Lajme
Sindikatat e Kosovës s’i bënë “hesap”, Kurti në Norvegji takon sindikalistët dhe u tregon se është mirë që të rriten pagat
Demokracia
21:21 | 29 Mars 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një viti të qeverisjes së tij në vazhdimësi i ka bishtnuar takimit me drejtuesit e sindikatave të punëtorëve në Kosovë.

Tek së fundmi ai ka filluar komunikimin me ta. Madje para disa muajve u deklarua se duhet që të ketë ndryshime në krye të organizatave sindikale, njësoj siç kanë ndodhur ndryshime në politikë, shkruan Demokracia.com.

“Uroj që të ketë gjithandej ndryshime, pra siç po bëhen ndryshime në politikë, unë besoj që duhet të ketë ndryshime në çdo sferë të jetës shoqërore, profesionale, për shkak se jam i bindur që edhe punëtorët shëndetësorë, por edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk mjaftohen që për shumë e shumë vite të vazhdojnë t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz, kushdo që ata qofshin, apo kudo që ata janë”, tha Kurti.

Përderisa sindikatat kosovare si ajo e Arsimit, Shëndetësisë e edhe e Policisë kërkojnë miratim të Ligjit të Pagave, kjo nuk i intereson fort Kurtit.

Por përderisa me sindikatat kosovare tregohet ‘njerkë’, me sindikatat e vendeve të tjera Kurti po tregohet ‘nënë.

Gjatë vizitës së tij në Norvegji, Kurti u takua me përfaqësuesit e Konfederatës së Sindikatave Norvegjeze dhe Federatës Norvegjeze të Punëdhënësve.

Sipas një njoftimi të Qeverisë, Kurti  në këtë takim ka thënë se është mirë që të rriten pagat.

“Në takim u potencua se ekonomia duhet të jetë në shërbim të mirëqenies së qytetarëve. Se pagat e mira vijnë nga prodhimi, konkurrenca e bizneseve dhe rritja e eksporteve. U tha se për të mbajtur ekonominë e shëndetshme, për të ruajtur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e prodhuesve, rritja e pagave në ndërmarrjet eksportuese i paraprinë rritjes së pagave të tjera në vend.”, ka thënë ai./ Demokracia.com/

Të ngjashme