Lajme
Si qëndron e vërteta e sulmeve të fundit kibernetike në Shqipërisë?
Demokracia
18:58 | 27 Dhjetor 2023

Share:

Shqipëria është goditur së fundmi nga disa sulme të ashpra kibernetike, të cilat duken si një përsëritje e atyre të mesvitit 2022, të cilat më pas çuan edhe në vendimin ekstrem të ndërprerjes së raporteve diplomatike me Iranin – vend nga i cili këto sulme erdhën.

Këtë herë, përtej sulmit ndaj Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, grupimi Homeland Justice, i cili ka marrë përsipër autorësinë si asokohe, ashtu edhe tani, e ka shtrirë goditjen edhe te faqja e Kuvendit të Shqipërisë, te ajo e Drejtorisë së Tatimeve, si edhe te Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Përtej tyre, edhe në disa kompani private…

Sipas vetë AKSHI-t madje, sulmet janë tejet masive dhe janë të shpërndara në formatin ‘Distributed Denial-of-Service’ (DDoS) duke bllokuar rrjetin me tentativa ilegjitime aksesimi të faqeve publike.

Por, vjedhja e të dhënave, mohohet nga ata, kur nga ana tjetër, vetë Homeland Justice kërcënon se do të publikojë materiale dhe email-e me rëndësi në rangje të larta qeveritare dhe disa publikime ditore paralajmëruese, po publikohen prej hakerëve iranianë në platformën e komunikimit Telegram.

Versionet janë kontradiktore, por të paktën është pranuar se ka sulme masive, me të cilat vendi po përballet.

Në një bisedë me Albanian Post menjëherë pas sulmeve, eksperti i sigurisë, Ervin Karamuço, pohoi se ka dyshime për lidhje të këtyre sulmeve edhe nga brenda vendit. Pra, të mos jetë vetëm dora e Homeland Justice e përfshirë.

Teksa, një vit më parë, lidhur me sulmet e 2022-shit, Albanian Post pati komunikuar me kompaninë Mandiant, një ndër më të mëdhatë në botë për sigurinë kibernetike, të cilët pohuan se sulmet ndaj Shqipërisë kanë ardhur nga Irani dhe për këtë është angazhuar edhe FBI-ja amerikane dhe forcat e NATO-s, për të zhbërë dëmin.

Në këtë rast, nëse varianti i autoriteteve shqiptare qëndron, atëherë sulmi ka vetëm natyrë bllokuese dhe nuk përbën rrezik për rrjedhje të dhënash të ndjeshme.

Por, nga ana tjetër, nëse qëndron varianti i Homeland Justice, atëherë grupimi zotëron terabyte të tërë materiale, të cilat mund të jenë edhe të ndjeshme, duke parë institucionet që janë goditur.

Një përgjigje shteruese ende duhet të jepet nga AKSHI mbi atë që ka ndodhur dhe nëse NATO-ja vetë do të përfshihet sërish në mbrojtjen e Shqipërisë kibernetikisht, ashtu si në sulmin e kaluar.

Për të harruar nuk mbetet edhe fakti se tashmë Ballkani (veçanërisht Shqipëria), do të marrë fonde shtesë nga Bashkimi Evropian për mbrojtjen kibernetike dhe është e dukshme se pse ky vendim i Unionit ka ardhur në radhë të parë.

“Gjuetia” vijon ndërkaq, për të kuptuar realisht kush është Homeland Justice dhe pse Shqipëria po goditet në mënyrë të përsëritur kibernetikisht.

Të ngjashme