OpEd
Si mposhtet Rusia?| Ja çfarë na mëson qasja e suksesshme e Ronald Reganit ndaj Bashkimit Sovjetik
Demokracia
12:14 | 03 Prill 2022

Share:

Nga Bret Baier “Fox News”

Në majin e vitit 1988, presidenti amerikan Ronald Regan dhe bashkëshortja e tij Nensi Regan zhvilluan një vizitë historike në Moskë, në zemër të Bashkimit Sovjetik. Tridhjetë vjet më vonë, kur bisedova me ish-ndihmësit e Reganit për librin tim të ri “Tri ditë në Moskë: Ronald Regani dhe shembja e Perandorisë Sovjetike”, ata kishin ende kujtime shumë të freskëta të asaj vizite.

Ata kujtonin ngrohtësinë e njerëzve, madhështinë e Pallatit të Madh të Kremlinit ku u takuan me liderin sovjetik Mikail Gorbaçov, praninë e kudo ndodhur të agjentëve të KGB-së të veshur si qytetarë të zakonshëm, pyetjet dhe shpresa në sytë e studentëve që u mblodhën në Universitetin Shtetëror të Moskës për të dëgjuar fjalimin e presidentit amerikan.

Kam sjellë shpeshherë ndërmend historitë e tyre në një perandori në prag të rënies dhe për bindjen e palëkundur të Reganit se duke u dhënë një mundësi, njerëzit do të zgjedhin gjithmonë lirinë. Ky mesazh ka sot një rezonancë të re. Regan ishte zgjedhur president gati 8 vite më parë, një armik i hapur i Bashkimit Sovjetik.

Ai e quajti atë “perandoria e së keqes”, dhe parashikoi se do të “përfundonte një ditë në koshin e plehrave të historisë”. Asnjë president nuk kishte përdorur ndonjëherë një gjuhë kaq të ashpër më parë. Madje edhe bashkëshortja e tij Nensi, iu lut që të zbuste disi tonet.

Por ai refuzoi dhe populli amerikan ishte kryesisht pas tij. Brezi i pas Luftës së Dytë Botërore kishte jetuar gjatë gjithë jetës nën kërcënimin e Luftës së Ftohtë, dhe ai besonte se Bashkimi Sovjetik ishte rreziku më i madh për Amerikën.

Regan ruajti retorikën e tij të ashpër ndaj sovjetikëve në vitet e para të presidencës së tij, por dukej se kishte pak hapësirë për përparim. Më pas në vitin 1985, gjërat ndryshuan kur në krye të Bashkimit Sovjetik u ngjit Mikail Gorbaçov.

Ai kishte disa ide moderne, si për shembull Glasnost, që prezantoi një hapje të re; dhe Perestrojka, një projekt për të ristrukturuar modelin e vjetër ekonomik komunist. Regan e mbështeti nismën e Gorbaçovit dhe deklaroi: “Ai është një lloj udhëheqësi sovjetik i ri”.

Regani dhe Gorbaçovi e kuptuan se kishin një qëllim të përbashkët. Në kushtet kur arsenalet bërthamore ishin të gatshme të godisnin njëri-tjetrin me shtypjen e një butoni, ata ndjenë  detyrimin e përbashkët për të provuar dhe reduktuar kërcënimin e një lufte bërthamore.

Në fillim shumë ekspertë amerikanë të politikës së jashtme, menduan se Reagan ishte një naiv i pashpresë. Por ai zhvilloi një seri samitesh me Gorbaçovin. Duke filluar që me samitin e parë të zhvilluar në një vilë buzë liqenit të Gjenevës në Zvicër në nëntorin e vitit 1985, të dy udheheqësit nisën një përpjekje shumëvjeçare për të gjetur gjuhën e përbashkët për zbutjen e kërcënimve nga Lufta e Ftohtë.

