Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili njëkohësisht ka qenë një ndër themeluesit e UÇK-së, ka folur lidhur me rrethanat në të cilat u themelua kjo ushtri.
Ai rrëfeu se si kishte ardhur deri tek emërtimi i UÇK-së.
“Është bërë një analizë goxha e theksuar, ka pasur debat të fortë në këtë drejtim dhe rezultoi në fund që ushtria le të quhet Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Krejt kjo ka rrjedhur natyrshëm në këtë debat ku kanë qenë Fazliu Veliu, Xhavit Haliti, Emrush Xhemajli”, u shpreh Ahmeti.
Tutje ai foli edhe për komunikatën e parë të kësaj ushtrie, ku tha se e kanë shkruar bashkë përmes një makine të vjetër, në të cilën Emrush Xhemaili ai shkruante, ndërsa të tjerët diktonin.
“Gjysmat e germave dilnin të zeza, gjysma të kuqe. Pastaj e morëm atë komunikatë, e ngarkojmë një veprimtar tonin, një shok tonin, dhe vjen e shpërndan në Shkup, të gjitha gazetave, nga Sllovenia deri në Gjevgjeli”, tha kreu i BDI-së në emisionin n’Demos.
Ahmeti gjithashtu bëri të ditur se ajo komunikatë është dërguar në të gjitha televizonet, mediumet dhe partitë politike, pavarësisht se a ishin legale apo ilegale.
Ndërkaq, lidhur me emblemën e UÇK-së, ai tregoi se si ka ardhur ideja dhe realizimi i saj.
“Emblemën tani, Gafurr Elshani ka qenë me Adnan Asllanin, Emrush Xhemajli ishte piktor, a na pëlqen kështu a s’na pëlqen, në anën profesionale, aty e kemi ba një lëshim sepse ngjyra e verdhë kapet shumë prej snajperit, ne e pamë atë detaj, por tani ajo kishte hyrë në përdorim, sepse ngjyra e verdhë detektohej prej snajperit, tani unë e ndryshova UÇK (në Maqedoni) e bëra të zezë“, u shpreh Ahmeti