Lajme
Si të dalloni lajmet e vërteta nga trillimet, edhe gjatë një lufte
Demokracia
17:35 | 06 Mars 2022

Share:

Sfida e përcaktimit të besueshmërisë së lajmeve në internet është bërë shumë më e vështirë. Pushtimi rus i Ukrainës, i shpalosur në kohë reale në mediat tradicionale dhe sociale, ka treguar se çdokush mund të mashtrohet.

Një profesor mediash e futi veten publikisht në kurthin e mashtrimit, pasi bëri tweet një grup fotosh të rreme në lidhje me Ukrainën si dhe një raport të rremë mbi përparimin e Rusisë në Kiev.

“Është shumë e lehtë të përfshihesh në emocionet e luftës”, thotë David Carroll, profesor i medias në Parsons School of Design, Nju Jork. Fotot në dy nga retweet-et e tij nuk ishin pjesë e luftës aktuale, tha ai, dhe ndoshta duhet të kishte provuar fillimisht të kërkonte imazhet në Google.

Nëse lajmet false mund të mashtrojnë dikë që kupton dhe mëson mënyrat se si funksionojnë platformat e mediave sociale, a ka ndonjë shpresë për të tjerët?

Për fat të mirë, mund të ketë. Studiuesit nga Stanford History Education Group në Universitetin e Stanfordit mësuan studentët e shkollave të mesme në Lincoln për të vërtetuar informacionin që gjetën në internet, me sukses.

Aftësia që ata mësuan, “leximi anësor”, është një strategji e përdorur prej kohësh nga ‘kontrolluesit e fakteve’ në organizatat e lajmeve. Ai përfshin kontrollin e kryqëzuar të informacionit në një artikull lajmesh ose në një faqe interneti me faktorë kyç si burimi i atij informacioni dhe perspektivat dhe motivimet e mundshme të individëve pas tij për të përcaktuar besueshmërinë e autorit.

Studimi, që pritet të publikohet së shpejti në Journal of Educational Psychology dhe i financuar nga Google.org, përfshiu rreth 500 nxënës në gjashtë shkolla të mesme. Nxënësit në tre prej shkollave morën gjashtë mësime të leximit anësor gjatë tre muajve ndërsa nxënësit në tre shkollat ​​e tjera plotësuan vetëm kurrikulën e rregullt.

Nxënësit u testuan në aftësinë e tyre për të dalluar përmbajtje të besueshme në internet para dhe pas dhënies së mësimeve. Të gjithë nxënësit filluan me një aftësi shumë të ulët për të dalluar informacionin e besueshëm. Rezultatet e testit të nxënësve të trajnuar u përmirësuan dukshëm më shumë sesa rezultatet e studentëve në grupin e kontrollit.

Lexim më i mprehtë

Nxënësit u mësuan të shikonin adresat e faqeve të internetit për besueshmëri. Dikur besohej gjerësisht se një URL .org, e cila shpesh përdoret nga organizatat jofitimprurëse, përmbante informacion të besueshëm; gjithashtu, një faqe interneti me pamje profesionale, një faqe e fortë “Rreth nesh” dhe pretendimet për jopartiake ose deklarata të tjera të mosanësisë mund të besohen si të besueshme.

“Por ndërsa grupet që përpiqen të ndryshojnë politikat dhe opinionet politike janë bërë më të sofistikuara në metodat e tyre, ky udhëzim nuk qëndron më”, tha Sam Wineburg, një nga autorët e studimit të Stanford.

Përveç mbështetjes në burime të shumta, është gjithashtu e rëndësishme të kuptosh nëse një burim lajmi ka përgjegjësi ndaj lexuesve, si për shembull, një mënyrë për të kontaktuar autorët dhe redaktorët dhe një politikë dhe praktikë e korrigjimit të gabimeve, tha Emily Bell, drejtoreshë e Qendrës për Gazetari Dixhitale në Universitetin e Kolumbisë, shkruan Wall Street Journal.

Një detyrë në studimin e Stanford kërkonte që nxënësit të kontrollonin besueshmërinë e një faqeje interneti me temë mjedisore të krijuar nga një organizatë jofitimprurëse që pretendonte se nuk përfaqësonte asnjë industri. Nxënësit që hulumtuan organizatën zbuluan se organizata kishte marrë fonde nga industria e naftës, gjë që mund të tregonte mungesë besimi në lajmet e tyre.

Si pjesë e mësimeve të tyre të leximit anësor, nxënësit gjithashtu u mësuan të mos mbështeten vetëm në faqet e para të internetit që dalin në një kërkim, sepse renditja e rezultateve të kërkimit mund të ndikohet nga promovimi me pagesë dhe motori i kërkimit.

Studiuesit në Universitetin e Nju Jorkut kryen një studim të leximit anësor me studentë të kolegjit, i cili dha rezultate të ngjashme.

Kur Wineburg dhe Joel Breakstone, një tjetër nga autorët e studimit të Stanford-it, u pyetën për mënyrat se si leximi anësor mund të zbatohet për informacionin rreth luftës së Ukrainës në mediat sociale, ata dhanë disa shembuj, duke përfshirë dy nga e njëjta llogari e verifikuar në Twitter e një agjencie lajmesh bjelloruse. Njëri ishte një njoftim se H&M kishte pezulluar shitjet në Rusi. Tjetri shfaqte një kopertinë të supozuar të revistës Time që lidhte vizualisht Vladimir Putinin me Adolf Hitlerin.

Kërkimet e thjeshta në Google treguan se lajmet e H&M ishin të sakta dhe se imazhi nuk ishte vërtet nga Time. Sfida për dikë që i pa në Twitter do të ishte të ndalonte, të bënte një kërkim për të kontrolluar shenjat e vlefshmërisë dhe më pas, nëse është i bindur, të kthehej në Twitter për të ndarë ose komentuar. Por kjo kërkon vetëdije dhe kontroll të impulsit.

Fillon në shkolla

Përfshirja e mësimeve të leximit anësor në shkolla është një domosdoshmëri sipas Jaclyn Kellison, specialiste e kurrikulës së lëndëve sociale në Shkollën ​​Publike Lincoln që mori pjesë në studimin e Stanford.

“Nxënësit i mësojnë më mirë teknikat kur i zbatojnë ato ndërsa po kryejnë kërkime”, tha ajo.

Një sfidë është që mësuesit të mësojnë nxënësit të gjejnë vetë burime të besueshme, në mënyrë që mësuesit të mos akuzohen për paragjykime.

“Mësuesit nuk thonë: “Këtu është një listë e burimeve të këqija ose të mira ose atyre me prirje liberale ose konservatore”, tha Rob McEntarffer, specialist në media.

Lincoln tani po u mëson leximin anësor të gjithë nxënësve të shkollave të mesme në Nju Jork.

Kompania mëmë e Facebook, Meta Platforms Inc., e cila gjithashtu operon me Instagramin, tha se ka zbatuar një sërë mënyrash për të luftuar përhapjen e dezinformatave rreth luftës në Ukrainë në platformat e saj, duke përfshirë uljen e postimeve në Facebook që kanë lidhje me mediat e kontrolluara nga shteti rus, shkruan Gazeta Si. Twitter gjithashtu ka thënë se do të reduktojë dukshmërinë e tëeet-eve që përmbajnë përmbajtje nga mediat e kontrolluara nga shteti rus dhe do t’i etiketojë ato. Twitter gjithashtu ka krijuar një faqe të dedikuar që përmban informacione të besueshme dhe përditësime rreth konfliktit.

Të ngjashme