“Kryeministri i Kosovës duket i lënduar si një nxënës shkolle që ka menduar se ka bërë gjithçka mirë për t’u përshtatur e megjithatë e kupton se askush s’e do.”
Kështu e niste artikullin britanikja “The Times” , teksa e përshkruante Albin Kurtin pas një interviste që e kishte realizuar me të, rreth një muaj më parë.
Kryeministri i Kosovës në fakt është “leqitur” pothuajse nga të gjitha anët. Me Kurtin, tashmë nuk duan të kenë komunikim as partitë vendore.
Partia Demokratike e Kosovës të hënën ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues, ku kanë diskutuar për situatën aktuale, të tensionuar në vend.
Një ndër vendimet që mori PDK është edhe ndërprerja e çdo komunikimi zyrtar me kryeministrin Albin Kurti, “përveç në situata emergjente apo të jashtëzakonshme ose për të diskutuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme”.
“Nga sot shkëpusim dhe pezullojmë çdo lloj komunikimi zyrtar me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, përveç në situata emergjente apo të jashtëzakonshme ose për të diskutuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme. Këta janë njerëzit që e kanë çuar Kosovën nën sanksione nga SHBA-të, këta janë njerëz që e kanë ndryshuar kursin euro-perëndimor dhe euro-atlantik të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve tanë, këta janë njerëzit që tashmë i kanë sjellë sanksione dhe masa ndëshkuese nga BE-ja”, tha kreu i PDK-së Memli Krasniqi.
Se nuk do të kenë takime me kryeministrin Albin Kurti as zyrtarët e lartë evropiane, është bërë e qartë pas vendosjes së masave ndëshkuese nga BE. Aty theksohet se si pasojë e mosndërmarrjes së hapave nga Qeveria e Kosovës për të shtensionuar situatën në veri, një ndër ndëshkimet është edhe mosftesa e Kosovës në nivele të larta, ku rrjedhimisht, ashtu sikurse PDK-ja, takimet me kryeministrin Kurti do të realizohen vetëm në rastet kur flitet ekskluzivisht për situatën në veri, pa përfshirë tema të tjera.
Sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, të cilat ndodhin për herë të parë që nga paslufta, kryeministri i Kosovës i ka quajtur “të padrejta” , “të përkohshme” duke shpresuar se “do të jenë fort të shkurtra”.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë të hënës, ka refuzuar të marrë pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, duke thënë se do të bojkotojë punën e legjislativiteti përderisa Kosova vazhdon të jetë nën sanksione.
“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Kryesisë për shkak të situatës së krijuar lidhur me sanksionet tashmë të konfirmuara nga BE-ja dhe kryeministri i Kosovës. Ne si Grup Parlamentar vlerësojmë se është e dëmshme për Kosovën dhe është e pamundur që të sillemi sikur të mos ketë ndodhur asgjë.. Nuk do të ketë seanca normale dhe Kuvend normal pa u heq sanksionet ndaj Kosovës”, ka thënë Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së.
Siç ka theksuar prestigjozja “The Times”, Albin Kurti me siguri e ka kuptuar se askush nuk s’e do, por gjithashtu Kurti mund të mendojë se “ka bërë gjithçka mirë për t’u përshtatur”./Periskopi/