Sport
Si e pranoi ofertën e Ballkanit? Ilir Daja zbulon detajet: Fillimisht shikova disa ndeshje
Demokracia
18:35 | 24 Janar 2022

Share:

Pas largimit nga skuadra e Partizanit, trajneri i mirënjohur shqiptar, Ilir Daja u zyrtarizua tek skuadra e Superligës së Kosovës, Ballkanit.

Daja ka zbuluar detaje nga pranimi i ofertës për drejtimin e Ballkanit, përshtatja në Kosovë dhe ecurinë e stërvitjeve në Antalia të Turqisë.

Për trajnerin Daja, kjo është hera e parë që drejton një skuadër nga Kosova dhe ambientimi në fillim qe i vështirë.

“Si çdo fillim ka vështirësinë e vet, sepse është përshtatja. Por ma kanë lehtësuar edhe drejtuesit të cilët i falenderoj. Edhe futbollistët janë djem të përkushtuar dhe ai fillim që do të ishte në çdo vend ka qenë pak ma i lehtë në start”.

Daja tutje zbuloi detaje se si kishte pranuar ofertën nga drejtuesit e Ballkanit, ku theksoi se kishte kërkuar t’i shihte disa ndeshje të stinorit vjeshtor.

“Menjëherë pas mbylljes së marrëveshjes me Partizanin jam kontaktuar nga drejtuesit e klubit, më saktë nga drejtori, Nderim Nexhipi. Kam kërkuar kohë, që të shoh disa ndeshje të Ballkanit në këtë gjymsën e parë të kampionatit. Dhe mbasi pash që projekti ishte pozitiv mendova që të nis këtë eksperiencë në Kosovë” – tha trajneri i Ballkanit për insportin.

Skuadra e Ballkanit e shkarkoi trajnerin Bekim Isufi pas vetëm 6 muajve në krye të klubit, duke përmbyllur stinorin në pozitën e tretë me 33 pikë të grumbulluara.

Trajneri i ri i suharekasëve e përgëzon këtë të fundit për punën me klubin.

“Ballkani ka bërë gjysmën e sezonit, dhe e përsërisë se stafi që ka qenë më parë ka bërë një punë të mirë. I falenderoj kolegët për punën e mirë. Unë nuk jam nga ata trajnerë që premtoj se çka do të bëhet, unë premtoj tifozëve të Suharekës punë maksimale, teksa te rezultatet më mirë të përqëndrohemi javë pas jave”.

Teksa, ekipi gjenden në Antalya të Turqisë ku po zhvillojnë përgatitjet për stinorin pranveror, Daja u shpreh i kënaqur me futbollistët dhe theksoi se nuk ka futbollistë të lënduar.

“Kemi filluar me stërvitje me 5 janar, në ato ditët e para të dhjetorit, plotësuam ushtrimet në një fushë sportive të mbyllur pasi moti ishte i ftohtë. Në Antalia kemi ardhur që 5 ditë. Kemi zhvilluar dy stërvitje në ditë. Lojtarët janë në ngarkesë, gjë që u pa edhe në ndeshjen e sotme. Deri në këto momentë nuk kemi pasë asnjë të lënduar dhe kjo është një gjë pozitive. Shpresoj që të vazhdojmë kështu, në mënyrë që ta startojmë kampionatin me një ritëm sa më të mirë” – përfundoi ai.

Ndryshe, 55 vjeçari karrierën si menaxher e filloi në vitin 2005/06 me skuadrën e Elbasanit ku arriti të shpallet kampion në Kategorinë Superiore.

Një sukses të tillë ai e ka arritur edhe me skuadrën e Dinamo Tiranës, dhe me skuadrën korçare të Skënderbeut.

Të ngjashme