12:20 (E përditësuar) Ish-kryetari i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, gjatë raportimit para deputetëve, ka deklaruar tutje se rasti i Drenicës, Kleçkës e disa raste të tjera janë janë turpi i komunitetit ndërkombëtar.
Ai ka thënë se rasti “Kleçka” nuk do të duhej të shkonte asnjëherë në gjykim, duke shtuar se nuk ka dyshim që të burgosurit serbë dhe ata shqiptar janë vrarë në Kleçkë. Por sipas tij, nuk ka prova.
“Rasti Kleqka sipas meje është raste që s’do të duhej të shkonte në gjykatë. Ishte rast që ka pasur shumë pak shanse që të arrijë sukses. Rasti është bazuar në dëshmi të vetëm një dëshmitari që ka pasur sëmundje mendore dhe ka vdekur para se të zhvillohej gjykimi. Dëshmia ka qenë kontradiktore, jo vetëm sa I përket shënimeve por edhe në bazë të shënimeve të forenzikës. Ky është një rast se si BE-ja kërkonte që të dënoheshin këta njerëz. Unë jam shokuar nga komentet që janë bërë nga disa kolegë të mijë për njerëzit e Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Simmons.
……………………………………………….
12:05: Simmons: Gjyqtarët e EULEX-it u përdoren për t’u arritur objektivat politike
Ish-kryetari i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, gjatë raportimit para deputetëve ka thënë se ka pasur takime të vazhdueshme me Ambasaden e Mbretërisë së Bashkuar.
Simmons ka thënë se gjatë takimeve me kokat e misionit ka pasur interes në çështje të caktuara.
Duke folur për rastin “Kleçka” ai ka thënë se ka pasur ndikime politike, duke shtuat se kërkohej dënimi i pjesëmarrësve në këtë rast, “shfajësimi konsiderohej si dështim”.
Ai ka tutje ka shtuar se gjyqtarët e EULEX-it ishin mjet për të arritur objektivat politike. Derisa ka thënë se ka ngritur dyshime që nga viti 2013, që gjërat po shkonin në mënyrë të gabuar.
Tutje Simmons ka thënë se disa gjyqtarë kanë qenë duke fituar shumë më shumë se sa që do të fitonin në shtetet e tyre.
Ai ka thënë EULEX-i nuk ka mundur t’i mbrojë dëshmitarët ose familjet e tyre.
“Ka pasur njerëz që kanë ardhur në Kosovë të punojnë mirë, por ka pasur edhe të tjerë të cilët nuk e kanë bërë të njëjtën”, ka thënë ai.
…………………………………………………..
Simmons: Në dokumentet që EULEX-i ua dha prokurorëve serbë, kishte informata për dëshmitarët
Ish-kryetari i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons gjatë raportimit para deputetëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, ka përsëritur se EULEX-i u ka dhënë prokurorëve serbë dokumente lidhur me krimet e luftës në Kosovë, duke shtuar se ka pasur informata edhe për dëshmitarët e atyre krimeve.
Ai ka thënë se në vitin 2014 ka zbuluar se shumë dokumente të tilla i janë dhënë Serbisë.
“Në 2014 kam zbuluar shume dokumente të krimeve të luftës të cilat u janë dhënë prokurorëve serbë. Këto akuza për krime të supozuara të kryera nga persona të etnisë serbe gjatë luftës. Këto dokumente përfshinin informata për këta persona, por edhe të dhënat personale dhe detaje të dëshmitarëve me prejardhje shqiptare. Këto krime janë bërë në Kosovë kundrejt banorëve të Kosovës nga serbë, shumë prej të cilëve ishin edhe qytetarë të Kosovës”, tha Simmons.
Ai tha se rastet e krimeve të kryera nga serbët në Kosovë BE-ja ka dashur që të mos hetohen fare pavarësisht se çfarë prova kanë. Duke shtuar se Gjykata Speciale është mekanizëm që Bashkimi Evropian e përdori si zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi.
“Pse të mos ketë edhe serbë të akuzuar para Dhomave të Specializuara? Pse BE-ja mendoi se zgjidhja ishte që autoritetet serbe të merren vetë me rastet e krimeve të luftës. E kanë ditur se ata as nuk kanë kapacitete dhe as vullnet që ta bëjnë këtë”, tha Simmons. /Demokracia.com/