Sindikata e Policisë së Kosovës ka thënë se dy zyrtarët policorë të lënduar gjatë intervenimit për parandalimin e grabitjes së armatosur në Suharekë të mërkurën, janë në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Sindikata, në një komunikatë për media, ka dënuar sulmin ndaj zyrtarëve policorë.
“Me datë 22.11.2023,në Qytetin e Suharekës, Policia e Kosovës ka intervenuar për të parandaluar një grabitje të armatosur dhe gjatë intervenimit për arrestimin e të dyshuarve janë lënduar dy zyrtarë policorë, njëri me armë zjarri”, ka thënë Sindikata.
“Pas tretmanit mjekësorë, gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Zyrtarëve policorë ju dëshirojmë shërim të shpejtë, kurse dënojmë çdo sulm ndaj zyrtarëve policorë dhe nga organet e drejtësisë kërkojmë që të veprojnë sipas Ligjit ndaj kryesëve të këtyre veprave penale me qëllim të parandalimit të sulmeve ndaj zyrtarëve policorë dhe veprave tjera penale”, thuhet në njoftimin e sindikatës.
“Policia e Kosovës janë krenaria e të gjithë neve, prandaj ju jemi mirënjohës për punën, sakrificën, guximin dhe profesionalizimin që po e tregojnë për çdo ditë në përmbushjen e misionit të tyre, pa kursyer as shëndetin dhe jetën e vet.”