“Si do t’i ndaloni mallrat serbe që të mos vijnë në Kosovë?”, ishte pyetja e gazetarit Blendi Fevziu për opozitarin Albin Kurti, që kryefjalë të fushatës së tij, që nisi nga viti 2006, kishte bojkotimin e mallrave serbe dhe rritjen e konsumimit të atyre vendore, por që përfundoi në ditën kur erdhi në pushtet.
“Me Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet kjo do të ishte shumë e lehtë. E bllokon kufirin dhe i thua Serbisë se nuk ta lejojë tregun e Kosovës përderisa sillesh në mënyrë kriminale ndaj meje”, ishte përgjigjja e rrufeshme e Kurtit, shkruan Demokracia.com.
Për ta dëshmuar këtë, Kurti si opozitar dhe partia e tij, Vetëvendosje, organizonin herë pas here edhe aksione kundër mallrave serbe. Pamjet e rrotullimit të kamionëve me mallra serb, në afërsi të kufirit Kosovë – Serbi, ishin bërë të zakonshme.
Prapa aksioneve të tilla, qëndronte një premtim i madh i Albin Kurtit dhe Vetëvedosjes se në qendër të politikave të tyre ekonomike do të jenë prodhuesit dhe prodhimet vendore.
Fushata e Kurtit për bojkotimin e prodhimeve serbe kishte nisur në majin e vitit 2006, fillimisht pa ndonjë slogan. Më vonë, në shtator 2009, Kurti e kishte projektuar sloganin e ri “Blej Shqip”, kurse në shtator 2011 fushatën “Duaje Tënden”.
Por, pavarësisht fjalëve të mëdha si opozitar, Albin Kurti ndaloi të bojkotojë produktet serbe në kohën kur do të duhej të ndodhte e kundërta. Me ardhjen në pushtet, Kurti nuk e bllokoi kufirin me Serbinë dhe as nuk ndaloi mallrat serbe.
Si për ironi, importi i mallrave nga Serbia po shënon trende më të larta se gjatë qeverive të kaluara. Nga janari deri në nëntor 2022, nga Serbia janë importuar mallra në vlerën e rreth 342 milionë eurove. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë qeveri tjetër, shkruan Demokracia.com.
Në mungesë të një reagimi zyrtar nga kryeministri Kurti për këtë situatë, qytetarë të shumtë kanë filluar në rrjete sociale fushata vetanake për bojkotimin e produkteve serbe.
Deri më tani, kryeministri Albin Kurti dhe as partia e tij, Vetëvendosje, që në zgjedhjet e 14 shkurtit fituan rreth 51% të votave edhe duke u mbështetur në këto premtime të mëdha ekonomike, nuk janë dukur në këtë fushatë që në thelb bënë thirrje për konsumimin e produkteve vendore.
Albin Kurti bashkë me Qeverinë që drejton dhe partia e tij, Vetëvendosje, janë pozicionuar qartë në këtë fushatë. Kurti bashkë me Qeverinë dhe partinë e tij po bojkotojnë fushatën e qytetarëve të Kosovës për bojkotimin e mallrave serbe. Përgjatë këtyre muajve, as Kurti dhe as Vetëvendosje nuk kanë dhënë ndonjë mesazh mbështetës të fushatës së qytetarëve.
Sjellja dhe vendimet e Kurtit krejtësisht të ndryshme nga premtimet e tij të mëdha, janë bërë të zakonshme. Kjo duket se është vetëm një nga sjelljet e tij kontradiktore të radhës. /Demokracia.com/