Lajme
Si po e lexojnë në Serbi kërkesën e Derek Chollet për formim të Asociacionit?
Demokracia
17:29 | 14 Janar 2023

Share:

Zbarkimi i fundit amerikan në Kosovë dhe Serbi nënvizoi domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të qendërzuar në njohje të ndërsjellë, si dhe që qëndrimi i ShBA’së është që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe “duhet të implementohet”.

Kështu tha Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet teksa shtoi edhe se në asnjë mënyrë ShBA nuk mbështet diçka të ngjashme me entitetin serb të Bosnjës, përkatësisht “Republika Srpska”-n. Një formacion i tillë duhet të përkojë me kufizimet që ka vendosur Gjykata Kushtetuese në vitin 2015, u shpreh zyrtari amerikan.

Por, si po e lexojnë këtë këtë kërkesë amerikane në Serbi?

Ish-kryenegociatori serb në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Borko Stefanoviç, thotë se do të gjendet një mes në kërkesat maksimaliste të dyja palëve.

“Nuk mendoj se [Asociacioni] do të jetë një Republika Srpska e as Organizatë Jo-Qeveritare. Mendoj se zgjidhja do të jetë në mes të një OJQ-je dhe pushteteve të forta që kërkon Beogradi, njëjtë sikur nuk besoj që do të jetë diçka kapitalisht e madhe, e cila do të mbrojë serbët, interesat e tyre”, i tha ai “Demostat”-it serb.

Por, sipas Stefanoviç, Kosova ka marrë kërkesa të rrepta nga ShBA’ja që Asociacioni “përfundimisht” të zbatohet, përcjell Insajderi.

Stefanoviç, njëjtë si kasta e pushtetit në Serbi, thotë se “vijat e kuqe” të Serbisë janë se nuk do të ketë njohje të ndërsjellë si dhe se nuk do t’i hapin rrugën Kosovës për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Kjo s’ka të bëjë me asnjë ideologji ose parti politike”, tha opozitari serb. “Prandaj, Kosova duhet të kthehet në korniza që janë realiste”.

Në anën tjetër, gazetari serb, Milivoje Mihajloviç nuk është edhe aq i sigurt nëse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do ta formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Hashim Thaçi e shtynte Asociacionin duke thënë se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, derisa pozicioni i Kurtit është se ‘nuk mund të kemi makiato pa filxhan të makiatos’; pra, nuk mund të ketë Asociacion të Komunave me shumicë serbe pa shtetin e Kosovës, dhe se ky Asociacion mund të formohet vetëm atëherë kur Serbia ta njohë Kosovën”, thotë gazetari serb.

Mes tjerash, gazetari serb supozon se për shkak të situatës së krijuar nga kërkesat e shumta për formimin e saj, mund të ketë edhe zgjedhje të parakohshme në Kosovë. Dhe kjo, thotë ai, varet në do të ketë apo jo formim të Asociacionit

Të ngjashme