Lajme
Si e “ringjalli” Lajçaku Asociacionin, të cilin Gërvalla e kishte shpallur “të vdekur”?
Demokracia
14:13 | 21 Tetor 2023

Share:

Pesëshja diplomatike perëndimore ka përfunduar takimin me kryeministrin Albin Kurti dhe është nisur për Beograd.

Mesazhi kryesor për Kosovën i emisarëve të dialogut ishte zbatimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Pas takimit me kryeministrin Kurti, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovës – Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se Kosova nuk mund të bëj progres në rrugën e saj evropiane pa zbatimin e asociacionit.

Në këtë mënyrë, emisari i BE-së ka “ringjallur” Asociacionin, të cilin ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e kishte shpallur të “vdekur”, raporton Nacionale.

Diplomati evropian ka thënë se ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin se Kosova dhe Serbia kanë obligime nga dialogu.

“Ne presim nga Kosova dhe Serbia që t’i plotësojnë tërësisht detyrimet e tyre brenda dialogut. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin se Kosova dhe Serbia bënë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të këtij viti”, ka thënë Lajçak.

Ai ka bërë me dije se pala kosovare nuk duhtë të bëj vonesa në formimin e Asociacionit.

Këtu, ne duhet ta nënvizojmë nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë pa asnjë vonesë tjetër. Pa këtë, nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës” është shprehur Lajçak.

Gërvalla e kishte shpallur të “vdekur”

Pas sulmit të 24 shtatorit, institucionet e Kosovës kanë bërë me dije se ky agresion do të këtë ndikim të madh në procesin e dialogut me Serbinë.

Madje, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e kishte shpallur të vdekur këtë çështje.

Ajo kishte thënë se tashmë dialogu do të ketë prioritet tjera.

Kryediplomatja kishte vlerësuar se edhe për ndërkombëtaret Asociacioni kishte vdekur.

Të them të drejtën pas të dielës çdo bisedë për Asociacionin më duket e tepërt dhe nuk kanë kuptim. Asociacioni ka vdekur për ne dhe ndërkombëtarët. Të koordinojmë punën e komunave në veri të Kosovës është dallim tjetër. Janë katër parime të mos shkelë sovranitetin, Kushtetutën, të mos dëmtojë dhe të jenë koordinues”, kishte thënë Gërvalla në një intervistë për Top Channel.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Alban Bajrami, mendonte njëjtë.

Asociacioni me kompetenca ekzekutive është i vdekur. Për shkak se kështu e ka thënë kushtetute e RKS-së dhe Gjykata Kushtetuese. Mund të them që Asociacioni për të cilin e para sheh Gjykata Kushtetuese nuk e kemi problem ta bëjmë, por, Asociacion me kompetenca ekzekutive nuk mund të ketë edhe sikur të mos kishte ekzistuar kjo ngjarje (sulmi i Bansjkës) për shkak se shtetësia e Kosovës, është më e rëndësishme se mandati politikë, Qeverisë, Kuvendi e deputet që mund të jenë aty”, kishte thënë ai, në emisionin “FIVE” të RTV Dukagjini.

Të ngjashme