Sindikata e Postës së Kosovës është ankuar për U. D. Drejtoreshën e Operativës, Saranda Ademin, për presion në punë.
Sindikata përmes një e-maili që e ka siguruar Demokracia.com, i është drejtuar menaxhmentit të Postës së Kosovës, duke i kërkuar të ndërmarrë masa ndaj Saranda Ademit.
“Presion intensiv, të pajustifikueshëm dhe autokratik tek punëtorët. Ky presion shfaqet në formë të kërkesave të karakterit kritikues dhe kërcënues, kërkesave për raportime të panevojshëm vetëm me qëllim të pengimit në punë, gjë e cila tregon qartë edhe për mungesë të ideve dhe vizionit për menaxhim. Menaxhimi i punës me metoda ndëshkuese dhe diktatoriale. Kjo formë shprehet përmes mospërfilljes së kërkesave dhe propozimeve të punëtoreve për përmirësimin e kushteve të punës, refuzimin nga ajo të të gjitha ideve kreative dhe udhëheqjen nga inatet dhe imponimet që të zbatohen vetëm urdhrat e saj. Për më tepër, stili i saj i menaxhimit udhëhiqet nga pengimi i punës në grup, dekurajim dhe demotivim i punëtorëve me çka edhe e pengon performancën pozitive të ndërmarrjes. Menaxhimi me standarde të dyfishta. Sa për ilustrim, ajo gjithmonë e arsyeton mos punën në regjionin e Prishtinës, ku edhe vetë ishte pjesë, duke dhënë vlerësime pozitive dhe mirënjohje pa u mbështetur në tregues krahasimor në raport me regjionet tjera apo edhe në analiza për të arritura. Meqenëse këto shqetësime ndahen me ne çdo ditë nga punëtorët dhe shpërfaqin një dukuri sa negative aq edhe të dëmshme për mirëqenien e punëtoreve dhe rezultatet në punë, ne krijojmë që të ndërmerrni të gjitha veprimet ligjore brenda mandatit tuaj dhe të vendosni rend dhe ligj në menaxhimin e ndërmarrjes”, thuhet tutje në e-mailin e siguruar nga Demokracia.com.
Ndërsa, Fakete Kadiu, U.D Kryeshefja e Postës, me të pranuar këtë e-mail nga Sindikata e Postës ka urdhëruar që t’i bllokohet e-maili i Liridon Mirenës, si kryetar i Sindikatës së Postës dhe dy sindikatave të tjera, si Shoqata Sindikale Postieri dhe Shoqata Sindikale Profesional.
“Besoj se jeni në dijeni për kompetencat dhe autorizimet e përcaktuara me statutin e ndërmarrjes, dispozitat dhe rregulloret në fuqi, nga të cilat derivojnë kompetencat e secilit organ të ndërmarrjes qoftë ekzekutiv apo mbikëqyrës, tentimi i largimit të vëmendjes së Bordit apo Kryesuesit të Bordit nga objektivat strategjike zhvillimore të ndërmarrjes më çështjet e mikromenaxhimit janë tentime abuzuese me qëllim të përhapjes së tensionit inekzsitent duke tentuar destabilizim të raporteve brenda ndërmarrjes në të gjitha nivelet e që njëkohësisht tentojnë ta destabilizojnë mbarëvajtjen e proceseve të punës me rëndësi vitale brenda ndërmarrjes”, thuhet në e-mail e kryeshefes së Postës së Kosovës.
Demokracia.com ka kontaktuar me U.D. Drejtoreshën e Operativës, Saranda Ademi, por e njëjta ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen në e-mailin zyrtar, që më pas të mund të kemi një përgjigje, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje. /Demokracia.com/