OpEd
Si do të ndikojë lufta e Putinit në zgjedhjet presidenciale franceze
Demokracia
15:09 | 11 Prill 2022

Share:

Nga Daniel Cohen “Project Syndicate”

Lufta e Vladimir Putin kundër Ukrainës, ka pasur një ndikim të fuqishëm në fushatën presidenciale  në Francë. Para pushtimit rus, midis kandidatëve kryesorë kishte 3 mbështetës të Putinit: Zhan-Lyk Melensho i së majtës ekstreme, dhe 2 pretendentët e ekstremit të djathtë Marin Lë Pen dhe Erik Zemur.

Ndërsa Lë Pen u mburr në vitin 2017 për takimin dhe fotot me Putinin, ka miratuar aneksimin e Krimesë nga ana e këtij të fundit, dhe ka drejtuar një parti që ka marrë vazhdimisht kredi nga bankat ruse, edhe Zemur ka shprehur admirimin e tij për Putinin, të cilin ai e ka përshkruar si një “patriot”. Nga ana e tij edhe Melensho, ka mbrojtur prej kohësh një dalje të Francës nga NATO, duke reflektuar anti-amerikanizmin dhe afërsinë e tij me të majtën e Amerikës Latine të Fidel Kastros dhe Hugo Çavezit. Që të tre këta kandidatë këmbëngulnin plot besim se Putin nuk do të pushtonte Ukrainën.

Edhe pse Putini i kapi në befasi të tre kandidatët, Zemur ka qenë i vetmi që ka paguar deri tani një kosto politike për qasjen e tij. Lë Pen e denoncoi menjëherë pushtimin, dhe e riorientoi fushatën e saj për t’u fokusuar në çështjet e ekonomisë, si rritja e papritur e çmimeve të energjisë.

Reagimi i Melensho ka qenë më i rrëmujshëm: ndërsa e përshëndet heroizmin e ukrainasve, ai refuzon dërgimin e armëve në Ukrainë. Ashtu si Lë Pen, edhe fushata e tij është e fokusuar kryesisht tek çështjet e brendshme sociale, dhe e ka shmangur në maksimum çështjen e luftës.

Ndërkohë e gjithë fushata e Zemur ka qenë kundër ardhjes së emigrantëve të rinj, çka e ka bërë të vështirë përshtatjen me fillimin e luftës. Ai ka shprehur rezerva për pritjen e refugjatëve ukrainas, teksa nuk ka thënë asgjë specifike mbi rritjen e çmimeve të energjisë, kandidatura e tij është bërë gjithnjë e më e parëndësishme.

Tani ai është shumë prapa Lë Pen në sondazhe, të cilën më herët kishte shpresuar ta sfidonte për epërsi në zonën e së djathtës ekstreme. Në fazën e fundit të fushatës, 3 pretendentët kryesorë janë presidenti aktual, presidenti Emanuel Macron me rreth 27 për qind, i ndjekur nga Lë Pen dhe Melensho, përkatësisht me rreth 23 dhe 16 për qind.

Franca shkon në zgjedhje, sondazhet nxjerrin favoritë ekstremistët e Le Pen

Ndër efektet më të qarta të luftës në Ukrainë, është dalja de fakto nga gara e kandidates të së djathtës tradicionale republikane, Valeri Pekrese. Përveç keq-menaxhimit të fushatës, kandidatura e saj është goditur rëndë nga një ndryshim në mbështetjen ndaj Makron, i cili ka korrur jo vetëm përfitimet politike nga lufta në Ukrainë, por ka adoptuar edhe disa nga propozimet e Pekrese.

Kjo e fundit e ka akuzuar Makron për “kopjim” të programit të saj. Por problemi për të djathtën republikane nuk është vetëm se Makron po i merr disa mbështetës. Problemi është se ai ka adoptuar sistematikisht pozicionet kryesore të së djathtës së qendrës, duke përfshirë rritjen e moshës së pensionit në 65 vjeç, shtimin e kritereve për përfituesit e ndihmës sociale, dhe një ulje të taksës së trashëgimisë.

Nëse Makron do të rizgjidhet në detyre, ai do të jetë në krye të një partie me një mbështetje shumë të madhe, ndërsa republikanëve do t’u mbeten shumë pak ndjekës. Synimi i Makron është i qartë. Ai nuk dëshiron të pësojë të njëjtin fat si Valeri Zhiskar d’Estenj, presidenca 7-vjeçare e të cilit nuk la asnjë gjurmë në jetën politike franceze.

