Lajme
Simbolet e Kosovës| Si u zgjodh flamuri me hartë e yje dhe himni me tekst?
Demokracia
21:07 | 17 Shkurt 2023

Share:

Menjëherë pas leximit të deklaratës së pavarësisë së Kosovë nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, në Kuvendin e Kosovës u prezantua edhe flamuri i shtetit më të ri. Me një sfond të kaltër, hartën ngjyrë ari në mes dhe gjashtë yje të bardhë sipër saj. Yjet në flamur simbolizojnë gjashtë komunitetet kryesore në Kosovë, shqiptarët, serbët, turqit, boshnjakët, goranët dhe komuniteti rom ashkalinje e egjiptian.

Flamuri i Kosovës është i pazakontë krahasuar me flamujt e shteteve të tjera, pasi që e ka hartën e vendit si element të dizajnit. Por përveç Kosovës edhe Qipro është shteti tjetër që hartën e shteti e ka në flamurin e saj.

Muhamer Ibrahimi ishte ai që e dizajnoi flamurin dhe stemën e Kosovës. Ibrahimi ishte edhe ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Si u zgjodh flamuri që e ka Kosova sot?

Në një konkurs i hapur në qershor 2007 për flamur, i cili do të ishte simboli shtetëror morën pjesë 993 konkurrentë.

OKB caktoi disa rregulla se si duhet të ishte flamuri i Kosovës. Sipas OKB-së të gjitha simbolet duhet të reflektonin natyrën multi-etnike të Kosovës, dhe duhet të shmangin përdorimin e shqiponjave me dy koka shqiptare apo serbe apo përdorimin e vetëm ngjyrës së kuqe dhe të zezës, ose të kuqes, të kaltrës dhe të bardhë. E kuqja dhe e zeza janë ngjyrat e përdorura në flamurin shqiptar, ndërsa e kuqja, e kaltra dhe e bardha janë ngjyrat kryesore të flamurit serb. Përveç kësaj, të gjitha modelet duhet të ishin drejtkëndore.

Një grup politikanësh dhe ekspertësh kosovarë të njohur si “Ekipi i Unitetit” zgjodhi dizajne të cilat do të shkonin përpara për votim nga Kuvendi i Kosovës.

Një sipërfaqe e kaltër me një hartë të bardhë të Kosovës e rrethuar me 5 yje. Yjet ndryshojnë në madhësi dhe përfaqësojnë grupet e ndryshme etnike që banojnë në Kosovë. Ylli më i madh do të përfaqësonte shqiptarët etnikë.

Një trengjyrësh vertikale e zezë, e bardhë dhe e kuqe.

Një trengjyrëshe vertikale e zezë, e bardhë dhe e kuqe me një simbol spirale në qendër të shiritit të bardhë, i cili është një simbol dardan për diellin rrotullues.

Është Muhamer Ibrahimi i cili e kishte fituar garën për dizajnimin e flamurit dhe të stemës së Republikës së Kosovës, me të cilat simbole edhe u shpall pavarësia e vendit.

Himni i Kosovës ka tekst

Katër muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Kuvendi i Kosovës ka miratuar himnin. Propozimi me shifrën “Europa” u miratua në 11 qershor 2008 në një seancë të veçantë të Kuvendit 120 anëtarësh si Himn shtetëror i Kosovës, me 72 vota për, 15 kundër dhe 5 abstenime.

Mirëpo në të gjitha ngjarjet brenda dhe jashtë vendit, dëgjohet vetëm melodia, e në fakt himni i Kosovës ka edhe tekst.

Kur ishte propozuar melodia nga autori Mendi Mengjiqi, kënga e shtetit i kishte edhe vargjet e shkruara.

Por, për shkak të restrikcioneve nga pakoja e Ahtisaarit, komisioni përzgjedhës ishte detyruar që të heq tekstin.

Himni i Kosovës, titullohet “Evropa”.

Teksti i himnit të Kosovës:

O mëmëdhe i dashur, vend i trimërisë

Çerdhe e dashurisë

N’ty shqipet fluturojnë

Dhe yjet ndriçojnë

Vendi i të parëve tonë

Ti qofsh bekue për jetë e mot

O nënë e jonë

Ne të dalim zot

O mëmëdhe i dashur, vend i trimërisë

Çerdhe e dashurisë. /Demokracia.com/

Të ngjashme