për të ngadalësuar përhapjen e virusit dhe për të parandaluar mbingarkimin e sistemeve shëndetësore. Rreth 82 shtete kanë zbatuar izolime të plota. Këto masa kanë rezultuar me një kosto të rëndë socio- ekonomike, por kanë shpëtuar shumë jetë. Këto kufizime u kanë dhënë kohë vendeve të ulin incidencën e sëmundjeve dhe të parandalojnë dhe kontrollojnë përhapjen e sëmundjes.

Në Kosovë, i tërë mekanizmi shtetëror është vënë në lëvizje dhe në mënyrë holistike ka angazhuar në këtë betejë të gjitha institucionet, organizatat publike dhe private si dhe çdo qytetar të këtij vendi.

Përgatitjet për parandalim i kemi filluar qysh në janar të vitit të kaluar. Menjëherë kemi bërë planin e gatishmërisë, gjegjësisht strategjinë dhe parashikimet e mundshme në përcjelljen e situatës epidemiologjike.

Masat e ndërmarra që nga fillimi janë koordinuar me Zyrën e OBSh-së në Kosovë dhe kanë marrë parasysh edhe udhëzuesit e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse (ECDC). Gjatë tërë kohës jemi konsultuar me organizma ndërkombëtarë dhe Institutet e Tiranës, Shkupit e Berlinit.

Tashmë kur bëhet një vit i punës së pandërprerë, pa asnjë ditë pushimi, qëndrojmë kokë-lartë sepse kemi bërë një vepër kolosale të shëndetësisë publike, në mbrojtjen dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

E tëra që është bërë në planin e gatishmërisë dhe përgjigjes, brenda vijave dhe konturave të asaj që është planifikuar, është përputhur me zhvillimet në suaza të situatës epidemiologjike.

Por, duke pasur parasysh se sëmundjet ngjitëse e në veçanti COVID-19 nuk njeh kufi, padyshim se kontributi ynë konsiderohet edhe si kontribut për mbrojtjen e shëndetit global.

Duhet vënë në pah se në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike tashmë janë kalitur ekipet e profesionistëve të shkolluar brenda e jashtë vendit, secili më i mirë se tjetri, dhe të krijuar në një kontekst të ekspertizës në shëndetësinë publike ku gërshetohen epidemiologjia klasike dhe moderne, madje edhe virtuale, për luftimin e sëmundjeve ngjitëse.

Demokracia.com: Si është dukur dita e punës për ju e për IKSHPK-në gjatë kësaj kohe të jashtëzakonshme? A keni qenë gati si IKSHPK për sfidat me të cilat jeni ballafaquar?

Profesor Ramadani: Përvoja ime profesionale prej rreth katër dekada në epidemiologji më ka ballafaquar me shumë sfida. Jam ballafaquar me shumë epidemi të sëmundjeve ngjitëse.

Si IKSHPK, shumë probleme në epidemiologjinë e sëmundjeve në Kosovë i kemi zgjidhur me sukses. Jemi ballafaquar dhe kemi dalë faqebardhë me sëmundjet vaksinë-preventabile. Për shembull, që nga viti 2003 ne jemi vend i lirë nga paraliza e fëmijëve.

Mbi tri dekada jemi ballafaquar “gjoks për gjoks” me Ethet Hemorragjike Krime-Kongo. Nga viti 2013 deri sot është raportuar dhe diagnostikuar vetëm një rast i EHKK në Kosovë. Ky konsiderohet një ndër sukseset dhe të arriturat më të mëdha në historikun e shëndetësisë kosovare.

Të jesh epidemiolog në parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve do kurajo dhe përvojë. Jo më kot, simboli i epidemiologut është këpuca me tabane të shlyera. Prandaj, edhe në këtë pandemi mund të thuhet se epidemiologët e Kosovës kanë sfiduar të pamundurën, duke kombinuar epidemiologjinë klasike të terrenit, nëpër baltë, shi e borë, me epidemiologjinë moderne të teknologjisë së kohës.

Profesionistët e shëndetit publik, epidemiologët dhe mikrobiologët e IKSHPK-së, po punojnë pa orar të caktuar, me një mesatare ditore prej 15 orë punë, ndonjëherë duke punuar deri në 20 orë në ditë, pa ndërprerë, gjatë gjithë këtyre javëve e muajve, gjatë gjithë këtij viti.

