Lajme
Si e mbronte Kurti draft-statutin europian për Asociacionin që refuzoi ta çojë në Gjykatë për pranim në KiE
Demokracia
16:27 | 22 Maj 2024

Share:

“Është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, thoshte kryeministri për draft-statutin e BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Hartuesit e tij, thuhej se ishin “kujdesur në maksimum që t’i përmbushin kushtet e zotit Kurti”. Albin Kurti e mbrojti atë draft-statut edhe përballë opozitës në Kuvend. Tash e konsideron të papranueshëm këtë dokument, të cilin refuzoi ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese si kusht për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Europës.

Kosova dështoi të anëtarësohej në Këshillin e Europës javën e kaluar.

“Në këto javët e fundit u përballëm me një kusht të ri, i cili nuk ka të bëjë aspak me standardet e anëtarësimit në këtë organizatë”, tha kryeministri para dy javësh në një mbledhje të Qeverisë, duke paralajmëruar në njëfarë mënyre zhgënjimin që do të vinte në javën pasuese. “Ne dëgjuam se ka kryeqytete, që tash po e kushtëzojnë finalizimin e procesit të anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, tha Albin Kurti në atë mbledhje. Fjalën e kishte për draft-statutin e Bashkimit Europian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin emisari i Brukselit, Miroslav Lajçak dhe përfaqësues të Gjermanisë e Francës ia kishin sjellë atij në Prishtinë më 21 tetor të vitit të kaluar.

Draft-statutin të cilin BE-ja e përshkruan si model modern e europian për çështjen e adresimit të të drejtave të pakicave, Qeveria refuzoi ta dërgojë për shqyrtim në Kushtetuese. Kurti tha se ai është “një jo-dokument, pra një ‘non paper’”.

“Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente, të cilat nuk i ka pranuar e nuk janë zyrtare në Gjykatë Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, tha kryeministri.

Për ta arsyetuar refuzimin e kushtit, Kurti tregoi “vërejtjet kapitale” që tha se i kishte për draft-statutin e BE-së për Asociacionin.

“Më lejoni të përsëris se Qeveria nuk e ka pranuar draftin e propozuar nga emisari Lajçak, sepse ai është refuzuar me 26 tetor 2023, e dy ditë para kësaj unë kam dorëzuar vërejtjet e mia kapitale për atë draft-statut, pra me 24 tetor”, tha Kurti.

Më 26 tetor 2023, Kurti kishte shkuar në Bruksel, pasi kishte lexuar në Prishtinë një plan të ri për dialogun, të cilin ia sollën më 21 shtator pesë diplomatë nga Europa e Amerika, përfshirë të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Atje, para kacelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, ishte shprehur i gatshëm të nënshkruante për themelimin e kësaj bashkësie komunash sipas draft-statutit europian.

“Pas më shumë se një dekade të insistimit në Asociacion, në Zajednicë, Serbia dje ka refuzuar që ta nënshkruante një draft për vetëmenaxhim që është sjellë nga vetë Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, pati thënë Kurti në një konferencë për media të nesërmen, me t’u kthyer në Prishtinë, nga ku e denonconte presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për sjelljen destruktive të një dite më parë.

Kurti thoshte se ai takim tregonte për “rëndësinë që Bashkimi Europian dhe krerët e Bashkimit Europian i kushtojnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Republika e Kosovës e çmon lart angazhimin e Bashkimit Europian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të krerëve të tyre, të emisarëve të tyre dhe i falënderojmë për rolin dhe kontributin e tyre”, shprehej ai.

Përmes refuzimit të Vuçiqit për të nënshkruar, Kurti e lavdëronte përmbajtjen e draft-statutit të BE-së.

“Ju e dini që në të kaluarën lavdëroheshin me nënshkrimet që i bënin me pararendësit e mi, ndërkaq tash nuk duan, pikërisht për shkak të përmbajtjes, për shkak të kuptimit që kanë këto tekste të këtyre marrëveshjeve”, deklaronte Kurti.

Draft-statutin e BE-së e lavdëronte shumë, megjithëse në fakt nuk ishte krejt i sigurt që draft-statuti s’do të binte ndesh me Kushtetutën, përveçse thoshte se gjithçka do t’i nënshtrohej vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Drafti për vetëmenaxhim, që e kanë sjellë, është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, dhe që nëse do të nënshkruhej, aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, theksonte Kurti.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi thoshte në atë konferencë se “sponsorët e këtij dokumenti kanë deklaruar, kanë siguruar se gjatë përpilimit të propozimit të tyre, i cili nuk është propozim merre ose lëre, janë kujdesur në maksimum që t’i përmbushin kushtet e zotit Kurti që në plotni të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i dhjetorit të vitit 2015”.

