OpEd
Si duhet të përfundojë lufta në Ukrainë?
Demokracia
10:14 | 30 Prill 2022

Share:

Nëse historia është një lloj udhërrëfyesi për të tashmen dhe të ardhmen, atëherë mund të thuhet se dhënia fund e luftërave është shumë më e vështirë sesa fillimi i tyre. Dhe kjo është pa asnjë dyshim e vërtetë edhe për luftën aktuale të Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi në fundin e shkurtit të këtij viti.

Nga Steve Cimbala & Lawrence J.Korb “National Interest”

Pas më shumë se 2 muaj luftime pa shumë avantazhe të dukshme nga njëra apo tjetra palë, luftëtarët e të dyjave kampeve po rigrupohen për t’u angazhuar në sulme të mëdha të ushtrisë ruse në rajonin e Donbasit. Luftimet atje pritet të jenë më intensive, më të gjata dhe më të kushtueshme për të dyja palët.

Ndërkohë Rusia vazhdon të bombardojë pa pushim Mariupolin, një qytet që tashmë është shkatërruar në më shumë se 90 për qind të tij, dhe të sulmojmë herë pas here Kievin, në një përpjekje për ta detyruar qeverinë ukrainase që ta shfokusojë vëmendjen e saj nga sulmet në jug dhe në lindje.

Synimet e Moskës në këtë luftë, duket se përfshijnë së paku krijimin e një ure tokësore për në Krime, dhe “çlirimin” e Luhanskut dhe Donjeckut nga kontrolli total i Ukrainës. Nga ana tjetër, Ukraina kërkon që të ruajë regjimin e saj dhe kontrollin mbi territorin e saj sovran, përfshirë atë të populluar në shumicë nga rusisht-folësit.

Po si mund të përfundojë kjo luftë? Ekzistojnë 4 skenarë, të cilat mund të ndikohen ose nga udhëheqësit rusë dhe ukrainas, ose nga komuniteti botëror. Së pari, njëra palë i imponon një disfatë vendimtare ushtarake palës tjetër, dhe dikton një marrëveshje të pasluftës që mbështet interesat e saj.

Së dyti, mund të kemi një ngërç ushtarak të zgjatur në kohë, një angazhim të madh të forcave dhe shtim të numrit të viktimave, duke e shtuar edhe më shumë presionin për një zgjidhje diplomatike.

Së treti, përshkallëzimi e ndryshon në mënyrë dramatike karakterin e luftës. Ose përshkallëzimi horizontal (lufta përhapet në më shumë vende), ose ai vertikal (përdorimi i armëve të shkatërrimit në masë).

Së katërti, diku tjetër në botë shpërthen një krizë e njëkohshme, e cila përfshin një interes jetik për Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar. Për shembull, Kina bën një kërcënim të afërt kundër Tajvanit ose ndërmerr një sulm ndaj ishullit.

Opsioni i parë – një kapitullim i plotë nga njëra palë dhe një fitore vendimtare nga pala tjetër – duket i pamundur në kushtet aktuale. NATO mund të vazhdojë të dërgojë armë në Ukrainë për një kohë të pacaktuar. Këmbëngulja e luftëtarëve ukrainas dhe aftësitë e tyre luftarake mund të pritet të përmirësohen me kalimin e kohës.

Por Ukraina nuk ka gjasa të jetë në gjendje t’i imponojë Rusisë një humbje vendimtare, që do të përfshinte dëbimin e forcave ushtarake ruse nga i gjithë territori ukrainas. Afërsia e Rusisë me Ukrainën lindore, do t’i japë Moskës mundësi që të vazhdojë ta mbajë këtë rajon nën trazira nëse do të zgjedhë të vazhdojë të paguajë koston e luftës.

Prandaj, skenari i dytë – një luftë e gjatë, e pasuar nga një armëpushim i negociuar dhe një marrëveshje paqeje – duket më e mundshme sesa fitorja apo disfata totale për secilën palë. Por që ky opsion të bëhet realist, duhet të angazhohen në një diplomaci të shkathët NATO, Rusia, Ukraina dhe negociatorët ndërkombëtarë efektivë.

Deri tani, diplomacia ka pasur një rol dytësor në këtë konflikt edhe pse kostot e luftës i kanë zemëruar vëzhguesit ndërkombëtarë. Megjithatë, deri kur luftëtarët dhe komuniteti më i gjerë ndërkombëtar ta marrin seriozisht diplomacinë, luftimet do të vazhdojnë.

