Lajme
Si ia ndaloi gjyqtari i Speciales prokurorisë të bëjë pyetje për incidente jashtë periudhës së aktakuzës?
Demokracia
11:09 | 20 Prill 2023

Share:

Procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Hagës është intensifikuar. Dëshmitari i dytë tashmë është afër fundit të dëshmisë së tij, përderisa java tjetër nuk është planifikuar për ndonjë seancë.

Megjithatë, një vendim tejet i rëndësishëm por që u diskutua pak, ndërlidhet me pyetjet që Prokuroria po ua bën dëshmitarëve.

Mbrojtja e Rexhep Selimit kishte dorëzuar një mocion me të cilin kërkonte që t’i ndalohej prokurorëve të drejtojnë pyetje për incidente të ndryshme në Kosovë, por që nuk ndërlidhen aspak me periudhën për të cilën akuzohen krerët e UÇK-së.

“Mbrojtja e Selimit ka paraqitur mocion dhe kundërshton dëshminë e dëshmitarit për dy incidente të pretenduara që kanë ndodhur jashtë periudhës kohore të aktakuzës”, kishte thënë fillimisht gjykatësi Charles Smith.

E më pas ky mocion u miratua, dhe prokurorisë iu vë ndalesë që të bëj pyetje të cilat nuk përkojnë me aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

“Ky informacion i dhënë është i paverifikueshëm. Trupi gjykues miraton mocionin e mbrojtjes së Selimit. Nuk lejohet ZPS-ja të bëjë pyetje për incidentet e përshkruara në paragrafet 3.16.23 të materialit. Sa i takon dëshmisë së dëshmitarit, duhet redaktuar referencat lidhur me këto sulme nga çdo material që synojnë të paraqesin si prova. Së fundmi, palët duhet t’i dorëzojnë versionet e redaktuara deri të hënën”, tha Smith.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi akuzohen për vepra të ndryshme penale të cilat janë kryer ndërmjet marsit 1998 deri më shtator 1999. Pavarësisht se pjesa më e madhe e seancave ishin private, nga ky mocion u la të kuptohet se prokuroria ka tentuar të pyes dëshmitarët edhe për incidente që nuk ndërlidhen fare me periudhën e aktakuzës.

Historia e përsëritur

12 qershori i vitit 1999 shënon përmbylljen e bombardimeve, dhe fundin e regjimit të Millosheviqit në Kosovë. Njëkohësisht edhe fundin e luftës ndërmjet UÇK-së e forcave serbe. Megjithatë, afati kohor se kur është mbyllur lufta në Kosovë, ka shkaktuar paqartësi në Gjykatën Speciale.

Ka qenë një vendim shumë kohë më parë nga gjyqtari i procedurës paraprake që në aktakuzën e konfirmuar, e kishte aprovuar si periudhë për krimet e luftës marsin 1998 deri në shtator 1999. Me këtë nuk është pajtuar sërish mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Avokati i Thaçit në një parashtresë të dorëzuar te trupi gjykues kishte kërkuar që periudha e konfliktit të armatosur të jetë më së largu 20 qershori 1999, raporton gazeta Nacionale.

“Mbrojtja e Thaçit kërkon nga Paneli që të ftojë Prokurorinë që të ngushtojë shtrirjen kohore të aktakuzës në ngjarjet “më ose para datës 20 qershor 1999” (“Kërkesa e Parë”). Nëse Prokuroria refuzon ftesën e Panelit, Mbrojtja e Thaçit kërkon që Paneli të urdhërojë Prokurorinë që të ngushtojë shtrirjen kohore siç është treguar më lart (“Kërkesa e Dytë”). Përveç kësaj, Mbrojtja e Thaçit kërkon nga Kolegji që të urdhërojë ngushtimin (e mëtejshëm) të shtrirjes kohore dhe gjeografike të Aktakuzës, siç e gjykon të nevojshme nga Kolegji për të mbrojtur të drejtën e të Akuzuarit për gjykim të shpejtë (“Kërkesa e Tretë”)”, thuhej në këtë parashtresë.

“Mbrojtja Thaçi pretendon se: (i) konflikti i armatosur në Kosovë ka përfunduar jo më vonë se 20 qershor 1999, që është data e nënshkrimit të Marrëveshjes për Demilitarizim nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (“UÇK”), dhe Prokuroria nuk ka ofruar asnjë arsyetim se pse Paneli duhet të rishqyrtojë konkluzionet e tilla”, thuhet aty.

Në një formë, trupi gjykues në vendimin e tij e ka lënë të hapur mundësinë që periudha kur ka zgjatur lufta, të shqyrtohet pasi të zhvillohet gjykimi.

“Për më tepër, trupi gjykues rikujton se në vendimin e parë konfirmues, gjyqtari i procedurës paraprake, pasi kishte shqyrtuar materialet përkatëse mbështetëse, konstatoi se Prokuroria kishte krijuar dyshime të bazuara se i Akuzuari kishte kryer ose marrë pjesë në kryerjen e krimeve të luftës dhe krimet kundër njerëzimit nga të paktën marsi 1998 deri në shtator 1999. Duke kujtuar se e drejta ndërkombëtare humanitare zbatohet përtej ndërprerjes së armiqësive, derisa të arrihet një mungesë e qëndrueshme e konfrontimeve të armatosura, gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi më tej se ekziston një dyshim i bazuar se, nga së paku mars 1998 deri më 16 shtator 1999, në Kosovë ekzistonte një konflikt i armatosur jondërkombëtar në kuptim të nenit 14(2) ndërmjet forcave serbe dhe UÇK-së”, thuhet në arsyetimin e trupit gjykues.

“Në lidhje me këtë, Paneli thekson se: çështja (ligjore) nëse ka ekzistuar apo jo një konflikt i armatosur në Kosovë pas datës 20 qershor 1999 (dhe së paku deri në shtator 1999) varet nga gjetjet faktike; dhe gjetjet e tilla mund të bëhen nga Paneli vetëm pasi të ketë ekzaminuar siç duhet të gjitha provat e ofruara gjatë gjykimit”, përfundon parashtresa.

Krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim nga muaji nëntor i vitit 2020.

Të ngjashme