Ndërmjetësi europian, Miroslav Lajçak deklaronte se Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq ishin shprehur të gatshëm për ta zbatuar marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Ai thoshte se të dy kishin komente dhe pyetje mbi propozimin europian për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilat do të sqaroheshin “javëve në vijim”.

Me kërkesë të partive opozitare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 3 nëntor të vitit të kaluar do të raportonte para Kuvendit për draft-statutin e propozuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin e mbrojti e e lavdëroi edhe atje.

“E para, drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Republikës së Kosovës që ishte çimetuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Pra, në gjykimin tim politik, drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës, si një shtet i pavarur në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues minues për Republikën në njohje të shtetit sovran dhe të integritetit tonë territorial”, deklaronte Kurti.

Kjo qartësi, Kurti thoshte se nuk paraqet “Zajednicë”, sepse “asisoj do të ishte i padiskutueshëm”.

Megjithatë, shefi i Qeverisë thoshte se draft-statutin ende nuk e kishte pranuar zyrtarisht. “Ta pranosh nënkupton të pajtohesh që të ndërmarrësh obligime për zbatimin e draftit”, shprehej ai, duke shtuar se ka ofruar që ta nënshkruajë atë dhe “si rrjedhojë ta pranoj”.

“Drafti në vlerësimin tim politik e bën të qartë që mekanizmi që do të themelohet do të ketë karakter koordinues dhe bashkëpunues. Pra, nuk do të paragjykojë e as ndërhyjë në kompetencat e komunave të organeve qendrore e kështu me radhë”, deklaronte Kurti, duke iu përgjigjur kritikave të opozitës në Kuvend.

Për draft-statutin që tash e konsideron të papranueshëm, Kurti thoshte në Kuvend se “ia mbyll hapësirën e përdorur nga Serbia që serbëve në Kosovë t’iu projektojë një të ardhme jashtë kufijve të Kosovës apo në mosnjohje të kufijve të Kosovës”.

“Pra, drafti e bën të qartë që vendi është Republika e Kosovës dhe e ardhmja është bashkëjetesa në institucionet dhe në kufijtë e Republikës së Kosovës. Kjo i bie që Serbia do të duhej të hiqte dorë nga premisa që serbët në Kosovë jetojnë në Serbi apo që serbët në Kosovë mund të kenë aspirate shkëputëse territoriale apo autonomi jashtë Republikës së Kosovës, jashtë ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës”, deklaronte ai.

Kurti përmendte se sipas atij drafti, për çdo ndryshim në statutin e Asociacionit, do të bëhet pasi të jetë pranuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, pasi Gjykata Kushtetuese të ketë dhënë aktgjykim lejues.

“Kjo e përmbysë atë që e ndërtonin marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, përkatësisht supozimin që e krijonin ato që pjesëmarrësit në një asociacion do të jenë të lirë ta avancojnë atë në një drejtim të panjohur. Një drejtim i tillë i panjohur më nuk ekziston dhe tash drejtimi është i qartë dhe i njohur e ajo është Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës, kapërcimet, avancimet e tejkalimet nuk lejohen dhe nuk mund të ndodhin”, shprehej bindshëm shefi i Ekzekutivit.

Në diskutimin me deputetët opozitarë, Kurti thoshte se drafti europian është “pakrahasueshëm më i mirë” sesa marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.

“Përkundër kësaj, që është pakrahasueshëm më i mirë, me datën 24 tetor ja kam dërguar kritikën time dhe vërejtjet e mija emisarit evropian Lajcak, dy ditë para takimit në Bruksel”, deklaronte ai.

Refuzimi i dërgimit të këtij draft-statuti në Gjykatën Kushtetuese tash po e mban Kosovën jashtë Këshillit të Europës. Kryeministri Albin Kurti shpresonte se një “letër e garancisë” se Asociacioni do të themelohej pas anëtarësimit, e më pas një përpjekje e fundit me një tjetër letër të dërguar në Strasburg se një draft-statutit i ri do të dërgohej në Gjykatë deri në fund të muajit, do të bënin që Kosova të futej në KiE. Por asnjë nga këto lëvizje s’e shmangu dështimin dhe çështja u la jashtë agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave javën e kaluar.

Tash, kur është konfirmuar se një lëvizje e rëndësishme drejt themelimit të Asociacionit është e pashmangshme për anëtarësim në KiE, Qeveria është e gatshme ta shkruajë një draft-statut me shpresën se deri në fund të vitit do të pranohet në organizatën më të vjetër politike ndërkombëtare në Europë.

Të ngjashme