French President Emmanuel Macron arrives for the annual Bastille Day military parade on the Champs-Elysees avenue in Paris on July 14, 2018. (Photo by PHILIPPE WOJAZER / POOL / AFP) (Photo credit should read PHILIPPE WOJAZER/AFP/Getty Images)

Ashtu si Sharl De Gol pas rikthimit të tij në pushtet në 1958, Makron dëshiron ta rindërtojë të djathtën franceze nga themelet. Llogaritë e tij janë të thjeshta. E djathta franceze ka aktualisht rreth 75 për qind të elektoratit – përfshirë mbështetësit e partisë së Makron, La République en Marche. Brenda këtij grupimi të gjerë, ka vend për dy forca të mëdha: e djathta ekstreme, e cila përbën 30-35 për qind të elektoratit, dhe një front i bashkuar që përfshin pjesën e mbetur të votuesve konservatorë.

Së bashku me Makron, ky bllok mund ta qeverisë Francën për një kohë shumë të gjatë, duke i bërë jehonë trashëgimisë së Golizmit dhe rimishërimeve të tij të shumta pas vdekjes së De Golit. Duke supozuar se e djathta ekstreme do ta shfrytëzojë mundësinë, ajo mund të rikompozohet dhe të bëhet një bllok i fuqishëm i aftë për të marrë një ditë pushtetin.

Ashtu si De Gol e detyroi të majtën socialiste dhe komuniste të tubohej rreth Fransua Miteranit, loja e Makron me konservatorët tradicionalë mund të prodhojë një konsolidim të forcave në të djathtën e tij. Mjafton që e djathta ekstreme të pozicionohet si alternativa e vetme ndaj pushtetit të ri golist.

Sa i përket së majtës, ajo duket se e ka të vështirë ta sfidojë këtë realitet. Cilido qoftë autoriteti i saj moral për çështjet ekologjike apo të drejtësisë sociale, e majta po luan një lojë me shumën zero nga një pozicion i dobët, duke pasur mbështetjen e rreth 25 për qind të elektoratit.

Atë nuk e ka ndihmuar as lufta në Ukrainë. E majta është e ndarë mbi përgjigjen dhe rolin e Evropës, Francës dhe NATO-s në këtë konflikt. Kandidati i të Gjelbërve, Janik Zhado, dhe kandidatja socialiste, kryebashkiakja e Parisit Ana Hidalgo, e kanë akuzuar Melensho se po mbështet autokratët, të cilët nuk luajnë ndonjë rol të rëndësishëm në popullaritetin e tij relativ.

Pas vijës ndarëse mbi Ukrainës, ekzistojnë dy pikëpamje të kundërta rreth mënyrës se si duhet rindërtuar e majta franceze. E para është që ajo të ketë një model të ngjashëm me radikalizmin në të djathtën ekstreme, ngritja e së cilës duket se reflekton kërkesat e një elektorati që ndihet i tradhtuar nga establishmenti kryesor.

E dyta pohon se e majta është bërë e neveritshme për shumicën e shoqërisë, pikërisht sepse ka humbur elementët e saj të moderuar. Që të rikthehet në pushtet, ajo duhet t’u drejtohet votuesve që janë të interesuar për çështje të tilla si ekologjia, por që janë dyshues për radikalizmin.

Në fakt, të dyja pikëpamjet janë të vërteta; problemi i së majtës është mungesa e një figure që të jetë në gjendje të prodhojë sintezën e nevojshme midis të dyjave. Falë Putinit, tashmë është e sigurt se Makron do të përballet me Lë Pen në raundin e dytë, ashtu siç ndodhi në zgjedhjet e 2017-ës. Sondazhet parashikojnë fitoren e Makron, por me një diferencë shumë më të ngushtë se 5 vjet më parë.

Disa sondazhe sugjerojnë se Le Pen mund të marrë deri në 47 për qind të votave në raundin e dytë, një nivel i paprecedentë mbështetjeje për një kandidat francez të së djathtës ekstreme.

Rritja e çmimit të naftës dhe gazit e ka forcuar shumë kandidaturën e Lë Pen. E lirë nga angazhimet e Makron ndaj maturisë fiskale, ajo ka luksin të premtojë shkurtime drastike të taksave. Lufta e Putinit e ka ndryshuar rrënjësisht garën presidenciale franceze. Edhe nëse rezultati duket i qartë, më pak të qarta janë efektet anësore të pushtimit rus të Ukrainës, të cilat ka të ngjarë ta ndërlikojnë politikën edhe gjetkë në Evropë.

Shënim:Daniel Cohen, president i Bordit të Drejtorëve të Shkollës Ekonomike të Parisit.

Të ngjashme
OpEd • 30 Qershor 2024
OpEd • 28 Qershor 2024