Demokracia.com: Po Kosova, sa ka qenë e përgatitur për pandeminë?

Profesor Ramadani: Puna në parandalim është e ndërlidhur me kapacitetet jo vetëm shëndetësore, por edhe me ato jo-shëndetësore, ose të themi ndërlidhet me çdo gjë nga funksionaliteti i shtetit në tërësi, e deri te mentaliteti dhe sjellja e secilit qytetar.

Është evidente se asnjë shoqëri, asnjë shtet në botë, nuk paska qenë i gatshëm të ballafaqohet me këtë virus të ri.

Ajo që kemi bërë ne është lehtësisht e krahasueshme edhe me shtetet e tjera e të avancuara në këtë drejtim.

Nuk duhet harruar se Kosova tashmë ka një përvojë të konsiderueshme në parandalimin e sëmundjeve ngjitëse. Vetëm në periudhën e pasluftës jemi ballafaquar me tulareminë dhe me ethet hemorragjike Krime Kongo, pastaj me pandeminë e gripit H1N1 të vitit 2009; pastaj në vazhdimësi jemi përballur me epidemi të ndryshme të helmimeve me ushqim, të sëmundjeve të traktit gastrointestinal dhe të gripit sezonal. Përvoja e arritur tashmë është e jashtëzakonshme.

Pra, ne kemi hyrë në pandeminë e Covid-19 me një përvojë paraprake me viruset e pandemitë e tjera që shkaktohen me mikroorganizma bakterialë. Kjo është përvojë e jashtëzakonshme.

Prandaj edhe sot mund të themi se situata epidemiologjike është nën kontroll dhe është e qëndrueshme dhe e përballueshme.

Demokracia.com: Ka pasur kritika për menaxhimin e pandemisë në Kosovë, në media vendore por edhe ndërkombëtare. Megjithatë, kur shikohen numrat, Kosova del më mirë se shumë vende, jo vetëm në rajon por edhe në botë, madje edhe më mirë se vende me sistem shëndetësor shumë më të avancuar. Cila është e vërteta?

Profesor Ramadani: E vërteta qëndron në vet pyetjen tuaj. Menjëherë pasi janë raportuar rastet e para nga Wuhan në Kinë, në fund të dhjetorit të vitit 2019, Instituti Kombëtar ka ngritur shkallën e alarmit dhe deri sot akoma gjendemi në këtë situatë gatishmërie, me të njëjtin orar pune, me të njëjtat ekipe të ekspertëve të shëndetësisë publike që punojnë pandërprerë.

Në raportin e fundit të ECDC (European Center for Disease Prevention and Control) me qendër në Stokholm, Suedi, Kosova me shifra dhe fakte prezantohet me situatë më të mirë në krahasim me shumë shtete të rajonit dhe më gjerë.

Ne kemi analizuar pandërprerë zhvillimin dhe kahet e pandemisë, qysh prej shfaqjes së rasteve të para. Kemi vazhduar me përcjelljen e trendit dhe kemi rekomanduar masat që janë treguar efikase në botë.

Një nga detyrat primare lidhur me menaxhimin e situatës ka qenë komunikimi për rrezikun dhe, që në ditët e para, IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë janë angazhuar që ta informojnë popullatën lidhur me koronavirusin e ri, rreziqet dhe masat mbrojtëse.

Rezultatet ishin shpresëdhënëse dhe situata epidemiologjike me COVID-19 u vu nën kontroll. Kështu, më 5 maj 2020 kishim vetëm 1 rast pozitiv, ndërsa me 24 maj zero raste pozitive me COVID-19. Kjo bëri që të fillohej me planifikim për rihapjen graduale ekonomike.

Demokracia.com: E çfarë ndodhi në qershor pra?

Profesor Ramadani: Ndonëse virusi ishte ende në mesin tonë, me të njëjtin nivel të lartë virulence me aftësi serioze të përhapjes dhe rrezik të lartë, gjatë procesit të rihapjes u besua se qytetarët tashmë ishin mësuar të disiplinojnë veten dhe do të vazhdonin t’i ndjekin dhe respektojnë masat parandaluese, të mirënjohura tashmë (mbajtja e maskave, mbajtja e distancës dhe higjiena personale). U mendua se mund të bëhej një hapje e suksesshme, por e kujdesshme, dhe të ndihmohej rimëkëmbja e ekonomisë.