Takimet e tyre ishin shpesh të tensionuara, rraskapitëse dhe joproduktive. Por gradualisht ata ecën drejt marrëveshjeve të caktuara. Në këtë proces ata filluan të kuptojnë njëri-tjetrin, madje arritën të kenë një lloj miqësie edhe pse të brishtë.

Regani do të përplasej shpesh me Gorbaçovin, ndonëse ky i fundit ishte më i hapur sesa  paraardhësit e tij, sërish ai mbetej besnik ndaj linjës së Partisë Komuniste. Gjithsesi ata nuk hoqën asnjëherë dorë nga misioni i tyre kryesor: parandalimin e mundësisë së një konflikti bërthamor.

Gjashtë muaj përpara se çifti Regan të vizitonte Moskën, Gorbaçovi dhe gruaja e tij Raisa vizituan Uashingtonin, ku 2 udhëheqësit do të nënshkruanin një traktat për të reduktuar armët bërthamore me rreze të mesme. Gorbaçovi ishte shumë popullor në Amerikë, edhe pse popullariteti i tij në Bashkimin Sovjetik nisi të binte.

Amerikanët e donin sjelljen perëndimore të Gorbaçovit, buzëqeshjen e tij, gruan e tij që vishej sipas modës perëndimore. Atyre u pëlqente që ai e thërriste presidentin tonë në emër. Ai dukej se përfaqësonte një epokë të re. Kur makina e tij po udhëtonte në Connecticut Avenue, Gorbaçovi zbriti papritmas nga makina për të përshëndetur një turmë njerëzish që bërtiste: “Ne të duam!”.

Ajo vizitë e suksesshme hodhi bazat për udhëtimin e çiftit Regan në Moskë. Atje Regan do t’i bënte jehonë performancës populiste të Gorbaçovit në SHBA, duke shëtitur nëpër Sheshin e Kuq, dhe duke bërë më pas një shëtitje spontane me Nansin në lagjen Arbat, ku u pritën nga brohoritjet e banorëve vendas.

Edhe pse nuk ia zbuloi asnjëherë Reganit, Gorbaçovi e dinte se sistemi sovjetik po dështonte. Në librin e tij të vitit 2011, Rusia e re, Gorbaçovi shkroi: “Ishim në një situatë politike pa rrugëdalje, stanjacion ekonomik, një grumbullim të problemeve sociale të pazgjidhura, shkelje të të drejtave dhe dinjitetit të qytetarëve”.

Bota moderne, pra bota e lirë, po ushtronte shumë presion ndaj kufizimeve të ideologjisë sovjetike. Fasada deri atëherë e fuqishme po çahej, ndërsa republikat nën dominimin sovjetik, përfshirë Ukrainën, u rebeluan dhe kërkuan pavarësi. Ekonomia pësoi kolaps, pasi mania idiote për dominim global, e mishëruar nga pushtimi i Afganistanit, e përshpejtoi disfatën.

Programi sovjetik i ndërtimit të perandorisë, ishte ekonomikisht i paqëndrueshëm. Dhe njerëzit nuk donin më të jetonin në atë mënyrë. Byroja Politike ishte gjithnjë e më jashtë kontaktit me popullsinë që mbante kontroll. Në vitin 1989, u shemb Muri i Berlinit pas një rebelimi popullor në Gjermaninë Lindore, ndërsa rebelimet vazhduan edhe në republikat sovjetike, transmeton CNA.

Ukraina shpalli sovranitetin e saj në korrik 1990 dhe u shkëput nga Bashkimi Sovjetik në verën e vitit 1991, pas një grushti shtetit të dështuar. Ditën e Krishtlindjes të vitit 1991, Gorbaçov dha dorëheqjen dhe të nesërmen Bashkimi Sovjetik u shpërbë zyrtarisht.

Sot njohim një njeri që refuzoi ta pranonte fundin e Bashkimit Sovjetik, Vladimir Putin. Në kohën e vizitës së Reganit, Putin ishte një operativ i ri i KGB-së me mision në Gjermaninë Lindore. Me kalimin e viteve ai erdhi në pushtet, duke iu referuar shpesh rënies së Bashkimit Sovjetik si katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit XX, duke deklaruar vazhdimisht se ajo që do të dëshironte më shumë ishte rikthimi edhe njëherë i tij.

