Lajme
Si e harroi Albin Kurti premtimin për kushtëzimin e dialogut me kërkimfaljen e Serbisë për krimet dhe masakrat në Kosovë? (Video)
Demokracia
09:30 | 15 Janar 2024

Share:

Serbia duhet të kërkojë falje për krimet e kryera. Serbia duhet të na dorëzojë kriminelët e luftës.

Këto janë dy nga rreth 10 kushte që sipas liderit të Lëvizjes Vetëvedosje, Albin Kurti dhe partisë së tij, duhet të plotësohen nga Serbia në mënyrë që Kosova të pranojë të ulet në tavolinën e dialogut me këtë shtet përgjegjës për qindra masakra mbi popullsinë shqiptare, mijëra viktima dhe miliarda dollarë dëme materiale.

Për një dekadë, opozitari Albin Kurti dhe partia e tij Vetëvendosje, kanë keqpërdorur “plagët e luftës” kur kanë kundërshtuar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Demokracia.com.

Që nga viti 2011, kur dialogu ka filluar zyrtarisht, Kurti dhe Vetëvendosje e kanë kundërshtuar hapur këtë proces. Për vite të tëra, Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, kanë prezantuar para qytetarëve të Kosovës “pakon” me kushtëzime të cilat duhet të plotësohen nga Serbia, në mënyrë që Kosova të pranojë të dialogojë me këtë shtet.

“Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm që nuk ëshë pjesë e kurrfarë bisedimesh me Serbinë dhe nuk do të jetë asnjëherë, por ajo mendon që është absurde që të bisedohet për çfarëdoqoftë me Serbinë përderisa ajo: [1] nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, [2] nuk e ndërron Kushtetutën e saj ku shkruan se Kosova është pjesë e Serbisë, [3] nuk na kërkon falje për krimet e kryera, [4] nuk na i doëzon kriminelët e luftës, [5] nuk na i dorëzon trupat e pajetë të të pagjeturve të zbuluar në varrezat masimve ose informatat për ta, [6] nuk na i kthen librat kadastralë dhe fondin pensional, [7] nuk na i paguan dëmet për shkatërrimet e mëdha në Kosovë, [8] nuk e ndërpret financimin e strukturave paralele”, prezantonte Kurti kushtet që duhej të plotësoheshin nga Serbia.

Negociatorët e asaj kohe akuzoheshin nga Kurti dhe Vetëvendosje se po pranojnë të dialogojnë me Serbinë, që është përgjegjëse për qindra masakra mbi popullsinë shqiptare, mijëra viktima dhe miliarda dollarë dëme materiale.

Por, që nga viti 2020/21 situata politike në Kosovë ka pësuar ndryshime.

Kundërshtari i madh i dialogut pa kushte me Serbinë, Albin Kurti është bërë kryeministër dhe çuditërisht, pa asnjë refuzim dhe asnjë kushtëzim, shkoi në dialog me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ish-ministër për propagandë i kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit.

Ai la në harresë kushtëzimin e dialogut dhe premtimin e madh që ua kishte dhënë shqiptarëve.

Në takimin e parë, më 15 qershor 2021, Kurti ishte munduar të improvizojë një propozim me 4 kushte për zhvillimin e mëtejmë të dialogut me Serbinë. Askush nuk i mori parasysh këto propozime/kushte të kryeministrit Kurti, ndonëse para mediave, ai shfaqte shpresë se do të konsideroheshin nga Vuçiq e Selakoviq.

Në asnjërën nga këto kushte, Kurti nuk kishte përmendur kushtet e trumbetuara si opozitar.

“Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve”, deklaronte Kurti.

Në këtë propozim 4 pikësh, parashihej që [1] Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në, [2] Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes, duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty, [3] Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi, dhe [4] Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.

Në takimin e dytë, më 19 korrik 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte propozuar Deklaratë të Paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky propozim as nuk ishte lexuar në takim dhe ishte refuzuar.

“Për mua, kjo tregon mosgatishmërinë për marrëveshje, meqenëse u refuzua pa u lexuar fare”, deklaronte Kurti pas takimit në Bruksel me presidetin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në këtë Deklaratë për Paqe të propozuar nga Kurti askund nuk përmendej “kërkimfalja e Serbisë për krimet në Kosovë” dhe as “dorëzimi i kriminelëve të luftës”.

“Ne zotohemi reciprokisht që të përmbahemi nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër njëritjetrit si dhe solemnisht marrim përsipër të bëjmë përpjekje me mirëbesim për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve në një mënyrë të qëndrueshme dhe jetëgjatë. Do të përmbahemi nga sulmet ndaj njëri-tjetrit, agresioni ushtarak, armiqësitë e armatosura ose konflikti i dhunshëm si mjete për zgjidhjen e ndonjë mosmarrëveshjeje që mbetet e pazgjidhur apo ndonjë mosmarrëveshjeje në të ardhmen. Marrim përsipër që të bëjmë përpjekje të mirëfillta për të zgjidhur, përmes mjeteve ekskluzivisht paqësore, të gjitha mosmarrëveshjet aktuale ose të ardhshme apo çështjet që mund të nxitin mosmarrëveshje mes nesh”, thuhej në marrëveshjen e propozuar nga Kurti. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme