Lajme
Sikur të kishte ndodhur në planet tjetër, Kurti asnjë fjalë për rezolutën kundër Dick Martyt
Demokracia
16:37 | 25 Korrik 2022

Share:

Edi Ramën dhe Hashim Thaçin, jo shumë kohë më parë Albin Kurti se i shihte si bashkëpunëtorë në një plan për ndarjen e Kosovës. Këtë qëndrim e ka edhe sot, dhe kryeministrit të Kosovës duket se tani nuk i intereson përpjekja e kryeministrit të Shqipërisë për ta ndihmuar mikun e vet, ish-presidentin e Kosovës.

Një rezolutë që e kundërshton raportin e Këshillit të Europës me pretendime për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë u miratua të enjten në Kuvendin e Shqipërisë. Në Prishtinë dikush e mirëpriti, e dikujt kjo i shërbeu të paktën sa për ta kujtuar përpjekjen e ish-senatorit zviceran, Dick Marty, akuzat e të cilit e ndërtuan Gjykatën Speciale.

Kryeministri Albin Kurti po qëndron jashtë grumbullit ku po shprehen qëndrimet lidhur me rezolutën e miratuar nga Shqipëria. Ai ka pesë ditë që s’e ka thënë asnjë fjalë për këtë.

Kurti vazhdon të qëndrojë indiferent në betejën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për mikun e tij, ish-presidentin Hashim Thaçi. Këtë angazhim, Rama e kishte paralajmëruar në sy të Kurtit para një muaji, kur ishte në Kosovë për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

Sikur tani, Kurti qëndroi edhe në konferencën e përbashkët me Ramën më 20 qershor në Prishtinë, ku ky i fundit tregonte se e kishte marrë malli për Thaçin dhe se do të nisej personalisht në Strasburg për t’i bindur liderët botërorë deri te Joe Biden për “përrallat e Dick Martyt”.

“Do të shkoj personalisht në Strasburg, në rastin më të parë, shpresoj në shtator, për t’iu drejtuar Këshillit të Europës për një fakt që bëhet gjithnjë e më shqetësues. Është pabazueshmëria totale e raportit të Dick Martyt dhe influenca ruse mbi këtë përrallë të një Shtëpie të Verdhë e trafikimit të organeve. Duke pasur parasysh që akuza e trafikimit të organeve është akuzë e përsëritur edhe në kontekste të tjera nga ana e propagandës ruse. Duke pasur parasysh dhe në Këshillin e Sigurimit Rusia ka goditur sërish me një fjalim të ambasadorit të saj duke u kthyer tek trafikimi i organeve”, shprehej Rama.

Kryeministri shqiptar thoshte se për rrugën deri te Gjykata Speciale, “dikush duhet t’i hapë veshët, në mos të përgjigjet, të paktën të dëgjojë”.

“Ai tribunal është projektuar për t’u dhënë përgjigjeve akuzave të Dick Martyt. Nuk ka asnjë gjë në atë akuzë. Zero. Kemi të drejtën të besojmë se këtu janë duar aspak dashamirëse me Kosovën e shqiptarët që e kanë nxitur këtë raport”, thoshte ai.

Kur u pyet nëse mund ta ndiqte shembullin e Ramës për t’i vizituar të akuzuarit, Kurti tha të ditë se është më mirë që ai po flet me avokatët e ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgimin e Speciales.

Pas një debati tërëditor se kush e çoi Thaçin në paraburgimin e Speciales, Kuvendi i Shqipërisë të enjten e votoi unanimisht, me 125 vota të deputetëve, rezolutën me të cilën synon t’i hedhë poshtë akuzat për trafikimin me organe të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë.

Presidentes Vjosa Osmani të nesërmen i erdhi rasti të fliste për këtë, gjatë një konference për media me tani ish-presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Ajo foli për Thaçin, duke kujtuar se ai kishte kërkuar themelimin e kësaj gjykate.

“Ne nuk harrojmë sado që dikush mund ta ketë një dëshirë të tillë se kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej Gjykata Speciale para disa vitesh nuk e harrojmë sado që dikush mund të ketë një dëshirë të tillë”, tha Osmani.

Presidentja tha se do të diskutojnë për mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve dhe shtoi se “Dick Marty ka tentuar ta shtrembërojë të vërtetën që ka ndodhur në Kosovë”.

Nga Qeveria reagoi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilën Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli refuzuan ta takonin kur ajo shkoi në paraburgimin e Speciales në Hagë.

Haxhiu tha se Qeveria e Kosovës mirëpret çfarëdo diskutimi në raport me rezolutën e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, por u kujdes të theksonte se ajo nuk do të ketë ndikim “për shkak se është herët të flitet për këtë”.

Në një konferencë për media, ajo tha se kanë shqetësime se po u shkelen të drejtat të akuzuarve dhe sikur shefja e shtetit, e akuzoi Thaçin.

“Mund të mbahen përgjegjës vetëm ata që në atë kohë ua kishin ndrydhur duart deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe fatkeqësisht janë pikërisht ata që sot hedhin akuza në drejtim te Qeverisë sonë”, tha ajo.

Tha se secili institucion i di përgjegjësitë që i ka, kur u pyet nëse ka dallime Qeveria dhe Presidenca lidhur me Gjykatën Speciale. /Express/

Të ngjashme