IKSHPK dhe Qeveria me Ministrinë e Shëndetësisë bënin thirrje të vazhdueshme që edhe më tutje të kuptohej rreziku i lartë dhe të vazhdohet me aplikimin e masave mbrojtëse. Shprehja ”virusi nuk ka këmbë, mos i jepni këmbë virusit” u bë e njohur në tërë Kosovën si thirrje e IKSHPK-së.

Megjithatë, masat anti-Covid-19 nuk u respektuan sa duhet, madje edhe u injoruan nga disa, gjë që rezultoi me shtim të përnjëhershëm të rasteve të infeksionit dhe rasteve të vdekjeve në periudhën e muajve të verës (korrik e gusht).

Në bazë të vlerësimeve të gjendjes, faktorët kryesor në rritjen e numrave pas fazës së lirimit ishin mos- përgatitja e mjaftueshme e qytetarëve për respektimin e masave mbrojtëse anti-Covid-19, si dhe mungesa e mbikëqyrjes dhe kontrollit rigoroz nga autoritet përgjegjëse.

Lëvizja e qytetarëve ka qenë problem nëpër botë e edhe tek ne. Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit për aq kohë sa virusi SARS-CoV-2 është prezent. Kështu mbingarkohet sistemi shëndetësor, me pasoja të paparashikuara që mund të paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve.

Demokracia.com: Si është gjendja sot?

Profesor Ramadani: Gjendjen dhe trendin në përgjithësi e tregojnë numrat. Derisa në shumë vende të Evropës e botës ka eskalim të numrave, në Kosovë është evituar kjo – tash për tash – dhe përkundër faktit që ishte periudha e festave dhe e vizitave të shumta familjare.

Por, duhet pasur kujdes ende. Në përgjithësi, situata mbetet serioze, sidomos pasi në përballim me pandeminë gërshetohen plot faktorë.

Mbetet obligim i çdonjërit që të kontribuojë aq sa mundet, të lehtësojë për aq sa mundet, punën e epidemiologëve dhe profesionistëve shëndetësorë kudo që janë dhe veprojnë.

Lufta më e madhe nuk është në spitale por tek çdo individ, qytetar i Republikës së Kosovës. Ata do ta fitojnë betejën bashkë me neve dhe ne me ata.

Situata epidemiologjike mbahet nën kontroll për aq sa duan qytetarët t’iu përmbahen rekomandimeve dhe nuk do të jetë nën kontroll nëse qytetarët nuk iu përmbahen rekomandimeve të Institutit Kombëtar. Këto janë dy koncepte që qytetari duhet t’i kuptojë. Është kaq e thjeshtë.

Demokracia.com: Si e parashikoni se do të jetë viti 2021?

Profesor Ramadani: Ky vit do të jetë vit i aplikimit të gjerë të vaksinës dhe bashkë me masat e tjera të ndërmarra shpresohet që pandemia të vihet nën kontroll në tërë botën. Megjithatë na mbetet të shohim si do të shkojë më tutje rrjedha e pandemisë.

Por, ne duhet të mësohemi të jetojmë me virusin, sepse padyshim ky virus do të vazhdojë të bashkëjetojë me ne.

Bota nuk ka qenë asnjëherë në një situatë të tillë. Më e afërt ka qenë përvoja me gripin spanjoll në fillim të shekullit XX. Prandaj askush nuk ka mundur të ballafaqohet në mënyrë kuptimplote me pandeminë dhe akoma ka vështirësi të mëdha në luftën kundër saj. Këto vështirësi do të vazhdojnë të shfaqen në vende të ndryshme edhe për një kohë, varësisht nga zbatimi i masave, mbulimi me vaksinë dhe krijimi i imunitetit kolektiv.

Ne në Kosovë e kemi krijuar një strategji kosovare, autoktone, si t’i qasemi e si të veprojmë më tutje, e pranuar botërisht, duke pasur parasysh karakteristikat epidemiologjike të pandemisë dhe përvojës në Kosovë, të cilën duhet ta implementojmë të gjithë bashkërisht.

Të ngjashme
Lajme • 04 Korrik 2024