Lajme
Sipas ORCA-s, rreth 50 punime të profesorëve të UP-së kanë përmbajtje të plagjiaturës
Demokracia
09:06 | 18 Nëntor 2022

Share:

Hulumtimet nga organizata të ndryshme, konkretisht nga ORCA, tregojnë se rreth 50 punime të 16 profesorëve në Universitetin e Prishtinës, kanë përmbajtje të plagjiaturës. Situata në fjalë vlerësohet se është shqetësuese për njohësit e fushës së arsimit sepse, sipas tyre, çështja në fjalë është rezultat i mosndëshkimit.

Dhjetëra punime të disa profesorëve në Universitetin e Prishtinës, kanë rezultuar se kanë prezencë të plagjiaturës. Sipas të dhënave të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, janë rreth 50 punime të 16 profesorëve në Universitetin e Prishtinës që kanë përmbajtje të plagjiaturës. Dibran Hoxha, nga kjo organizatë, i tha Radio Kosovës së gjendja në Universitetin e Prishtinës në këtë drejtim, është alarmante pasi që në të gjitha nivelet, ka plagjiatorë.

“Gjendja është tejet alarmante në Universitetin e Prishtinës “ Hasan Prishtina”. Deri më tani ne kemi zbuluar një numër të madh të plagjiaturave e që janë rreth 50 punime të 16 profesorëve me përmbajtje të plagjiaturës. Masat për këto plagjiatura kanë qenë që profesorët në fjalë mos të mentorojnë tema të diplomave edhe përkundër që ata kanë bërë vjedhje akademike dhe kjo është skandal në vete”, deklaroi Hoxha.

Gjendjen në Universitetin e Prishtinës shqetësuese, po e vlerësojnë edhe njohës të arsimit, pasi një numër i madh i stafit akademik në punimet e tyre kanë përmbajtje të plagjiaturës. Rinor Qehaja, nga Instituti “ Edguard”, i tha Radio Kosovës se ky fenomen është i shpërndarë edhe në universitetet e tjera dhe se gjendja aktuale jo befasuese, vjen nga mungesa e ndëshkimit.

”Prezenca e plagjiaturës përgjatë gjithë niveleve në universitet është shqetësuese por jo befasuese kur dihet mungesa e ndëshkimit. Dhe, ky problem nuk është i kufizuar vetëm në Universitet të Prishtinës por gjithandej. Ngarkimi i temave të thirrjeve akademike gjatë deklarimit në AKA është hap i mirë drejt transparencës. Një vetëdijesim më i rritur për plagjiaturën, duhet të jetë prioritet i çdo institucionit të arsimit të lartë. Sipas vlerësimit tim, ka shumë nga stafi akademik dhe studentët që e kanë të paqartë plagjiatin”, deklaroi Qehaja.

Në rastet kur Senati i Universitetit të Prishtinës ka të dhëna dhe fakte për plagjiaturë në punimet e profesorëve, atëherë Këshilli i Etikës, në bazë të rregullores, duhet të përcaktojë procedurat për masat konkrete.

Të ngjashme