Anëtarja e LDK-së, Sibel Halimi ka treguar arsyet pse ajo ka kandiduar për kryetare të komunës së Ferizajt.
Halimi është zyrtarizuar si kandidate pasi aderoi disa muaj më parë në këtë subjekt. Afrimin e saj në parti e zyrtarizoi kryetari Lumir Abdixhiku.
Ajo ka thënë në T7 se është dashuria për qytetin e lindjes e cila e ka shtyrë që të kandidojë për kryetare.
“Është qytet që e meriton që ti ndërtohet një program për ata njerëz të entuziazmuar për të ardhmen e tyre. Do të përpiqem për një Ferizaj ndryshe i cili do të ndërtohet mbi një sintetizim dhe dashuri të madhe që e kam për Ferizajn”, tha ajo.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor. Kryetar aktual i Ferizajt është Agim Aliu nga PDK, i cili do të kandidojë edhe për një mandat. Ndërkohë VV nuk e ka zyrtarizuar asnjë kandidaturë në asnjë komunë.