Për 30 vite ai ka vajtuar për atë që e percepton si shkatërrimin e atdheut rus, i cili sipas tij shtrihet në territore të tjera. Ky besim qëndron pas pushtimit të Gadishullit të Krimesë në vitin 2014, dhe pas pushtimit të tij aktual në Ukrainë.

Para pushtimit, Putin deklaronte shpesh se Rusia dhe Ukraina ishin “një popull”. Ai fliste për popullsi rusisht-folëse të pakënaqura brenda Ukrainës, dhe besonte qartë se këto të fundit do ta festonin si një çlirim pushtimin rus.

Megjithatë, ai ka dërguar raketa, predha dhe ushtarë në ato zona, duke shënjestruar civilët dhe duke shkatërruar shtëpitë, shkollat, dhe spitalet e tyre. Simpatitë pro-ruse po shpërbëhen me shpejtësi për shkak të brutalitetit të Putinit. Ukrainasit që flasin rusisht janë ende ukrainas dhe po i kundërpërgjigjen trupave ruse. Është joshëse të spekulohet, se çfarë do të thoshte Regani po të ishte sot gjallë, duke parë përpjekjet e Putinit për të rindërtuar Bashkimin Sovjetik.

Regani nuk dyshoi asnjëherë se Bashkimi Sovjetik ishte i dënuar të shpërbëhej, për faktin e thjeshtë se një sistem nuk mund të mbijetojë pa liri. Ai besonte se fundi i BRSS nuk do të vinte nga agresioni i jashtëm, por nga një kolaps i brendshëm, gjë që ndodhi.

Reagan mendonte se populli sovjetik do të joshej nga premtimi i vetëvendosjes dhe lirisë, dhe ai e përdori vizitën e tij në Moskë për t’i bërë thirrje qytetarëve sovjetikë të aspironin një jetë më të mirë. Vizita e tij kulmoi me një fjalim para një turme kryesisht të rinj në Universitetin Shtetëror të Moskës.

Duke qëndruar poshtë një busti të madh të Leninit, Regani pa një sallë të mbushur plot dhe i ftoi të pranishmit të mendonin ndryshe mbi botën, dhe t’i jepnin fund armiqësive me Perëndimin. Me zërin e tij të ngrohtë e melodik, të cilin bashkatdhetarët e njihnin aq mirë, ai i tundonte sovjetikët me të vërtetat e tyre: “Më kanë thënë se në vendin tuaj ka një këngë popullore, refreni ndjellës i së cilës shtron pyetjen: “A duan luftë rusët?”. Në përgjigje, teksti i këngës vazhdon: “Shko dhe pyet për këtë heshtjen që nderet në ajër, sipër thuprës dhe plepit atje tej; poshtë tij prehen ushtarët e vrarë. Shko pyet nënën, gruan time; atëherë nuk do të kesh nevojë të pyesësh më “A duan luftë rusët?”.

Janë qeveritë dhe jo njerëzit që bëjnë luftëra. Asnjë nënë nuk do t’i sakrifikonte kurrë djemtë e saj për përfitime territoriale, për avantazhe ekonomike, për ideologji. Një popull i lirë për të zgjedhur do të zgjedhë gjithmonë paqen”.

Regan ishte i sigurt teksa u fliste të rinjve rusë për mundësitë që ofronte liria. Ai e dinte se ata po e përjetonin atë mall, ashtu si të rinjtë në mbarë Bashkimin Sovjetik. Terrori i Luftës së Ftohtë kishte filluar të tërhiqej. Mundësia e lirisë ndihej në ajër. Bashkimi Sovjetik po binte, dhe nuk kishte më kthim pas.

Të ngjashme
OpEd • 30 Qershor 2024