Ky komunitet më i gjerë ndërkombëtar duhet të përfshijë përfaqësues nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe fuqi të mëdha të përzgjedhura jashtë Evropës. Objektivi i parë i negociatave diplomatike midis Ukrainës, Rusisë, NATO-s dhe bashkëbiseduesve të përshtatshëm, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje për një armëpushim.

Ai nuk duhet të përpiqet të jetë zgjidhja përfundimtare për vendndodhjen e forcave luftarake, por një armëpushim që ndalon masakrat, dhe që duhet të pasohet nga një armëpushim standart i miratuar pas një konference diplomatike profesionale midis përfaqësuesve të Ukrainës, Rusisë, NATO-s dhe palëve të tjera që janë të pranueshme nga të gjitha palët.

Objektivi i dytë i diplomacisë, duhet të jetë arritja e një marrëveshje përfundimtare politike dhe ushtarake të pranueshme për NATO-n, Rusinë dhe Ukrainën. Dy modele alternative mund të ofrojnë një pikënisje për negociata. I pari është formula e “Minsk II”, që lejon një autonomi të kufizuar për enklavat Luhansk dhe Donetsk brenda territorit sovran të Ukrainës.

I dyti është Traktati i Shtetit Austriak i vitit 1955, që parashikonte neutralitetin e këtij shteti gjatë Luftës së Ftohtë. Në secilin rast, forcat e organizuara ushtarake ruse do të tërhiqen nga territori kombëtar ukrainas, dhe po ashtu edhe çdo forcë ukrainase e vendosur në territorin rus. Sektorët e kontestuar do të patrullohen nga paqeruajtësit ndërkombëtarë nga OKB, BE ose OSBE.

Opsioni i tretë do të hynte në lojë nëse secila palë e përshkallëzon luftën duke i zgjeruar luftimet në më shumë vende, ose duke futur në fushën e betejës armë të shkatërrimit në masë. Një sulm rus ndaj një vendi tjetër, si për shembull Moldavisë, apo ndaj një vendi anëtar të NATO-s do të kërkonte një përgjigje të fuqishme të aleancës.

Në një skenar të tillë, lufta do të ishte një konflikt zyrtar NATO-Rusi, ku situata në Ukrainë do të ishte vetëm një pjesë e saj. Sfida për NATO-n do të ishte ruajtja e unitetit të saj politik dhe e marrëveshjes kolektive mbi strategjinë ushtarake, përballë luftimeve të zgjatura me armë konvencionale me rreze të gjatë.

Ky skenar do të kishte edhe më shumë pasiguri, nëse Rusia do të autorizonte përdorimin e parë të armëve bërthamor kundër Ukrainës. Edhe nëse rusët do të përdornin vetëm një armë me rreze të shkurtër ose të mesme, efektet politike dhe psikologjike në Ukrainë, NATO dhe komunitetin ndërkombëtar do të ishin të mëdha dhe jo plotësisht të parashikueshme.

Shumica e qeverive dhe qytetarëve të tyre do të reagonin të tmerruar. Por si duhet të përgjigjet NATO në rastin e përdorimit të armëve bërthamore taktike nga Rusia? Teorikisht, aleanca ka në dispozicion 3 opsione.

Së pari një hakmarrje ushtarake në shkallë të gjerë kundër objektivave në Rusi vetëm me armë konvencionale, e shoqëruar nga diplomacia globale që e quan Rusinë si vend agresor, bashkë me paralajmërimin se përdorimi i mëtejshëm i çdo arme bërthamore nga Rusia, do të provokonte një përgjigje bërthamore të NATO-s.

Së dyti, një përgjigje proporcionale bërthamore kundër objektivave në Rusi, e ngjashme me shkatërrimet e armëve bërthamore ruse në Ukrainë. Dhe së treti, një përgjigje jo-proporcionale bërthamore ndaj Rusisë kundër ushtrisë ruse dhe objektivave të tjera strategjike. Secila ose të gjitha këto opsione për NATO-n mund të shoqërohen me sulme të paparalajmëruara, por thelbësore të NATO-s ndaj aseteve hapësinore ruse, si dhe sulme kibernetike.

Shënim:Stephen J.Cimbala, profesor i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë. Lawrence J.Korb, ish-ndihmës Sekretar i Mbrojtjes.

Të ngjashme