OpEd
Si po ndikon lufta në Ukrainë në lirinë dhe tregtinë mes vendeve?
Demokracia
14:45 | 19 Mars 2022

Share:

Pushtimi i Ukrainës është goditja e tretë më e madhe për globalizimin në një dekadë. Fillimisht ndodhën luftërat tregtare të Presidentit Donald Trump. Më pas, pandemia në të cilën “ngeci” tregtia e mallrave.

 The Economist

Tani konflikti i armatosur në “shportën e bukës: së Europës, portet e rrethuara të Detit të Zi dhe sanksionet ndaj Rusisë kanë shkaktuar një goditje të madhe të furnizimit që po godet ekonominë botërore.

Çmimet e grurit janë rritur me 40%, europianët mund të përballen me mungesa të gazit gjatë vitit, dhe niveli i prodhimit të nikelit, që përdoret në bateri, përfshirë makinat elektrike është ulur. Në mbarë botën, shumë firma dhe konsumatorë po përballen me probleme në zinxhirët e furnizimit.

Lufta e Vladimir Putinit ka shkaktuar probleme për tregtarët e lirë.

A është e nevojshme që shoqëritë demokratike të kenë bashkëpunime ekonomike me ato autokratike, si Rusia dhe Kina, që abuzojnë me të drejtat e njeriut dhe që rrezikojnë sigurinë?

Në parim, përgjigja është e thjeshtë: demokracitë duhet të kërkojnë të maksimizojnë tregtinë pa kompromentuar sigurinë kombëtare. Në praktikë, kjo është  e vështirë për tu zbatuar. Lufta e Rusisë tregon se nevojitet një rimodelim i zinxhirëve të furnizimit për të parandaluar vendet autokratike që të shtypin ato liberale.

Në Luftën e Ftohtë, Perëndimi dhe blloku totalitar sovjetik kanë pasur bashkëpunime në fushës e energjisë dhe drithërave. Pas rënies së Murit të Berlinit, supozohej gjerësisht se tregtia e lirë dhe liria do të pushtonin botën së bashku, duke përforcuar njëra-tjetrën, raporton abcnews.al

Në vitet 1990, në vendet demokratike, tregtia e lirë  u rrit pasi tarifat  shënuan rënie. Bill Clinton përshëndeti hyrjen e Kinës në sistemin tregtar global në vitin 2000, duke parashikuar se ajo do të kishte “një ndikim të madh mbi të drejtat e njeriut dhe lirinë politike” në vend.

Por në dekadën e fundit, liria ra nën 50% në vendet demokratike. Rezultati është një ekonomi e globalizuar në të cilën autokracitë përbëjnë 31% të PBB-së, ose 14% duke përjashtuar Kinën.

Ndryshe nga BRSS, këto autokraci janë të ndërthurura ekonomikisht me shoqëritë liberale.

Një e treta e importeve të mallrave të demokracive janë prej tyre dhe një e treta e investimeve shumëkombëshe në autokraci vijnë nga demokracitë. Shoqëritë demokratike tregtojnë mbi 15 miliardë dollarë në ditë me vendet autokratike duke blerë copa të prodhimit kinez dhe naftë saudite dhe duke shitur Bulgari dhe Boeings.

Pushtimi i Rusisë i ka treguar Perëndimit rreziqet e tregtisë me kundërshtarët.  Një tjetër është siguria, me Europën e varur nga gazi rus dhe shumë industri të varura nga inputet, duke përfshirë plehrat dhe metalet.

Një varësi e tillë mund t’i bëjë autokracitë më të forta, të dobësojë vendosmërinë e demokracive dhe t’i ekspozojë ato ndaj hakmarrjes në luftë. Ky tension midis logjikës së tregtisë së lirë dhe mbështetjes për liberalizmin politik do të krijojë përçarje më të mëdha.

Tashmë bota është përballur me vite me atë që The Economist e ka quajtur ngadalësim, me tregtinë dhe flukset e kapitalit që kanë rënë në raport me PBB-në.

Disa autokraci tani mund të kërkojnë të shkëputen më tej nga Perëndimi. Kina e ka cilësuar kolapsin e ekonomisë së Rusisë përballë sanksioneve perëndimore si një eksperiment të dështuar nga i cili mund të marrim mësime përpara se të vendosë të pushtojë Tajvanin.

Autokracitë e botës kanë shumë pak të përbashkëta për të formuar një bllok ekonomik koheziv, por ato janë të bashkuara në dëshirën e tyre për të reduktuar ndikimin që Perëndimi ka tek ato, në fushat nga teknologjia deri te rezervat valutore.

Ndërkohë, Perëndimi duhet të përqendrohet drejt një lloji më të kufizuar tregtie me aleatët ushtarakë, apo edhe duke u mbështetuar plotësisht te prodhimi vendas. Globalizimi ka ndihmuar mbi një miliard njerëz që të dalin nga varfëria, dhe lidhjet tregtare dhe informacioni me klasat e mesme në autokraci mbështesin kauzën e liberalizmit.

Zinxhirët e furnizimit forcohen përmes diversifikimit, jo përqendrimit. Dhe duke u izoluar, demokracitë e pasura do të tjetërsonin vendet që nuk duan të mbajnë asnjë anë mes Perëndimit, Rusisë dhe Kinës – vende që përbëjnë një të pestën e PBB-së botërore dhe dy të tretat e popullsisë së saj.

Atëherë, si duhet të rikonfigurohet globalizimi?

Në luftë, ndërprerja e marrëdhënieve ekonomike është mëse e kuptueshme. Në paqe, qëllimi duhet të jetë kufizimi i eksporteve i pjesëve teknologjike drejt regjimeve joliberale.

Kur autokracitë kanë fuqinë të ngjallin panik, siç ka Rusia me gazin, qëllimi nuk duhet të jetë vetë-mjaftueshmëria kombëtare, por përkundrazi t’u kërkohet firmave të diversifikojnë furnizuesit e tyre, duke stimuluar investimet në burime të reja furnizimi nga energjia në elektronikë.

Këto përbëjnë rreth një të dhjetën e tregtisë globale, bazuar në të ardhurat nga eksportet e fuqive autoritare nga mallrat ku ato kanë një pjesë të tregut kryesor prej mbi 10% dhe ku është e vështirë të gjesh zëvendësues.

Putin i ka dhënë një mësim demokracive se ato duhet të ndryshojnë qëndrimin e tyre. Lufta është një tragjedi, por është edhe një moment qartësie.

Vizioni i viteve 1990, se tregtia e lirë dhe liria do të funksiononin së bashkë, tashmë nuk ekziston më. Qeveritë liberale duhet të gjejnë një rrugë të re që kombinon lirinë dhe sigurinë dhe parandalon që ëndrra e globalizimit të zbehet.

Të ngjashme
OpEd • 19 Prill 2024
OpEd • 18 Prill 2024