Lajme
Si i habiti ARBK-ja ndërkombëtarët për të keq rreth rastit Klan Kosova
Demokracia
12:46 | 29 Korrik 2023

Share:

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes një njoftimi që e publikoi të premten në llogarinë e saj në Facebook, ku kumtohej lajmi se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka refuzuar ankesën e Klan Kosovës, i befasoi për të keq partnerët ndërkombëtarë.

Kjo u vërejt për shkak të reagimeve të shumta që erdhën nga shtete që e kanë ndihmuar në çlirimin e Kosovës si dhe të organizatave ndërkombëtare që po ashtu e kanë ndihmuar Kosovën të rritet demokratisht.

Vetëm një orë pas njoftimit të MINT-it, reagoi Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, duke e quajtur këtë vendim të ARBK-së si “ditë të zezë të censurës shtetërore”.

“Ditët e zeza të censurës shtetërore janë mbi Kosovën. Qeveria më në fund arriti të mbyllë Klan Kosovën. Qeveria e Albin Kurtit po e zhyt vendin në iliberalizmin më konservator, me përbuzjen më të madhe për vlerat e BE-së”, ka shkruar Gutierrez në Twitter.

Reagimi pati edhe nga Qendra Evropiane për Shtyp dhe Liri të Medias, e cila e ka cilësuar këtë vendim si të paprecedent në historinë e re të Kosovës.

“Kjo është e paprecedentë në historinë e re të Kosovës dhe rrezikon seriozisht pluralizmin, lirinë e mediave dhe dërgon një mesazh të qartë për mediat tjera. I bëjmë thirrje Klan Kosovës që të luftojë kundër vendimit para gjykatave kombëtare”, thuhet në reagimin e kësaj organizate në Twitter.

Ndërsa, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka shprehur brengën lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për televizionin më të madh në vend.

“Mbyllja e një prej medieve më të mëdha të Kosovës do të ishte një goditje e rëndë për lirinë e medieve”, ka shkruar ai.

Reagim pati edhe nga Organizata Reporterët pa Kufij pas vendimit të MINT-it për refuzimin e ankesës së Klan Kosovës për pezullimin e certifikatës së biznesit.

“Kosovë: pluralizmi i informacionit kërcënohet rëndë me refuzimin e ankesës nga media më e madhe private në vend, Klan Kosova! Duke e lënë në fuqi pezullimin e certifikatës së saj të biznesit, qeveria e Albin Kurtit po e shtyn atë drejt mbylljes. Ky vendim duhet të tërhiqet”, thuhet në reagim

Ndërsa Misioni i OKB-së në Kosovë, e ka cilësuar këtë vendim të kësaj ministrie si një goditje të rëndë për mediat e pavarura të Kosovës.

“Kjo është një goditje e veçantë për mediat e pavarura të Kosovës, duke shkaktuar shqetësime serioze për liritë e mediave”, ka thënë Shefja e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Caroline Ziadeh.

Shtetet e QUINT-it dhe BE-së po ashtu reaguan duke thënë se shprehin shqetësimin e tyre të thellë me vendimin që konfirmon pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

“Revokimi i licencës së çdo medie është një hap domethënës që kërkon shqyrtim rigoroz. Liria e shprehjes dhe informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike. Presim një proces ligjor të drejtë dhe transparent për zgjidhjen e situatës”, thuhet në reagim.

Shefi i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE në Kosovë, Michael Davenport, ka theksuar se ky vendim i MINT-it e thellon edhe më tej shqetësimin e tij.

Vendimi i sotëm për të konfirmuar pezullimin e licences së biznesit të Klan Kosovës thellon shqetësimin tonë. Besoj se në diskutimet e tij, Komisioni i Pavarur për Media do të respektojë përgjegjësinë e tij për të mbrojtur lirinë dhe pluralizmin e medias në Kosovë”, ka shkruar Davenport në Twitter.

Pak para mesnatës, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, ka në një përgjigje për Albanian Post, e ka cilësuar këtë vendim të Qeverisë Kurti si një strategji terrori, të ngjashme  me atë që vërejmë në Rusi dhe Bjellorusi.

“Mesazhi është shumë i qartë: qëllimi është të frikësohen të gjitha mediat duke u treguar atyre se qeveria ka fuqinë të mbyllë televizionin kryesor privat të vendit brenda pak javësh. Është një strategji terrori e ngjashme me atë që vërejmë në Rusi dhe Bjellorusi”, theksoi ai për Albanian Post.

Derisa mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë për Klan Kosovën është e gjerë, kjo e fundit ka bërë të ditur se në asnjë rrethanë nuk do ta pranojë një qasje të tillë autoritare nga institucionet e shtetit dhe se këtë çështje do ta dërgojë në gjykatë.

Të ngjashme